Një parcelë toke që ishte e shtetëzuar është bërë shkak për një betejë të përgjakshme mes dy fiseve në fshatin Zhamë të Lushnjës dhe që mesditën e djeshme u mbyll tragjikisht me një të vrarë dhe 4 të arrestuar. Besnik Dingozi, 33 vjeç, mbeti i vrarë me armë gjahu teksa po mbillte disa rrënjë ulliri në gropat që kishte hapur. Policia arrestoi fillimisht tre kushërinjtë Haxhi, Skënder dhe Xhevahir Meta, ndërsa pak orë më pas ndaloi në afërsi të Kavajës gjatë ndjekjes edhe të katërtin, Kudret Metën, i cili dyshohet se është edhe autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në komunën Dushk.
Vrasja
Besnik Dingozi, 33-vjeç, ka qenë duke punuar në tokën që kishte zaptuar për ta kthyer nga pyll në bujqësore. Ai ka qenë i vetëm në arë në momentin që është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 13:00. Plagët ishin të rënda. Në ndihmë i erdhën familjarët pasi dëgjuan për sherrin dhe të shtënën e armës. Por megjithëse e dërguan në spital me urgjencë, pasi ndodhej afër, 33-vjeçari ndërroi jetë sapo mbërriti. Mjekët thanë se kishte plagë të mëdha në trup dhe hemorragji. Familjarët denoncuan si autorë të dyshuar pikërisht anëtarët e fisit Meta, ku tre prej tyre janë të së njëjtës familje, vëllezër. Motivi i krimit ka qenë grindja për pronësinë e disa dynymëve tokë që ishin përfituar nga familja Dingozi dhe që pretendohej gjithashtu nga Metajt.
Arrestimet
Menjëherë sapo mori informacionin për të shtëna arme dhe grindje, policia e Lushnjës shkoi në vendngjarje. Një grup tjetër mbërritën në spital. Pas identifikimit të viktimës dhe autorëve, si dhe sqarimit të rrethanave të krimit, u shpallën në kërkim katër kushërinjtë. Tre prej tyre u gjetën afër banesave dhe u shoqëruan si të dyshuar. Policia tha se janë të ndaluar Haxhi, Skënder dhe Xhevahir Meta, kurse pas dy orësh u kap në Kavajë edhe Kudret Meta, i dyshuari kryesor. Si provë materiale është sekuestruar edhe arma e gjahut çifte me të cilën është qëlluar viktima. Kurse akuza e ngritur është “vrasje me dashje”, në bashkëpunim. Mësohet se familjet ishin në konflikt prej disa javësh për pronën dhe dijeni kishte edhe komuna Dushk.
Le t’u kerkoje falje Berisha per 7501 viktimes dhe te arrestuarve !