Komiteti Këshillimor i Stabilitetit Financiar (KKSF), i cili përbëhet nga përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Agjencisë së sigurimit të Depozitave dhe Autoritetit të Konkurrencës është mbledhur dje për të diskutuar mbi gjendjen e bankave dhe kryesisht të kreditimit. Por gjithashtu kanë qenë të shumta çështjet që janë diskutuar në këtë takim të fundit. Vëmendje kryesore kanë marrë kreditë me probleme, niveli i të cilave ka arritur në rreth 24% të totalit. Është vlerësuar pozitivisht procesi i pastrimit të bilanceve nga bankat, që u intensifikua në tremujorin e tretë të këtij viti. Ndonëse ai ka ndikuar negativisht në treguesit afatshkurtër të sistemit bankar, efekti pritet të jetë pozitiv në afatin e gjatë. Është folur dhe për ristrukturimin e kredive, ku Banka e Shqipërisë ka bërë një hap përpara së fundmi, duke publikuar dy udhëzim për ristrukturimin e kredive si për bizneset ashtu dhe për individët. Financimi që ka kërkuar i Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim prej 100 milionë euro (hua në formën e garancisë dhe mund të përdoret nga Agjencia e Depozitave vetëm nëse do të ketë nevojë në rastet e goditjeve të mundshme në sistemin bankar) ishte një tjetër çështje e diskutimeve. Qëllimi i kredisë është të parandalojë dështimin e mundshëm të ndonjë banke dhe izolimin e saj për të mos u shndërruar në rrezik sistemik për gjithë sistemin. Në takim është folur dhe për tregun e sigurimeve dhe për misionin e FMN-së dhe Bankës Botërore , i cili ka mbërritur në Tiranë në 28 tetor dhe po punon për përditësimin e Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP). Misioni do të qëndrojë në Shqipëri deri në javën e tretë të nëntorit paraqesë pikëpamjet e tij të nxjerra nga kryerja e FSAP-së në një raport të quajtur Vlerësimi i Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSA). Komiteti Këshillimor i Stabilitetit Financiar është krijuar në nëntor 2007, si organ kolegjial këshillimor për çështjet e stabilitetit financiar me afat veprimtarie të pakufizuar, me nsimëtar Bankën e Shqipërisë.
