Kryeregjistruesi i Republikes, Ilirjan Muho po merr pjesë në Konferencën vjetore të Bankës Botërore me temë “Toka dhe Varfëria”,e cila po zhvillohet në Uashington te Shteteve te Bashkuara te Amerikës. Në ditën e parë të punimeve të kësaj konference, kreu i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Muho, zhvilloi një takim me Drejtorin e Projektit të Bankës Botërore për “Regjistrimin Fillestar” të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri, Gavin Adlington. Gjatë këtij takimi Muho dhe Adlington shkëmbyen pikëpamje mbi ecurinë e projektit LAMP në dy komponentët e tij: regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme dhe informatizimi i sistemit të regjistrimit. Në fjalën e tij, Muho tha se jemi të vendosur për ta përmbyllur me sukses projektin e nisur prej 7 vjetësh me financimin e Bankës Botërore. Edhe pse ky projekt nuk ka pasur ecurinë e duhur në vitet e mëparshme, tashmë Zyra Qendrore dhe Zyrat Vendore te Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë të fokusuara në përmbushjen e objektivave të këtij projekti, i cili do të bënte të mundur regjistrimin e afërsisht 400 mijë pasurive në vendin tonë.
