Rezoluta çame e dorëzuar në Kuvend nga PDIU që vitin e kaluar nuk është në kalendarin e punimeve apo në programin tre javor të legjislativit. Kështu, e mbledhur paraditen e djeshme Konferenca e Kryetarëve përcaktoi të hënë ditën në të cilën do të zhvillohet seanca e parë parlamentare për vitin 2013, si dhe miratoi axhendën e punës së legjislativit përgjatë tre javëve. Por ajo që u vu re ishte sërish mospërfshirja e rezolutës çame. Por, një veprim i tillë, vjen i justifikuar me faktin se kjo rezulotë i është kaluar Komisionit për Politikë të Jashtme me qëllim që të japë ai vlerësimin, e më pas të ndiqen hapat e mëtejshme. Ndërkohë që të hënën mbahet seanca e parë e sesionit të ri parlamentar, me rend dite tre ligjet e bllokuara të integrimit. Konkretisht Ligji për Nëpunësin Civil, ai për Gjykatën e Lartë dhe Rregullorja e Palamentit. Brenda pak minuatash konferenca e parë për këtë sesion e kryetarve të grupeve parlamentare miratoi me konsensus programin dhe kalendarin e punimeve. Me vendim të kësaj mbledhje Komisioni i Ligjeve do të mblidhet sot për të diskutuar mbi dekretin e Presidentit, Bujar Nishani, për kreun e ri të ILDKP-së. Kështu, gjatë mbledhjes së sotme janë thirrur në seancë dëgjimore dy kandidaturat për këtë post, Zana Xhuka dhe Shkëlqim Gajo.