Deputeti Tom Doshi i konsideruar si superdeputeti i Veriut, ka qenë në një konflikt të vazhdueshëm me administratën e pas 23 Qershorit lidhur me pretendimet e tij për më shumë vende pune, emërime, lehtësi për biznesin dhe trafik influence.
Në një vështrim të shkurtër mbi raportet e tij me administratën, rezulton se ai ka qenë në konflikte të vazhdueshme me ta dhe ka mundur të ruaj influencën e tij duke iu imponuar.
Disa prej ministrave që kanë qenë në qendër të sulmeve të Doshit, kanë qenë fillimisht ai i Shëndetësisë, i Punëve të Jashtme, i Arsimit dhe ai i Brendshëm.
I pari, që i hapi rrugë në emërime ishte ai i Shëndetësisë. Doshi arriti të vendosë në poste kyçe tek Agjensia e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe në ISKSH njerëzit e tij, të cilët i hapën rrugë lulëzimit të biznesit të Profarmës, të cilën ua ribleu investitorëve gjermanë që ua kishte shitur vite më parë. Bilanci i vitit 2014 tregon për një rritje të jashtëzakonshme të biznesit të tij. Këtu ka nisur dhe konflikti i parë me TaksaTatimet pasi ka qenë problemi i rimbursimit të TVSHsë në shumën 600 mijë dollarë për Profarmën.
Problemi ka qenë i komplikuar nga ana ligjore, pasi ilaçet janë mall që shiten pa TVSH, ndërsa lënda e parë merret me TVSH. Kështu TVSH ngel pa u rimbursuar.
Doshi ka kërkuar ta zgjidhë këtë çështje përmes Komisionit të Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, por nuk ka mundur ta konkretizojë atë në paketën fiskale të këtij viti dhe kjo ka rritur ndjeshëm tensionin mes tij dhe Ministrit të Financave dhe drejtuesve të Komisionit të Ekonomisë.
Një tjetër ministri problematike për të, ka qenë Ministria e Arsimit me emërimet në Shkodër, që çuan dhe në dorëheqje të një Drejtoreshe Arsimi. Konflikti në disa raste ka degjenruar në fyerje ndaj titullarëve të Ministrisë.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe me Ministrinë e Jashtme ku kërkesat kanë qenë kryesisht për shoferë apo punonjës të dorës së dytë në shërbimin diplomatik.
Por kryekonflikti i tij me ministrat, ka qenë ai me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në fillimet e mandatit për emërimet e policisë në Shkodër dhe sidomos Drejtorin e Policisë. Tahiri nuk i hapi rrugë propozimeve të tij dhe kjo shkaktoi dhe disa incidente publike të tij kundër Tahirit.
E njëjta tendencë për të kufizuar pushtetin e tij ka qenë dhe në Dogana dhe Tatime ku thuajse nuk janë emëruar njerëz të tij dhe kjo ka shkaktuar konflikte me dy drejtoreshat, të Doganave dhe Tatimeve.
Por tek rasti i Doganave problematika ka qenë më e nxehtë, pasi në një kompani ku Doshi ka qenë aksioner ka pasur një hetim doganor për fatura fallco nga Gjermnia dhe kompania ka hyrë në listën e zezë të doganave në Gjermani, gjë që ka shkaktuar një gjobë 1 miliardë lekë të vjetra shqiptare ose 1.1 milionë dollarë. Në penalitet përfshihej dhe prishja e tregut të brendshëm përmes faturave fallco.
Po ashtu konflikti me doganat u ashpërsua, ndërkohë që kompania e tij Profarma është bllokuar në dogana pasi pretendonte ta kalonte lëndën e parë pa TVSH, ndërkohë ligji i ri i TVSHsë nuk e parashikon përjashtimin. Kjo çështje rihapi nevojën që ia kishte për të ndryshuar ligjin e TVSHsë për lëndët e para të importuara për Profarmën për shkak se produkti përfundimtar shitet pa TVSH.
Doshi dyshon se ky ka qenë një veprim i qëllimshëm kundër biznesit të tij, ndërkohë që ajo ka qenë një praktikë e trashëguar nga qeverisja e kaluar, raporton Tema.
Të gjitha problemet e Doshit me administratën janë përplasur herë pas herë tek kryeministri Rama dhe ministrat e tij dhe sa herë që ato nuk kanë gjetur zgjidhje, ka pasur konflikte verbale mes tyre.

E di Toma cfare do!