Komunitetet e Krishtera të Shqipërisë (Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike në Shqipëri dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), apelojnë një zëri për miratimin e reformës në drejtësi.
Në këtë moment kaq delikat, kur po afrohet data dhe mundësia për t’i dhënë vendit një reformë në drejtësi, e cila është ndër hallkat më problematike të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, dhe që prek drejtpërdrejtë jetën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë, ata bëjnë thirrje sensit të përgjegjësisë të faktorëve dhe liderëve politikë, që të gjejnë me patjetër një konsensus për këtë reformë ashtu siç edhe faktori ndërkombëtar është duke theksuar.
Sipas tyre, gjetja e një gjuhe të përbashkët në interes të vendit, jashtë interesit vetjak apo të një grupimi të caktuar politik, është sot misioni juaj i madh.
Drejtësia dhe zbatimi i përpiktë i saj nuk është një zgjedhje në jetën e një populli që synon të jetë një vend demokratik, por element themelor, për të cilin duhet të kontribuojmë të gjithë që të garantojmë ndarjen nga korrupsioni, i cili si gangrenë rrezikon shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe të shoqërisë.
Komunitete fetare katolike theksojnë se gjetja e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi jemi të bindur se do të shtojë besimin e popullit tek faktori politik dhe do të ndikojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, ku shteti i së drejtës do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të së mirës së përbashkët.
Ata besojnë se ka ende hapësira për t’u ulur dhe për të lënë mënjanë retorikën konfliktuale. Populli pret shumë nga ju e nga ne të gjithë, që në mënyra të ndryshme duhet të kontribuojmë në përmirësimin e jetës së tij.
