Tenderi për dhënien me koncesion te 4 hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2 dhe Shkopet-Ulëz që duhej të zhvillohej më datë 10 Dhjetor nuk është zhvilluar dhe është shtyrë për në datë 21 Dhjetor. Edhe kësaj here, asnjë nga kompanitë që kishte tërhequr formularët e aplikimit nuk ka paraqitur interes. Arsyet janë kriteret e forta të vendosura nga qeveria shqiptare për dhënien me koncesion te veprave energjetike. Kompanitë duhet të lënë garanci 10 milionë euro për pjesëmarrje, duhet të kenë një përvojë minimale prej 20 vjetësh në këtë sektor, si dhe të kenë në pronësi një ose më shumë vepra energjetike me një fuqi të lartë prodhimi.
Megjithatë, nuk duket se janë vetëm këta faktorët që kanë ndikuar në mosrealizimin dhe shtyrjen e mëtejshme të tenderit. Situata komplekse energjetike në tërësi, ku operatorët kryesorë janë të ndërlidhur në një zinxhir borxhesh dhe detyrimi sipas ligjit shqiptar për energjinë, të shitjes së prodhimit ndaj KESH me çmime të paracaktuara, ka bërë që investitorët të humbasin interesin për këto vepra. Qeveria shqiptare e ka të vështirë të pranojë dështimin, duke lajmëruar shtyrje të afateve kohorë për zhvillimin e ankandit. Tenderi i parë duhet të zhvillohej gjatë muajit Maj, por ai u shty, pasi ministria vlerësoi si tepër të ulëta ofertat që arrinin deri në 80 milionë euro. Ndërsa, në tenderin e dytë të muajit Shtator, kompanitë nuk dorëzuan oferta, por kërkuan një përmirësim të kushteve të dhënies me koncesion. Burime nga Ministria e Ekonomisë kanë bërë të ditur për RTV SCAN që para dy javësh se, nuk ka një afat të përcaktuar për dhënien me koncesion. Kompanitë e interesuara janë të lira të tërheqin formularët e aplikimit dhe të dorëzojnë ofertat e tyre që do të shqyrtohen nga komisioni përkatës në çdo kohë. Vlerësimi aktual i këtyre hidrocentraleve arrin në rreth 250 milionë euro me 78 MW fuqi të instaluar që kanë në total dhe një prodhim mesatar vjetor prej 550 mijë MW/h.