Me anë të një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare, Konfederata e Industrive të Shqipërisë shprehet se kërkesën për shtyrjen e procesit të fiskalizimit e mbështet në shqetësimet e sipërmarrjes, në historikun e dështimeve të përsëritura të luftës kundër informalitetit dhe paqartësitë e dukshme të zbatimit.
“Në rast të kundërt rrezikojmë qartësisht të kemi një proces të rradhës të dështuar dhe korruptiv fiskalizimi, me përfitues vetëm një grup biznesesh zbatues të licencuar nga ekzekutivi dhe humbëse sipërmarrjen dhe ekonominë kombëtare” thuhet në deklaratë duke shtuar se “Shqipëria si asnjë vend tjetër në rajon dhe BE ka eksperimentuar shumë herë në një kohë të shkurtër ndryshimet ligjore të sistemeve të fiskut”.
Konfindustria thekson se informaliteti i lartë i pandryshuar i ekonomisë dhe shkalla më e ulët në rajon e mbledhjes së të ardhurave buxhetore, janë tregues të qartë, se reformat e deritashme kanë qenë të pasuksesshme. Në cdo rast zbatimi i proceseve strategjike fiskale të ngjashme në vendet e zhvilluara të BE kërkojnë shumë më tepër kohë.
Konfindustria shton në deklaratë se procesi i fiskalizimit të përshpejtuar brenda vitit 2021, rrezikon të ketë vetëm kosto shtesë, sidomos kategorinë e biznesit të ashtuquajtur të vogël, pa prodhuar asnjë përfitim të prekshëm për ekonominë dhe sipërmarrjet në tërësi pasi shqetësues janë edhe paqartësitë ligjore nga vetë agjensitë shtetërore përgjegjëse në rastet e trajtimit të pasojave teknike të fiskalizimit. Paqartësitë ligjore të zbatimit rrezikojnë të shndërrohen në gjoba të paarsyeshme për bizneset dhe burim korrupsioni.
