Pluhuri, balta, mbajtja e bidonëve nëpër duar, si dhe përshkrimi i kilometrave të tërë deri në gjetjen e një shkolle të afërt përbëjnë realitetin e hidhur me të cilin duhet të bashkëjetojnë çdo ditë mijëra banorë të lagjes “Unaza e Re”. Heshtja dhe premtimet boshe përmes buzëqeshjeve të rreme në kohë fushate janë e vetmja përgjigje që institucionet qendrore dhe ato lokale kanë ofruar kundrejt thirrjeve të vazhdueshme të këtij komuniteti për ndihmë.
Jetesa në këtë zonë, e cila ndodhet shumë afër qendrës, tashmë po merr përmasa shqetësuese për shkak të mungesave të theksuara që shfaqen në rrjetin e infrastrukturës, shërbimeve edukuese, atyre shëndetësore etj. Njësoj sikurse ndodh në rrethe të largëta të vendit këtyre banorëve u duhet të udhëtojnë drejt lagjeve fqinje për të marrë shërbimet më bazike, pasi në komunitetin e tyre mungojnë rrugët e shtruara, uji, shkollat dhe kopshtet, qendrat mjekësore e gjithçka tjetër. Për të marrë shërbime të tilla, banorët jo vetëm duhet të udhëtojnë në lagjet fqinje, por duhet edhe të shlyejnë kostot e tyre. Ndërkohë që ambientet e lagjes së tyre tashmë janë kthyer në kantiere ndërtimi për godina shumëkatëshe, të cilat prodhojnë vetëm pluhur, baltë dhe zhurma të forta bezdisëse.
Pavarësisht numrit të madh të banorëve që kjo lagje përfshin, institucionet përgjegjëse si Komuna Kashar, Bashkia e Tiranës, si dhe Qeveria, nën angazhimin e tepërt të prerjes së shiritave dhe fjalëve boshe nuk po gjejnë kohë të kthejnë sytë drejt halleve që po lëkundin jetesën e banorëve të lagjes “Unaza e Re”.
Ndërtimet pa leje po mbijnë si kërpudhat
Për problemet e tyre, banorët e kësaj zone kanë kontaktuar me gazetën “Dita”, duke u ankuar se pallatet shumëkatëshe të ndërtuara kuturu po shtohen dita-ditës. Por përveç banorëve këtë shqetësim duket se nuk e ndjen askush tjetër, e aq më pak institucionet të cilat trumbetuan me të madhe se do të frenojnë ndërtimet pa leje dhe do t’u rikthejnë qytetarëve sipërfaqe të tëra gjelbërimi. Me sa duket përsëritja e shpeshtë e këtyre premtimeve gjatë viteve të fundit nuk u ka lënë kohë drejtuesve të këtyre institucioneve që të përmbushin detyrimet e tyre.
Fakt ky që po rëndon edhe më shumë jetesën e banorëve, të cilët shprehen të revoltuar se gjendja ka arritur aty ku nuk mban më.
“Çdo ditë dëgjojmë premtime e “përurime” në kryeqytetin tonë. Krijohen lulishte të reja, mbillen pemë të shumta dekorative, hapen, shtrohen e asfaltohen rrugë të reja. Këto “sihariqe” të qeverisë e të Bashkisë së Tiranës i shikojmë në ekranet e televizorëve, i dëgjojmë në valët e radiove dhe i lexojmë në shtypin e përditshëm. Ato (edhe pse nuk i shohim) na gëzojnë. Por, hidhërohemi kur kalojmë në periferi të kryeqytetit, në një lagje me 7800 familje (Unaza e Re), jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, e cila ka mbetur jetime”, shprehet Luan Kulla, ndërlidhës me komunitetin (apo kryeplak siç themi shpesh) i kësaj lagjeje.
Urbanistika, kush po pyet për rregullat e saj?!
Shumë ndërtues, të joshur nga etja për të fituar sa më shumë, ndërtojnë pallate duke mos respektuar asnjë rregull të urbanistikës. Pallatet shumëkatëshe të ndërtuara jashtë çdo kriteri dhe standardi tashmë kanë uzurpuar të gjithë sipërfaqen e kësaj lagjeje, duke i detyruar banorët që të ndajnë me njëri tjetrin kundra dëshirës pothuajse gjithçka.
Për banorët e kësaj zone thënia se “komshiu përballë komandon televizorin tim” nuk është një barsaletë, por një e vërtetë e hidhur me të cilën duhet të përballen çdo ditë, pa mundur dot ta shmangin. Kjo pasi godinat janë ngjitur me njëra-tjetrën, e njerëzit nuk dinë nëse janë respektuar ligjet urbanistike për distancën mes ndërtesave, për ndriçim, ajrim e probleme sigurie.
Infrastruktura rikthehet në kushte primitive
Pallatet tashmë i kanë zënë vendin gjithçkaje. Edhe ato të ashtuquajtura rrugë apo rrugica ndërmjet banesave janë në gjendje mjerues, si mos më keq. Mjafton të bjerë një vesë shi dhe qytetarët duhet të pajisen me çizme për të kaluar nëpër pellgje e nëpër baltë.
Aty ujërat e zeza bëjnë “krushqi” me ujërat e bardha. Për krijimin e pellgjeve dhe baltës, një kontribut të veçantë japin makinat që hyjnë e dalin pa kriter. Në këto ndërtesa, që më shumë u ngjajnë hangareve, katet e para janë kthyer në garazhe makinash. Ato janë mbushur me ujëra të pista që përhapin një erë të keqe e janë vendstrehimi për mushkonjat e bretkosat, që lehtësisht mund të japin ndihmesën e tyre për përhapjen e ndonjë epidemie. Edhe pse kjo situatë shqetësuese është prezente gjatë gjithë ditëve të vitit asnjë prej strukturave përgjegjëse nuk e ka marrë as më të voglin mundim që të ndërhyjë, për tu ardhur në ndihmë banorëve të kësaj zone. “Si duket kjo lagje është “larg” Drejtorisë së Higjienës për ta parë, e për të marrë masat e duhura sipas ligjit. Kjo për mendimin tonë ka vdekur fare”, vënë në dukje banorët e kësaj zone.
Mungesa e ujit
Banorët e Unazës së Re të harruar e të trajtuar si të njerkës, veç kusureve të tjera, vuajnë edhe për shërbimet më bazike siç është uji apo institucionet e afërta për shkollimin e fëmijëve të tyre. Në të gjitha rastet duhet të mendojnë vetë për të siguruar të gjitha shërbimet që i nevojiten një komuniteti, pasi të përzgjedhurit me votat e tyre janë shumë të zënë dhe nuk kanë kohë që të rikthejnë vëmendjen, drejt nevojave dhe vështirësive me të cilat hasen çdo ditë këta banorë.
Duke iu rikthyer mungesës së ujit, e vetmja mundësi (e shoqëruar edhe nga një potencial i lartë rreziku) që mund të shuajë etjen e tyre, janë puset e hapura vend e pavend në qoshet e pallateve e në mes të rrugës. Ky ujë është i ndotur dhe pa analiza higjiene sanitare. Ndërkohë që një tjetër alternativë për sigurimin e ujit të pijshëm janë edhe autobotet private që e shesin ujin si frëngu pulën.
Udhëtimi për në shkollat e lagjeve fqinje
Duket se hallet për banorët e kësaj lagjeje nuk kanë të sosur. Sloganet e qeverisë përsërisin çdo ditë se po ndërtohen çerdhe, kopshte, shkolla, lulishte, qendra shëndetësore. Këto njoftime banorët e kësaj lagjeje i gëzojnë kur i dëgjojnë, por i trishtojnë e hidhërojnë kur në lagjen e tyre s’i shohin.
Disa herë banorët e kësaj lagjeje të madhe kanë kërkuar të ketë një qendër shëndetësore, një kopsht, një çerdhe, një shkollë. Por në të vërtetë asgjë nuk është bërë në plotësimin e këtyre kërkesave. Këto kushte kanë shtuar barrën e shpenzimeve që banorët duhet të përballojnë për të mos vënë në rrezik edukimin e fëmijëve të tyre. Në këtë lagje mbi 80 furgonë privatë shpërndajnë nxënës shkolle që nga klasa e parë deri në të mesme nëpër lagjet e tjera të Tiranës kundrejt pagesës që familjarët janë të detyruar të kryejnë. Pagesë e cila varion nga 1500 – 3500 lekë për nxënës në muaj.
Shiriti i munguar
Po kërkesat e banorëve të Unazës së Re Tiranë kanë rënë në veshin e shurdhër të Komunës Kashar, Bashkisë Tiranë e Qeverisë.
Këtu, me përjashtim të pallateve me disa kate që “fusin hundët” te njëri-tjetri, duke zaptuar rrugët e sheshet nuk gjendet asnjë vend çlodhjeje, një lulishte. Të merr malli të shohësh një pemë dekorative (edhe pse Bashkia e Tiranës ligjëron se ka mbjellë e vazhdon të mbjellë jo me qindra, por me disa mijëra pemë)
Përditë po priten shirita përurimi në shumë zona. Por për zgjidhjen e problemeve jetike të mbi 30 000 banorëve të lagjes Unaza e Re, Tiranë, a ka ndërmend qeveria të presë ndonjë copë shirit?
Banorët janë në pritje.
