Komisioni parlamentar për politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga deputetja Arta Dade, po zhvillon një vizitë në Kosovë. Ky komision u prit nga presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga dhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Pas takimit të përbashkët me komisionin e punëve të jashtme të Kuvendit të Kosovës, kryetarja Dade dhe homologu i saj Albin Kurti, në konferencën për media folën për rëndësinë e bashkëpunimit të këtyre grupeve, duke e cilësuar si të domosdoshëm. Angazhimi i të dy komisioneve, sipas Kurtit, shtrihet në tri rrafshe: politik-institucional, kulturor-arsimor dhe social-ekonomik. Nga ana e saj, Dade tha se Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, pasi sipas saj, kjo është detyrë e institucioneve shqiptare. Komisioni i Jashtëm Parlamentar do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, ndërsa kjo është vizita e parë zyrtare e këtij komisioni që nga zgjedhjet e 23 qershorit. Nesër në Kukës do të zhvillojnë një tjetër takim dy qeveritë, e Kosovës dhe e Shqipërisë.
