Partia Republikane ka reaguar për projektligjin e pronave që pritet të kalojë në seancë plenare.
Një nga drejtuesit e lartë të kësaj partie, Maksim Begeja deklaroi se ky projektligj dëshmon qartësisht dështimin e Qeverisë në përmbushjen e detyrimeve të saj në zgjidhjen e çështjes së pronës.
“Ky p/ligj nuk zgjidh problemin e problemin e pronarëve legjitimë por kërkon të zgjidhë hallin e qeverisë nëpërmjet një shpronësimi dhe mashtrimi të ri. Ai fundos përfundimisht edhe ato pak të drejta të fituara deri më sot nga pronarët . P/ligji hedh poshtë konceptet mbi të cilat janë miratuar të gjithë ligjet gjatë këtyre 25 vjetëve nga Kuvendi i Shqipërisë. P/ligji që në emërtim dhe përmbajtje trajton vetëm kompensimin e pronës, duke shfuqizuar ligjin ekzistues që bazohej në kthimin e pronës pronarëve legjitimë”, tha z. Begeja.
Në fjalën e tij, Maksim Begeja theksoi se ky fond nuk përfaqëson vlerën reale të pronës së pa kthyer apo kompensuar deri më sot. “Vlera e pronës sipas këtij p/ligji, do të përcaktohet sipas “hartës së vlerës” që miratohet me Vendim Qeverie, pa u bazuar në çmimin e tregut dhe transaksionet mbi tokën, por i hamendësuar vetëm duke u bazuar në interesat e qeverisë për të reduktuar në maksimum faturën financiare për kompensimin e pronarëve. Ky qëndrim është hedhur poshtë nga Gjykata e Strasburgut me vendimet e saj”, shtoi ai.
