Kompensimi i energjisë për pensionistët, kush përfiton

redaktor

Është publikuar dje në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë për kompensimin e diferencës së çmimit të energjisë elektrike, për efekt të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 Kwh në muaj.

Tashmë kompensim do të përfitojnë kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, pension pleqërie fshati ose pension social, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Gjithashtu, nga ky vendim do të përfitojnë edhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie ose pension social që janë me banim në fshat, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët.

Në rastet kur në të njëjtën familje ka dy pensionistë të vetëm dhe kontrata është në emër të pensionistit jokryefamiljar, kompensimin e përfiton pensionisti në emër të të cilit është kontrata e energjisë elektrike. Në rastet kur, si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi u akordohet personave përfitues të pensionit familjar.

Edhe nëse përfituesi plotëson kriteret e përfitimit, kompensimi nuk përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit.

Kompensimi, për familjet që do të kompensohen, bëhet vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, të cilët kanë pagë nën 35 000 lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.

Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 Kwh,do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal.

Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi.

Masa e kompensimit, për çdo përfitues, është 648 lekë në muaj dhe efekti financiar të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, miratuar për ndihmën ekonomike.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *