Konkluzioni: “Doshi dhe Frroku donin që të arrestonin Ilir Metën”

Dita

Prokuroria e Përgjithshme zbardh arsyen përse deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, duke përdorur Durim Bamin, xhiruan nën kanosje videon 37 minuta dhe inskenuan atentatet e paguara me porosi të kryeparlamentarit. “Qëllimi ishte ndjekja e paligjshme penale ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta”, thuhet në raportin e firmosur nga kryeprokurori Adriatik Llalla, bashkangjitur urdhrave të ndalimeve për deputetët. Por pavarësisht zbulimit të synimit të dy ligjvënësve që “inatin” e kishin me kreun e LSI-së dhe donin ta dëmtonin atë nga ana juridike me një inskenim, prokuroria ende nuk ka zbardhur shkaqet e kësaj “qejfmbetjeje”. Kjo e panjohur mbetet ende objekt i hetimit që do të vijojë deri në plotësimin e dosjes për gjykim dhe sipas grupit hetimor, e vetmja pyetje që mbetet për t’u sqaruar është përse 2 deputetët sulmonin Ilir Metën.

 Urdhrat e ndalimit nga Llalla

Ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta si dhe Kodi i Procedurës Penale, në rastin e marrjes nën arrest, hetim apo procedim të një deputeti të Parlamentit, që gëzon imunitet dhe klasifikohet si zyrtar i lartë, e drejta për veprim juridik i takon vetëm Prokurorisë së Përgjithshme. Për këtë shkak, Prokuroria e Krimeve të Rënda ia kaloi dosjen organit qendror menjëherë sapo konstatoi se 2 deputetët Doshi dhe Frroku konsumuan vepra penale. Në këtë moment hetimet i merr në dorë vetë Kryeprokurori Adriatik Llalla, me urdhër dhe firmë të të cilit kryhen të gjitha veprimet ligjore, nga kërkesa në Kuvend për autorizim dhe heqje imuniteti, deri tek urdhrat e ndalimit. Edhe dy urdhrat e ndalimit të lëshuar pasditen e së enjtes mësohet se kanë pasur firmën e Llallës në fund. Në to shpjegohet për policinë kërkesa, personi i dyshuar, çështja e hetuar, veprimtaria e dyshuar e tij dhe argumentet juridike pse kërkohet ndalimi.

 Argumentet për Doshin

Pasi bën një rezyme përmbledhëse të gjeneraliteteve të deputetit Tom Doshi, vendbanimi, pozicioni i punës dhe 3 veprat penale për të cilat akuzohet, kryeprokurori Llalla jep edhe shpjegimet e çështjes në fjalë. Ai sqaron se “deputeti Doshi ka bërë deklarata në datën 3 mars se ishte paguar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vrasja e tij dhe e deputetit tjetër, Mëhill Fufi, me 500 mijë euro për të parin dhe 100 mijë për të dytin”. Gjithashtu shpjegohen veprimet juridike, nisja e hetimit kryesisht dhe ndalimi si i dyshuar për “tentativë vrasjeje” të Durim Bamit. Llalla shton se “nga tërësia e veprimeve hetimore, marrja në pyetje e shumë personave, ballafaqimi i dëshmive, përgjimet, tabulatet telefonike, filmimet, fotografitë, kundërthëniet dhe të tjera fakte, rezultoi se bëhej fjalë për një sajim nga të dyshuarit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami”. Në fund arsyeja përse Tom Doshi duhej arrestuar. “Përbën rrezikshmëri për çështjen, pasi gëzon asete financiare dhe mund të prishë procesin hetimor dhe provat. Gjithashtu rrezikon arratisjen e mundshme nga vendi”, shkruhet ndër të tjera.

 

Argumentet për Frrokun

E njëjta procedurë edhe në urdhrin e ndalimit për deputetin Mark Frroku. Shpjegohet se ai përbën rrezikshmëri shoqërore për faktin se jo vetëm gëzon asete të mëdha financiare dhe mund të dëmtojë hetimin, por edhe mund të arratiset nga vendi, sepse ka dy nënshtetësi, shqiptare dhe amerikane. “Në këto rrethana kërkohet ndalimi i Mark Frrokut për tre akuzat e ngritura”, shkruan Llalla. Por jo vetëm kaq, pasi pozicioni i deputetit kristiandemokrat rëndohet së tepërmi pasi kryeprokurori konfirmon se gjithashtu “Frroku është në proces gjyqësor në Belgjikë, për akuzën e vrasjes”. Argument ky që i është shtuar dosjes dhe që rrezikon të mbajë brenda hekurave ligjvënësin në të ardhmen. Llalla shpjegon se Frroku ka mbajtur qëndrim mohues për ngjarjen dhe refuzoi takimet me Doshin dhe njohjen me Bamin, por provat e gjetura vërtetuan të kundërtën.

 

Share This Article
1 Comment
  • I gjithe objektivi I tyre ishte te merrej pushteti me zgjedhje te parakoheshme,sipas mendjeve te tyre te trasha.Le t’a gezojne pushtetin qe moren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *