Pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunimin mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor mes tyre edhe Kosovë, Shqipëri, selia e koordinimit të punëve do të ngrihet në kryeqytetin shqiptar. Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm numri një i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati u shpreh se Shqipëria po koordinon për herë të parë një marrëveshje për vendet e Ballkanit, çka ka rëndësi strategjike dhe ekonomike për vendin.
Tirana do të jetë kryeqyteti që do të udhëheqë koordinimin për bashkëpunimin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo në sajë të marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij, të cilën kryediplomati Ditmir Bushati e prezantoi në Komisionin e Jashtëm, si një mundësi zhvillimi për vendin.
Por opozita ka shprehur rezerva për fondin fillestar 180 mijë euro si të pamjaftueshëm. “Disa qindra mijëra euro për 6 vende , besoj se nisma ka vdekur pa nisur”, tha Bumçi.
Lidhur me sasinë e fondit që do të krijohet, Kryetarja e Komisionit Arta Dade tha se kjo padyshim që është një sasi fillestare për të mundësuar edhe punën fillestare të sekretariatit që do të vendoset në Tiranë.
Marrëveshja për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe statutit të tij, do të jetë në thelb një platformë bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.
