Konferenca Gjyqësore Kombëtare e ka shtyrë mbledhjen e saj të radhës, e cila ishte parashikuar të mbahej më 26 tetor.
Këshilli Ekzekutiv ka vendosur që ta shtyjë këtë mbledhje, por duke paralajmëruar se ajo do të mbahet brenda muajit dhjetor. Shkak është bërë reforma e nisur në drejtësi, e cila prek një pjesë të rëndësishme të këtij organi gjyqësor.
“Këshilli Ekzekutiv, në frymën e ndryshimeve kushtetuese të përgatitura nga Komisioni i Reformës në Drejtësi, bëri një analizë objektive dhe një vlerësim të situatës ligjore dhe institucionale.
Siç dihet, këto ndryshime i janë përcjellë për mendim Komisionit të Venecias. Këto ndryshime, ndër të tjera, prekin në mënyrë të qenësishme organizmin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, thuhet në njoftim.
“Për këtë arsye, Këshilli Ekzekutiv, në funksion të qartësimit të situatës lidhur me çështjet që prekin ndryshimet e pritshme kushtetuese, vendosi që të shtyjë zhvillimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, me mundësinë e realizimit të saj brenda dhjetorit të këtij viti”, thuhet më tej. /Dita/