Koncesionet e privatizimet për t’u shbërë

redaktor

Privatizimi i katër hidrocentraleve të mesëm në luginën e Matit dhe në lumin e Bistrices ishte praktikisht një borxh i fshehtë që qeveria e porsaikur mori, për të paguar investimet që shpresonte se do t’i jepnin vota. Të katër hidrocentralet janë thjesht dhe vetëm struktura me kosto shumë të vogël që pjellin para me prodhimin e tyre. Ato janë aktualisht në gjendje të plotë prodhimi dhe nuk kanë ndonjë problem menaxhimi, pasi KESH i ka menaxhuar këto impiante që nga krijimi i tyre. Kompania private që i bleu me çmimin diçka më shumë se 100 milionë euro, do të mund ta nxjerrë çmimin e blerjes në më pak se 7 vjet, pse hidrocentralet kanë  normë vjetore fitimi prej 15 për qind. Në këto kushte, asnjë qeveri nuk shet një aset të tillë në botë, por qeveria e mëparshme shqiptare e bëri. Ky përbën një krim ndaj ekonomisë së vendit dhe interesave të shqiptarëve, pse këto hidrocentrale do të jenë në gjendje të mirë pune edhe pas 10 vjetësh dhe paratë nuk ka pse t’i vjelë privati, por duhet të shkojnë për shërbime publike. Nga ana tjetër,  privatizimi i këtyre hidrocentraleve nuk pritet të sjellë ndonjë përmirësim në efiçencën e përdorimit të tyre. Paratë e shitjes që qeveria e papërgjegjshme e deri 9 shtatorit 2013 arkëtoi do të funksionojnë si një borxh i jashtëm me interes shumë të lartë për ekonominë tone, ne rast se ky privatizim nuk anullohet, pasi gjatë njëzet apo tridhjetë viteve të ardhshme fitimet e realizuara nga tregu shqiptar do të shkojnë jashtë vendit. Po ashtu, në qershor të një viti më parë, një tjetër veprim i qeverisë së porsaikur dëmtoi shumë ekonominë shqiptare. Qeveria ia dha për vetëm 3 milionë euro koncesionin e llotarisë kombëtare një kompanie private, në një garë që u kontestua nga të paktën dy shoqëri të huaja, për shkak të kritereve kufizuese që deformonin dhe shpërbënin konkurrencën. Nga ana tjetër, në rast se llotaria kombëtare do të mbahej publike dhe do të organizohej nga një strukture shtetërore që do të kontraktonte kompani eksperte për kryerjen e saj, fitimi vjetor do të ishte të paktën dy herë më i madh nga çmimi me të cilën u dha liçenca. Këto dy raste privatizimi e koncesioni janë flagrante në padobinë e tyre për shqiptarët. Përkundrazi, dallohen për dëmin e jashtëzakonshëm të sjellë në ekonominë e vendit. Akuzat për procese klienteliste e mungesë të theksuar transparence në tenderim janë dytësore, përpara dëmit të shkaktuar ekonomisë. Ky dëm duhet ndrequr menjëherë dhe këto veprime të një qeverie të papërgjegjshme duhen zeruar sa më shpejt nga qeveria e re.

 

E majta nis qeverisjen, ja privatizimet që pritet të anulojë

Tashmë e majta ka marrë legjitimisht qeverisjen e saj. Ka një program mbi të cilin do të punojë në katër vitet e ardhshme. Por cfarë do të quajnë të gabuar nga qeverisja e Berishës dhe çfarë do të anulojnë në privatizimet dhe koncensionet që mbajnë era korrupsion? Gjatë opozitës së djeshme, kryeministri i sotëm Edi Rama, por edhe deputetë të PS-së u ndalën në mënyrë të drejtë se do të anulojnë të gjitha privatizimet e paligjshme, do të rishikojnë koncesionet, do të anulojnë tenderat e paligjshëm për shitjen e HEC-ve, do anulojnë Lotarinë Kombëtare etj. Sipas socialistëve, një prej dështimeve më të rënda e më të pafalshme të qeverisë aktuale është shkatërrimi edhe i pasurive kombëtare natyrore, pronë e gjithë shqiptarëve.

Kryeministri i ikur  jo vetëm që nuk diti t’i mbrojë, por ka vënë në rrezik ekzistencën e burimeve më të rëndësishme, si ato të Kromit, Naftës, Gazit, Ujin, duke cenuar dobishmërinë e tyre për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Sali Berisha as që kishte ndërmend që pasuritë natyrore të Shqipërisë t’i shfrytëzonte në dobi të të gjithë shqiptarëve. Por i dha  me koncesione aspak transparente, totalisht korruptive, nga të cilat përfitojnë vetëm një grup i ngushtë njerëzish i lidhur me familjen në pushtet, nën moton shfrytëzo e shkatërro! Sali Berisha premtoi subvencione për investime në teknologji inovative, fonde mbështetëse për SME në sektorin e  shfrytëzimit të pasurive natyrore por asnjë qindarkë nuk është parë akoma. Statistikat e socialistëve në argumentimin e anulimit të koncesioneve dhe privatizimeve janë tronditëse. Për shembull, le të shikojmë aferat me koncesionet minerare, që kanë marrë e vazhdojnë të marrin jetë  në minierat e Bulqizës. Kanë humbur jetën tragjikisht në galeritë e tyre më shumë se 30 shqiptarë gjatë kësaj qeverisje. Nëpërmjet koncesioneve të kromit janë zhdukur dhjetëra miliona USD. Bazuar në statistikat zyrtare 100 mijë tonë naftë vidhen çdo vit, duke ikur kështu nga duart e qytetarëve dhe nga buxheti i shtetit. Pjesa e eksplorimit është edhe më e prapambetur, pasi në 20 vjet nuk është zbuluar asnjë pikë naftë e re, por vetëm janë shfrytëzuar burimet e mëparshme. Pa folur këtu për dështimin e privatizimit të pasurive kombëtare strategjike siç është nafta. Janë mbi 300 koncesione në vepra hidroenergjetike që janë dhënë nga qeveria e Berishës. Privatizimi i 4 HEC të Ulzës, Shkopeti, dhe Bistricës 1 dhe 2, është, padyshim, një nga skandalet më të mëdha të qeverisë Berisha. Rama ka theksuar se pas 23 qershorit, kryesorja që do të bëjë PS-ja kur të vijë në pushtet do të jetë rishikimi i të gjitha koncesioneve. “Do të zhbëjmë çdo koncesion që nuk është në përputhje me ligjin dhe pro, interesave kombëtare. Do të rishikojmë shitjen e HEC-eve për një copë bukë; do t’i heqim të gjitha referencat aktuale në dogana” , ka thënë Rama ndër të tjera, duke folur edhe për monopolet, gjobat, kontrollet, presionin mbi biznesin. Tashmë kryeministri e mori dekretin e tij dhe besojmë do të ketë mundësi të nisë të shohë me lupë financat publike që përfunduan në këtë gjendje për shkak te keqqeverisjes së kaluar, klientelizmit dhe shitjes pa kriter të pasurive kombëtare.

Lotaria  Austriake

Lotaria Austriake, e shoqëruar me polemika të forta sa i përket tenderit që i dha kompanisë austriake “Austrian Lotteries” monopolin dhjetëvjeçar të lojrave të fatit, kundrejt çmimit simbolik 3.5 milionë euro, u prezantua më 10 prill 2013 zyrtarisht para publikut shqiptar. Opozita kundërshtoi rreptë në seancën e Kuvendit të datës 4 mars dhënien e licencës për Lotarinë Kombëtare kompanisë, “Austrian Lotteries” duke akuzuar se tenderi ka qenë jo transparent. Deputeti i PS, Taulant Balla akuzoi qeverinë për afera korruptive, ndërsa ka paralajmëruar se kur socialistët të vijnë në pushtet do ta anulojnë.  “Është kurruptive, pasi është pazar i mbyllur shumë kohë më parë që të zhvillohet tenderi. Kriteret që Berisha përdori në tenderin e dhënies së kësaj licence ishin përjashtuese. Qeveria vendosi si kriter disponimin e dy certifikata për blerësin. Këto certifikata lëshohen nga shoqata botërore kombëtare, ndaj u përjashtuan lotaritë me famë botërore. Qeveria nuk vendosi çmimin, por e caktoi çmimin e fiksuar, vetëm këta mund të bëjnë një gjë të tillë, që të fiksohet çmimi 3.5 mln euro. Shqipëria ka vendosur çmim më të ulët në botë për shitjen e licencës. Pretendimet e kësaj qeveria të korruptuar se çmimin e ulët do e kompensojë më taksa të larta ndaj kompanisë fituese janë mashtrime. Qeveria thotë se përveç taksave të zakonshme do të pagojë një tatim shtesë mbi 10%. Është dëmtuese për buxhetin e shtetit dhe akt korruptiv, në këtë kontratë ka shkelje të mjaftueshme për ta anuluar pas 23 qersorit, dhe ka vend për hetim të plotë dhe vënien para përgjegjësive të të kësaj adminsitrate te korruptuar”, tha Balla. “Kemi marrë një angazhim. Ka një Lotari Kombëtare si askund tjetër i është dhënë një subjekti privat, pra gjithë populli shqiptar do hyjë në lojë dhe nga përfitimin i asaj loje do fitojë një subjekt privat. Ndërkohë që në gjithë botën normale populli hyn në lojë, por nga fitimet e lojës që quhet Lotari Kombëtare, fiton përsëri publiku në formën e investimeve për sportin, për kulturën, për trashëgiminë kulturore dhe rininë. Ne do bëjmë pikërisht këtë gjë, ne Lotarinë Kombëtare do t’ia kthejmë publikut. Do t’i japim mundësi edhe sportit që të përfitojë nga të ardhurat e kësaj lotarie”, ishte një nga deklaratat e kryeministrit të ri, bërë gjatë fushatës zgjedhore të para 23 qershorit.

Koncesionet dhe privatizimet

Më 27 Dhjetor, 2012 Kryetari i PS paralajmëroi zhbërjen e të gjitha koncesioneve në  naftë dhe energjetikë. S’do njohim privatizimin e HEC-ve, tha ai. “Partia Socialiste do të rishikojë të gjitha privatizimet dhe do të zhbëjë ato koncesione që nuk kanë transferuar të drejtat dhe nuk kanë përmbushur angazhimet e tyre”.  Ky ishte premtimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhënë në selinë rozë gjatë bashkëbisedimit të fundit me gazetarët për vitin 2012. Kryesocialisti u përqendrua gjatë fjalës së tij kryesisht në modelin ekonomik dhe social të qeverisë aktuale, të cilin Rama e cilësoi të dështuar dhe premtoi një model të ri që do të vijë përmes programit “Rilindja Shqiptare”. Rama u ndal kryesisht në procesin e privatizimit dhe dhënies me koncesion të pasurisë kombëtare. Sipas kryesocialistit, duhet të rishikohen koncesionet e dhëna nga qeveria e sotme, pasi ato tregtohen në treg të zi. “Janë dhënë mbi 300 koncesione për HEC-e. Nuk do lejojmë që këto pasuri të grabiten. Privatizimi i tyre bëhet për të mbushur arkën e boshatisur të shtetit”, tha ai. Duke folur për 4 HEC-et, Bistrica 1, Bistrica 2, Ulza dhe Shkopeti, Rama ka deklaruar se nëse ai vjen në pushtet, nuk do ta njohë këtë privatizim. Ndërsa deputeti Erjon Braçe ka deklaruar se “Do i zhbëjmë të gjitha kontratat ekstraligjore politike dhe klienteliste”

Anulim gjobave të vëna 4 muajt e fundit

Kryetari i Partise Socialiste Edi Rama ka premtuar faljen e gjobave që janë vendosur gjatë 4 muajt e fundit nga institucionet e shtetit. Në fjalimin e mbajtur në Elbasan më 16 maj të këtij viti, Rama u shpreh se qytetarët duhet t’i ruajnë këto gjoba si dëshmi e betejave të qytetarëve me qeverinë e korruptuar. “Ne zotohemi se nuk do te njohim asnjë gjobë që është vendosur në 4 muajt e fundit përpara 23 qershorit. Madje, çdo njeri që ka marrë një gjobë që nga fillimi i muajit mars duhet ta mbajë atë me krenari si një certifikatë në betejën me këtë regjim të korruptuar, që qëndron lidhur pas pushtetit dhe në mënyrën më të pashpresë mundohet të kapet pas këtyre formave si i mbyturi pas fijes së barit”, u shpreh Rama. Ai u shpreh se presioni i qeverisë po bëhet me gjoba që u vendosen fshatarëve që jetojnë me drutë e pyllit e “deri tek gjobat për biznesmenët e vegjël dhe për sipërmarrësit e mëdhenj”.

 

Privatizimet e kontestuata nga opozita e djeshme

 

Lotaria Kombëtare

Koncesioni i Portit të Durrësit

Privatizimi i kabinave të Divjakës

Privatizimi i konviktit të Gjuhëve të Huaja

Nafta

Tentativë për shitje dhe skandalet në “Albpetrol”

Rishitja e aksioneve të ARMO-s

Koncesioni për ngjyrosjen e karburanteve

 HEC-et

Kontrata e shitjes së HEC-eve Ulëz-Shkopet, Bistrica 1 dhe 2

HEC-et e dhëna për familjarë të zyrtarëve të PD-së

 

Dërgesat e emigrantëve në minimalen historike; bien 33%

Të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri janë në nivelet më të ulëta historike në tremujorin e dytë të vitit 2013. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë, tregojnë që remitancat e emigrantëve janë më të ulëtat në këto 20 vite. Statistikat tregojnë se prurjet e emigrantëve për tremujorin e dytë ishin 105 milionë euro, niveli më i ulët historik, që nga viti 2004, kur Banka e Shqipërisë publikon të dhënat. Për gjashtëmujorin e parë, remitancat ishin vetëm 228 milionë euro, me një rënie prej 33 për qind në raport me periudhën janar-qershor 2012. Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë. Remitancat e emigrantëve përdoren kryesisht për financimin e konsumit në vend. Tkurrja e tyre u ndie dhe në verën e këtij viti, teksa monedha vendase nuk fitoi pikë ndaj euros, siç ndodhte rëndom në këtë periudhë, kur një pjesë e emigrantëve vinin për pushimë në vendin mëmë. Aktualisht pesha e tyre ka rënë nën 7 për qind të Prodhimit Kombëtar. Tkurrja e fortë e dërgesave që familjet shqiptarë përfitojnë nga të afërmit e tyre në emigracion është cilësuar, si një nga arsyet kryesore të ndrydhjes së konsumit në vend, duke ulur rritjen ekonomike në nivelet më të ulëta që nga viti 1997. Por jo vetëm kaq. Për shumë familje ato janë burim jetik të ardhurash. Sipas një vrojtimi të realizuar nga Banka Qendrore ne vitin 2009, në Shqipëri përfitojnë dërgesa të rregullta nga jashte rreth 160 mijë familje dhe 26 për qind e tyre nëse nuk do t’i kenë këto të ardhura bien nën nivelin e varfërisë.

Share This Article
5 Comments
  • Jo vetem anullim te tenderave korruptive, por dhe ndeshkim te atyre qe i bene keto tendera, ndeshkim shembullor, qe ata qe do te vijne neser, te mendojne dhjete here se dikur vjen dita qe do te japin llogari.
    Ndeshkim me burg dhe sekuestrim pasurish, kjo eshte ajo qe pergjegjesit hajdute, duhet te marrin.
    Ne qofte se nuk ka ndeshkim, atehere do te krijohet ideja se bej vfare te duash, se shqiptaret ste bejne gje.
    Ndeshkimi duhet te filloje me rrugen Durres-Kukes-Morine, hajdutet duhet te kthejne parate.
    Ndeshkimi duhet te vazhdoje me denimin dhe sekuestrimin e te gjitha pronave te vrasesve te Gerdecit.
    Ndeshkimi duhet te vazhdoje me vrasesit e 21-janarit dhe urdheruesit e tyre, dhe sidomos ai bythdylekshi qe zhduku regjistrimet e kamerave. ai duhet te denohet me burgim te perjetshem, per prishje te provave.

  • Kujdes RAME se do te hyshe ne konflik interesi me aleatin tend,ILIR bllokun,
    se disa nga ato koncesione i ka firmosur LSI.

    Apo do te besh ndonje perjashtim per hire te bashke-qeverrisjes hahahahah

    Qeverri e re me kliente te rinj.

  • Te anullohet dhe privatizimi i O.S.SH se, Operatori i Sistemit te SHperndarjes,te energjise elektrike te Shqiperise. Une per kete privatizim skandaloz,ku humbja apo vjedhja esht mbi 600 miljon ,Euro,kam hapur proces ne Gjykaten e Tiranes,perpara se qeveria hajdute dhe parlamentaret e korruptuar ,ta privatizonin e ti a jepnin C E Z it.Kam kerkuar perpara Gjykates , Anullimin e ketij privatizimi ,si anti ligjor,sepse te gjitha aseteve,ne masen 100 per qind, te tyre ,u eshte ulur vlera reale e tregut, nga gjashte deri dhjete here, dhe humbja qe pesoj vendi jone eshte mbi 600 miljon, euro.Argumentet i kam shpjeguae ne Kerkes Padine ,qe une kam bere prane Gjykates ne Tirane ,me 30 dhjetor 2008, .Privatizimi u krye me pas ,me 23 Mars 2009,me propozim nga qeveria dhe u miratua ne Parlament.Une ne kete kohe isha na pune ne drejtorine e Auditit ne K.E.SH,sha, Tirane, sot jam azilant politik ne Europe, si pasoje e nje aksidenti automobilistik, e me pas prokuroria e Tiranes,me hapi proces per te me burgosur,se gjoja une kisha ofenduar juristin e K.E.SH.it. Sot kjo ceshtje ndodhet per gjykim prane Gjykates se Larte ne Tirane,Ju bej thirrje ,Parlamentit te Ri dhe gjithe popullit shqiptar,te anulloj kete privatizim, se do te ngeleni ,muhaxhir ne vendin Tuaj qe quhet Shqiperi. Une kam bere vetem detyren ,perpara bashkekombasve te mij, Ju pershendes nga larg, Dashnor Kozaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *