Fabul nga Gjikë Kurtiqi
Komisioni ad’hok
I luftës kundër Korrupsionit,
Mori vendim kokë më kokë,
T’i flasin me gjuhën e presionit:
– Korrupsion e mbushe kupën,
Gjete shesh në Shqipëri
Hodhe rrënjë në çdo fushë
Dhe na bëre lesh e li.
Për gjithçka duhet pagesë,
Pagesë për të lyer rrotën,
Shkurt na je bërë pengesë
Për t’u bashkuar me Europën.
Ndaj vendosëm të gjithë tok,
Deri në fund të shënëndreut
Do të bëjmë copë-copë,
Të zhdukesh nga faqe dheut.
Dhe përgjigjet Korrupsioni,
Buzagaz me këto falë:
– Mua Europa më ka lindur
Dhe Europa më mban gjallë.
Bën mirë t’ia marrësh këngës:
“Ku e lamë e ku na mbeti…”
Për ndarjen tuaj nga Europa
Unë s’jam shkaku, por sebepi.
Por një meritë do ta kesh hak,
(Dhe kjo të mbetet midis nesh)
Që të zvogëlohem sado pak,
Se kam shtuar shumë në peshë!
