Shqipëria është zgjedhur si vendi ku do të zhvillohet takimi i 28-te i Konferencës Ndërkombëtare të Paqes, në datat 6-7-8 shtator e do të mbledhë përfaqësues të komuniteteve fetare nga e gjithë bota.
Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije te enjten se ceremonia e inaugurimit do të zhvillohet të dielën, më 6 shtator, në Pallatin e Kongreseve dhe do të kulmojë me marshimin në Bulevardin e Tiranës dy ditë më vonë.
“Aktiviteti do të organizohet në 3 ditë. Në ditën e parë do të jetë ceremonia e inagurimit në Pallatin e Kongreseve, dita e dytë do të karakterizohet nga bashkebisedimi dhe dialogu në panele të ndryshme, me dëshmi dhe histori të vërteta. Do të ketë histori rrënqethëse nga Siria, Libia dhe Iraku dhe vende të tjera do të përcjellin mesazhin se paqja do të triumfojë në botë. Dita e tretë do të jetë ajo qe do të ketë më shumë pjesëmarrarës qytetarë shqiptarë, pasi të gjithë së bashku do të jemi dëshmitarë të marshimit së paqes, që do zhvilohet në Bulevardin e Tiranës. Ndaj ju ftoj edhe njëhere që të merrni pjesë në këte aktivitet për të shprehur vullnetin e qytetarëve shqiptarë, që paqja duhet të mbizotërojë në botë”, nënvizoi Klosi.
Pyetjes se pse u zgjodh Shqipëria për organizimin e këtij aktiviteti, Klosi iu pergjigj se “Shqipëria zgjidhet si vendi që ofron një model të qëndrueshëm të paqes, Shqipëria zgjidhet sepse ofron vlera të patjetërsueshme të tolerancës fetare, Shqipëria zgjidhet si një vend që ofron paqe në rajon, dhe si një vend që një vit më parë u vizitua nga Papa Françesku dhe fjala e tij ishte inspiruese edhe për komunitetin e Sant’ Egidios për të zgjedhur Shqipërinë”.
