Më 24 dhjetor 2014 u mblodhën në Rezidencën “Eklips” të Farkës përfaqësues të komunitetit egjiptian nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Diaspora e nga Maqedonia dhe diskutuan çështje të identitetit të tyre, të statusit të tyre etnik, të integrimit në shoqëri dhe të simboleve që do t’i përfaqësonin si identitet i veçantë. Gjithashtu, morën vendime edhe për mbajtjen e Kongresit të tyre III të Unionit Ballkanik Egjiptian. Në këtë mbledhje të Këshillit Organizativ Ballkanik merrnin pjesë edhe deputeti i Kosovës, Veton Berisha, ish-deputeti në katër legjislatura i po këtij Kuvendi, Xhevdet Neziraj, që të dy përfaqësues të komunitetit egjiptian në Kosovë. Merrte pjesë dhe veprimtari i njohur shoqëror për të drejtat e njeriut, historiani Jovan Jano dhe të tjerë. Edhe pse në këtë mbledhje flitej me kulturë të lartë dhe me frymë të theksuar tolerance, nuk e kishe të vështirë të kuptoje dëshpërimin e thellë që përjetonin gjithë pjesëmarrësit në këtë mbledhje për shkak të mospërfilljes që vinin re nga politika, qeveritë dhe nga një pjesë e mirë e shoqërisë civile në shtetet përkatëse. Ajo që të bënte përshtypje ishte fakti, se përfaqësuesit e shoqatave egjiptiane shpreheshin për tolerancë, duke kërkuar më shumë nga vetja se sa nga qeveritë përkatëse dhe nga OJQ-të. Ata ngulnin këmbë sidomos te krijimi dhe forcimi i identitetit si komunitet. Vërtet nuk kemi gjuhë, siç kanë romët, thanë ata, por ne kemi shumë dukuri të tjera, të dukshme, të karakterit etnik, qe na bëjnë një komunitet kompakt brenda shoqërisë civile shqiptare. Intelektuali i njohur kosovar Faslli Stollaj theksoi nevojën e një pune të bashkërenduar me organet shtetërore. Përfaqësuesi i egjiptianëve të Serbisë, tha, se ne nuk mund të presim të na çelin trëndafila pa një veprimtari tonën nga brenda komunitetit tonë. Një përfaqësues i ardhur nga diaspora, nga Gjermania, u shpreh, se ne ndihemi të pambështetur si etni nga vendi ku banojmë e punojmë, sepse na mungon ai që e kanë të tjerët; na mungon statusi i etnisë. Me pas u fol për nevojën e gjallërimit të shpirtit të protestës. Qeveritë dëshirojnë që ne të heshtim, tha përfaqësuesi egjiptian i Maqedonisë, që të ishin ato të qeta, por kjo do të ishte në dëmin tonë. Duhet t’i jemi të pranishëm qeverive tona me kërkesa të herëpashershme, sigurisht këto drejta dhe të ligjshme.
Letër e nënshkruar
Nga Dhimitër Shtëmbari
