Për 20 ditë me radhë duke filluar që sot, biznesi do të ketë mundësi që në portalin e Ministrisë së Financave të bëjë vetëdeklarimin për borxhet që qeveria e kaluar u ka atyre për punët publike të papaguara ende. Kjo nismë e bërë zyrtare nga kjo ministri do të sjellë në këtë mënyrë regjistrimin e të gjitha kompanive që kanë pagesa të pashlyera nga buxheti i shtetit, e që kjo shumë sipas ekspertëve të FMN-së u deklarua pak ditë më parë se shkonte në 56 miliardë lekë. Kështu, të gjitha kompanitë, të cilat pretendojnë se kanë kryer punë apo shërbime publike dhe nuk janë paguar duhet të regjistrohen pranë Ministrisë së Financave.
Sipas njoftimin zyrtar, formati i plotësimit të dosjes do të jetë në exel dhe shumë lehtë i realizueshëm mjafton që të ndiqen veprimet e rekomanduara si shkarkimi i dokumentit në Excel, plotësimi me informacionin e nevojshëm dhe ngarkimi i dokumenti të plotësuar, në faqe të këtij dikasteri. Sipas njoftimit, ftohen të gjitha subjektet private të plotësojnë dokumentin, ndërkohë që sqarohet se çdo e dhënë e ngarkuar në dosje do të verifikohet. Ministria e Financave fton të gjitha subjektet private të plotësojnë dokumentin dhe njëkohësisht sqaron se çdo e dhënë e ngarkuar në dosje do të verifikohet. Afati i aplikimit zgjat deri më datë 20 tetor.
Shlyerja e detyrimeve, qoftë edhe nëpërmjet një liste apo grafiku pagesash, lejon njohjen e plotë të tyre dhe të nivelit real të defiçitit dhe borxhit publik, duke i bërë transparentë këta tregues të rëndësishëm për stabilitetin e financave publike. Mosnjohja dhe mospagimi i detyrimeve të prapambetura pengon saktësimin e situatës kritike dhe vështirëson përllogaritjen e saktë të shkallës së ndërhyrjeve.
Dëmi që po kryhet është shumë i madh tashmë. Mospagesat qeveritare, qoftë edhe të përkohshme, kanë rritur efektin zinxhir të borxheve të biznesit privat ndaj bankave, bizneseve të tjera dhe ndaj punonjësve për pagat, përfitimet dhe sigurimet. Zgjidhja e këtij zinxhiri sjell efekte pozitive në pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore, ul nivelin e kredive të këqija, ul përmasat dhe koston e financimit nga tregu informal, çka lehtëson financimin e ekonomisë. Clirimi i këtij borxhi do të sillte një frymëmarrje për ekonominë e vendit, duke shënuar hapin e parë pozitiv pas kaq muajsh.
Ja si plotësohet formulari nga bizneset
Formati i plotësimit të dosjes do të jetë në exel dhe shumë lehtë i realizueshëm. Tre janë hapat që duhet të ndiqen për plotësimin e këtij formulari:
1. Të shkarkohet dokumenti Excel, i cili ndodhet online.
2. Ta plotësohet me informacionin e nevojshëm dhe të ruhet në kompjuter.
3. Të ngarkohet dokumenti excel i plotësuar, në faqe dhe të shtypet butoni “Dërgo”.
