Komisioni i Ligjeve shqyrton nesër dekretin e presidentit Bujar Nishani për kryeprokurorin e ri të vendit.
Mbledhja e komisionit do të zhvillohet nesër në orën 09:00 ndërsa në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi i dekretit të presidentit për emërimin e Adriatik Llallës në krye të organit më të lartë të akuzës.
Një ditë më parë, grupi parlamentar socialist vendosi që të abstenojë në votimin për dekretin e Presidentit të Republikës, për ta zgjedhur Adriatik Llallën në krye të organit të akuzës.
PS-ja e argumentoi abstenimin me kundërshtinë e procesit mbi bazën e të cilit Lllalla merr detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, duke i mëshuar faktit se për PS mandati i Prokurores aktuale Ina Rama nuk ka përfunduar ende.
Partia Socialiste ka deklaruar se nuk e kundërshton kandidaturën e Llallës, i cili me kohë do të tregojë nëse është në lartësinë e kësaj detyre, e ndoshta guri i provës do të jetë zbardhja e vrasjes së katër protestuesve në 21 janar 2011.
Të hënën Presidenti i Republikës ,Bujar Nishani, dekretoi Adriatik Llallën si Prokuror të Përgjithshëm pavarësisht debatit të hapur për kohën kur mbaron mandati i Kryeprokurores aktuale Ina Rama.
