Koncesionet janë problematika ekonomike aktuale që sa vjen e amplifikohet në debatet politike opozitë – maxhorancë dhe që, fatkeqësisht, nuk prodhon asgjë konkrete veç konsumit politik. Ndonëse më tepër kjo i përket debatit në Parlament, problemi i koncesioneve nuk prek thelbin se si duhet të jenë nën kontroll lidhja dhe realizimi i kontratave koncesionare. Ky debatpërqendrohet në se kompania fituese është kliente e qeverisë apo e kryeministrit. Pala që akuzohet përgjigjet se kur ishte minoranca në fuqi i ka bërë këto kontrata më keq se ajo. Ku ishje – asgjekundi, çfarë bëre – asgjë!
Po i referohemi kontratave koncesionare dhe marrëveshjevetë tjera të kësaj natyre (PSA) në fushën e industrisë nxjerrëse, veçanërisht të sektorit hidrokarbur, për të cilat kompanitë private dhe qeveritë citojnë rregullisht klauzolat e konfidencialitetit për t’i rezistuar thirrjeve për transparencë, duke i mbështjellëato me një mister. Paradoksi qendron në faktin që, nga njera anë traktatet, ligjet, rregulloret dhe dokumentet e tjera ligjore që përcaktojnë marrëdhëniet ndërmjet qeverive dhe kompanive private janë dokumente të njohura publikisht, ndërsa nga ana tjetër kontratat për nxjerrjen e naftës, gazit dhe mineraleve të lidhura mes qeverive dhe industrive nxjerrëse mbahen të fshehura në mister. Kjo përmban në vetvete edhe një kulturë të mosndëshkimit, pasi zyrtarët publikë nuk mbajnë përgjegjësi për marrëveshjet e diskutueshme që bëjnë. Por ky sekret mbahet larg vetëm nga opinioni i publikut, sepse kompanitë private të interesuara (të huaja e të vendit) i njohin në përgjithësi kushtet e një transaksioni dhe madje edhe tekstin e kontratave gjoja sekrete. Njihet që brenda këtij sekreti fshihen edhe paaftësia, menaxhimi i dobët dhe korrupsioni.
Transparenca e kontratës është një kusht prioritar dhe thelbësor për të siguruar të gjitha palët të përfitojnë nga industria e hidrokarbureve.
Tashmë ka lindur një lëvizje globale drejt transparencës, sidomos në vendet prodhuese të naftës, të zhvilluara dhe në zhvillim. Ka më se një dekadë që kur ka lindur Iniciativa e Transparencës së Industrisë Nxjerrëse (Extractive Industries Transparency Initiative -EITI ) dhe po rritet numri i vendeve që po e nënshkruajnë. Thelbi i EITIështë transparenca e kontratës, transparenca e të ardhurave dhe transparenca e shpenzimeve të këtyre marrëveshjeve.Transparenca e të ardhurave po bëhet normë globale. SHBA, BE-ja dhe Norvegjia kanë futur ligje të reja të cilat kërkojnë që kompanitë e regjistruara ose të shënuara brenda juridiksionit të tyre të publikojnë të gjitha pagesat materiale për qeveritë e huaja. Transparenca e kontratës është e rëndësishme për të siguruar në se ato i përmbahen plotësisht ligjeve, përfitimet e vendit të jenë maksimizuar dhe komunitetet të krijojnë bindjen se qeveria është duke vepruar në interes të qytetarëve.
Sektori i naftës kudo konsiderohet se është i prirur për keqmenaxhim dhe abuzim, për shkak të madhësisë së të ardhurave, natyrës së sektorit-enklavë të tij me pak njerëz të përfshirë dhe, kompleksitetit të marrëveshjeve fiskale. Është një konstatim në shkallë botërore se, për shkak të strukturave komplekse dhe shpesh të fshehta të pronësisë të kompanive nxjerrëse, ato kanë tendencë për të zhvilluar marrëdhënie të pandershme dhe të fshehta me zyrtarë të qeverisë si dhe të angazhohen në veprime të paligjshme të tilla si evazioni fiskal, favorizimi i miqve dhe nepotizmi. Pa transparencë, qytetarët nuk mund të sigurohen nëse të ardhurat nga nafta kanë kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik. Sot, më se 50% e marrëveshjeve për kërkimin dhe prodhimin botëror të hidrokarbureve ndjekin disa forma të regjimit të marrëveshjeve me ndarje prodhimi (PSA), por të lidhura me kompani të mirënjohura në botë.
Po i referohem sektorit tonë të naftës dhe gazit që njoh mirë profesionalisht, (edhe marrëveshjet e lidhura), ku mendoj se problemi i transparencës së koncesioneve dhe marrëveshjeve të tipit PSA është më problematik. Kërkesa thelbësore për një kompani nafte që kërkon të futet në një Marrëveshje Hidrokarbure (rasti ynë PSA) është që “Kontraktori të ketë njohuri teknike dhe përvojë teknologjike, ekspertizë administrative dhe menaxheriale, si dhe burimet financiare të nevojshme që në mënyrë efikase të zhvillojë dhe të prodhojë rezervat e naftës në Zonën e Kontratës”. Dihet që Marrëveshjet me Ndarje Prodhimi (PSA) të aktivizuara pas vitit 2005, për ri-zhvillimin e të gjithë vendburimeve ekzistuese të naftës e gazit të vendit tonë u bënëme kompani që nuk i plotësonin këto kushte për tu licensuar.Shikoni tani maratonën që po ndodh me këto marrëveshje, të cilat po kalojnë nga njera dorë në tjetrën sa hap e mbyll sytë. Kjo nuk ndodh në vende të tjera. A mund të flitet për konfidencialitet dhe sekret në këtë rast, veçse ky sekret është mbajtur vetëm për qytetarët shqiptar, pronarët real të burimeve të naftës e gazit. Çfarë informacioni kanë marrë qytetarët tanë për këto marrëveshje- referuar EITI?! Thuajse asgjë, madje janë mbajtur larg sikur iu është thënë “s’ka ç’të duhet ty – ka kush merret me to?!”. Aq shumë është bastarduar tek ne konfidencialiteti i kontratave të tipit PSA të lidhura për ri-zhvillimin e vendburimeve ekzistuese të naftës e gazit (në një farë mase edhe për ato për kërkim-zbulimin e hidrokarbureve), sa që është mbajtur sekret edhe informacioni për identitetine kompanisë se çfarë përfaqëson dhe çfarë aktiviteti ka patur më parë.Si mund të quhet kjo normale!
Përfshirja e Shoqërisë Civile
Si një element i rëndësishëm për të nxitur dhe realizuar Transparencën e kontratave (marrëveshjeve) të tipeve të ndryshme në vendet prodhuese të naftës është vlerësuar dhe kërkuar angazhimi i Shoqërisë Civile. Me sa di unë, ky është një element i ri për Shoqërinë Civile të vendit tonë, prandaj po rendis disa drejtime konkrete ku shoqëritë civile zhvillojnë aktivitetin e tyre në mjaft nga këto vende.
Së pari po i referohem kriterit të pestë të Extractive Industries Transparency Initiative –(EITI), i cili përcakton në mënyrë të qartë se shoqëria civile duhet të jetë “e angazhuar në mënyrë aktive si pjesëmarrëse në hartimin, monitorimin dhe vlerësimin e këtij procesi dhe të kontribuojë në drejtim të debatit publik”.
Mungesa e njohurive të thella të sektorit të naftës dhe gazit është një pengesë për pjesëmarrjen efektive te shoqërisë civile në procesin e zhvillimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen efektive te shoqërisë civile te institucioneve publike.Prandaj për të rritur partneritetin efektiv mes shtetit dhe shoqërisë civile në menaxhimin e duhur të të ardhurave të naftës, ka nevojë për të shkëmbyer informacion mbi praktikat më të mira në qeverisjen e burimeve të naftës përmes takimeve konsultative dhe dialogut të palëve të interesuara.
Organizatat e Shoqërisë Civile luajnë një rol aktiv në qeverisjen e naftës duke organizuar konferenca për shtyp dhe takime konsultative, duke bashkuar institucionet qeveritare, mediat, akademikët dhe grupet e tjera të interesit publik për të diskutuar dhe për të zhvilluar strategji proaktive mbi menaxhimin e naftës për avantazh të qëndrueshëm dhe afatgjatë të të gjithëve. Roli monitorues i shoqërisë civile në sektorin e naftës nuk duhet të neglizhohet.
Disponueshmëria e një sistemi efektiv të gjykatave, që do të përdoren nga shoqëria civile në situata të shpenzimeve qeveritare të padrejta dhe të përvetësimeve të kryera më parë, përbën një element kyç për suksesin e shoqërisë civile me ndikim.
Organizatat e Shoqërisë Civile rekomandojnë fuqishëm që ligji të përfshijë dispozita për deklarimin e detyrueshëm të perfitimeve nga pasuria në zotërim prej të gjithë të licencuarve.
*Kontribuues 42 vjet me studime në InNG, k/gjeolog në Dr. Përgj.N. Patos, në Komitetin e Shkencës dhe Teknologjisë, drejtues i sek. politikave të zhvillimit të hidrokarbureve në Ministrinë Energjetikës & Industrisë, etj.
