Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit është në pritje që të mbyllë deri në fund të muajit qershor kandidatët që kanë aplikuar për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Aktualisht para vettingut kanë dalë 3 nga 24 kandidatët, dy prej të cilëve janë me pikëpyetje për qëndrimin në sistem.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit prej dy ditësh ka nisur verifikimin me procedurë të përshpejtuar të kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Një ditë më parë doli para KPK-së, prokurori Shkëlzen Cenaj, ish-drejtues i prokurorisë së Dibrës, ndërsa këtë të enjte u zhvilluan seancat dëgjimore me dy prokurorët e Krimeve të Rënda Ened Nakuçi, i njohur si prokuror i dosjes “Shullazi” e “Klement Balili”, si dhe prokurori Edvin Kondili, i cili aktualisht ka në dorë dosjen e trafikut të 613 kilogramëve kokaninë.
Por të paktën dy kandidatë kanë dalë me probleme nga KPK, përsa i përket pasurisë dhe anës profesionale.
Për kandidatin Cenaj, KPK solli si problem faktin se nuk justifikonte dot blerjen e një banese në Kukës nga prindërit e tij, që sipas komisionerëve nuk kishin të ardhura.
Probleme me justifikimin e pasurisë iu konstatuan edhe prokurorit Nakuçi. KPK ka bërë vërejtje se Nakuçi nuk ka sjell dokumenta për borxhet që pretendon se ka marrë nga motra e xhaxhai.
Gjithashtu nuk është justifikuar as transaksioni nga Fondacioni ku Nakuçi thotë që ka bërë leksione.
Ndërkohë për prokurorin u soll si shqetësim edhe largimi pa njoftuar nga dosja “Shullazi” në fazën kur pritej të jepej protenca, duke sjellë probleme në vijim e kësaj çështje.
Ndërkohë për prokurorin, Ervin Kondili, nuk u konstatuan probleme në asnjë nga tre kriteret.
Vendimet për tre kandidatët pritet të jepen të premten, më 7 qershor. Deri më tani nga garuesit për në SPAK janë konfirmuar prokurorët Dritan Prençi, Arben Kraja dhe Donika Prela.
b.b/dita
