Koncesionet, sa pak të ardhura dhe të punësuar!

Saimir Lleshi

Pas shfrytëzimit të naftës, kromit e bakrit, pasaportave për jashtë, të aeroportit apo të terminalit të trageteve në Durrës, pullat fiskale, e deri në skanimin e mallrave në dogana, tashmë po jepen me partneritet publik-privat edhe shërbime për të cilat shteti funksionon në thelb (të cilit i paguajmë taksat) si administrimi i TVSH, shërbimeve spitalore e të tjera.

Ndërsa ishte e pashmangshme që disa pjesë të ekonomisë të jepeshin me koncesion, sidomos në vitet e para të tranzicionit, kur sipërmarrjeve vendase u mungonte kapitali, përvoja dhe njohuritë e nevojshme, pak është folur dhe analizuar se sa vlerë të shtuar i ka dhënë ekonomisë kjo sjellje për të “shitur” gjithçka këto 25 vitet e fundit. Përshpejtimi i ritmeve të kësaj manie e bën të domosdoshme të ndalemi e të kthejmë kokën pas për të bërë një raport kosto-përfitim të koncesioneve të dhëna deri tani.

Të dhënat nga bilancet e 14 operatorëve kryesorë koncesionarë në vend, disa prej të cilëve janë aktivë prej vitesh, tregojnë se teksa ata realizuan një xhiro prej rreth 700 milionë eurosh në 2014-n (rreth 6-7% e asaj që ekonomia prodhon në një vit), kanë paguar vetëm 2.7% të totalit të tatim fitimit të vitit në fjalë, ndërsa kanë rreth 3000 të punësuar, vetëm 1% e totalit të të punësuarve në vend, sipas INSTAT (shiko skedën e koncesioneve).

Renta e paguar nga kompanitë që shfrytëzojnë naftën dhe pasuri të tjera natyrore nuk i ka kaluar 100 milionë euro, apo rreth 3-4% të totalit të të ardhurave në buxhet, ndërsa eksporti i burimeve natyrore, pa vlerë të shtuar, së gati një të tretën e totalit të shitjeve jashtë vendit. Shifrat tregojnë qartë se është absurde sa pak përkthehet pesha e stërmadhe që zënë koncesionet në ekonomi, në rritjen e mirëqenies për qytetarët shqiptarë.

Vendi është një shembull i gjallë i “mallkimit të pasurive”, një term i njohur në botë që i referohet paradoksit që vendet në zhvillim me burime të shumta natyrore, veçanërisht ato jo të rinovueshme si minerale dhe lëndë djegëse, tentojnë të kenë më pak rritje ekonomike dhe zhvillim më negativ në raport me shtetet që kanë më pak burime natyrore.

Shqipëria është në fakt shteti më i pasur me burime në rajon, por renditet e fundit në pothuajse të gjithë treguesit, të ardhurat për frymë, mjedisin për të bërë biznes, konkurrueshmërinë, novacionin, sofistikimin etj.

Dy absurditete ekstreme u konstatuan. Kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë natyrore të vendit qarkullojnë shuma të mëdha, por vijojnë të rezultojnë me humbje të larta. Sipërmarrjet e tjera, që i gëzohen avantazhit të një tregu monopol apo të kufizuar, po rriten me ritme të shpejta e në disa raste të papenguara nga kriza, duke rezultuar me norma të larta fitimi. Dhe janë këto fitime që, në pjesën më të madhe nuk riinvestohen në vend, por transferohen te mëmat. /Monitor/

Share This Article
1 Comment
  • Akoma nuk I kam kuptuar keta njerez qe vetem anatemojne principet e ekonomise se lire… Duan valle te kthehemi ne kohen e Enverit dhe ti shtetezojme keto kompani..Jane konstatime militantesh populiste pa sens..Mbase duhet te kuptojne qe te punesuarit ne keto kompani jane shume me teper sepse duhen llogaritue edhe ato qe lidhen me to..psh transporti, kontrolli, Siguria etj..keta qe shkruajne keto gomarlleqe kane ngelur ne kohen e dudumit..dhe jo te globalizimit…Botuesi I Monitor, Mond Leka, te na tregoje si morì drejtorine e INSIG ne 2004 dhe shiste tek insig produktet western union…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *