Pranvera Kola
Gara për pranimet e reja në ciklin e dytë të studimeve në programet “Master” në Universitetin e Tiranës do të zhvilllohet përgjatë muajit tetor. Krahas kritereve dhe kuotave të pranimit, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar tashmë edhe periudhën e aplikimeve dhe të regjistrimeve për studimet në programet e “Masterit profesional” dhe “Masterit shkencor” në të gjashtë fakultetet që janë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend.
Sipas afateve të përcaktuara, konkurimet për pranimet e reja në ciklin e dytë të studimeve do të zhvillohen nëpërmjet aplikimt me dosje. Çdo kandidat i interesuar për të ndjekur këto studime duhet që të paraqitet pranë sekretarive të fakulteteve të UT-së brenda datës 18 tetor për të dorëzuar dosjen e dokumenteve që duhen për konkurim. Llogaritja e pikëve të fituara nga secili kandidat, si dhe shpallja e listave të fituesve sipas numrit të kuotave të miratuara për çdo program studimi do të bëhet në datën 3 nëntor. Ndërkohë që procesi i regjistrimit të fituesve do të vijojë deri në datën 17 nëntor.
Sa i takon kuotave të miratuara për çdo program studimi, bëhet e ditur se në degët e nivelit të dytë të studimeve “Master” do të pranohen 6787 studentë të rinj për vitin akademik 2021-2022. Në këtë këtë cikël gara do të zhvillohet për 4133 kuota pranimi në programet “Master Shkencor”, si dhe 2654 kuota pranimi në programet “Master profesional”. Pranime të cilat përfshijnë kuotat për studentët brenda vendit, shtetasit e huaj, kuota për transferime në vite të ndërmjetme, kuota për programe të dyta studimi, si dhe kuotat për kategoritë e veçanta. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave për secilin program studimi të nivelit të dytë.
Sipas kushteve të përcaktuara nga strukturat përgjegjëse të arsimit të lartë në vend, në ciklin e dytë kanë të drejtë të aplikojnë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë në fushën përkatëse të studimit ose në fusha të tjera të përafërta, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Po ashtu mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në çdo rast pranimi, kandidati duhet të ketë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë.
Kriter pranimi në një program studimi të ciklit të dytë “Master i shkencave” është edhe njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
Renditja e aplikantëve do të bëhet në bazë të mesatares së ponderuar të ciklit të parë të studimeve të diplomës “Bachelor” dhe në përputhje me kriteret e tjera të vendosura nga njësia bazë përgjegjëse për programin e studimit, ku prioritet kanë aplikantët që zotërojnë një diplomë “Bachelor” të ngjashme me fushën ku konkuron për vijimin e studimeve të nivelit të dytë.
Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Këto programe realizohen me 120 kredite dhe janë me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programi i studimit në këtë nivel mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit “Master Profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Kuotat për “Master shkencor”
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë brenda vendit 3223
- Kuotat e pranimit për kandidatët student nga trojet shqiptare 305
- Kuotat e pranimit për kandidatët student shtetas të huaj 58
- Kuotat për kategoritë e veçanta (me aftësi të kufizuara, jetimët, romët-egjiptianët 203
- Kuotat e pranimit për kandidatët student që aplikojnë për transferim studimesh 113
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë studentë në një program të dytë studimi 231
Kuotat e pranimit në ciklin “Master profesional” për vitin 2021
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë brenda vendit 2131
- Kuotat e pranimit për kandidatët student nga trojet shqiptare 177
- Kuotat e pranimit për kandidatët student shtetas të huaj 32
- Kuotat për kategoritë e veçanta( me aftësi të kufizuara, jetimët, romët-egjiptianët 118
- Kuotat e pranimit për kandidatët student që aplikojnë për transferim studimesh 52
- Kuotat e pranimit për kandidatët studentë në një program të dytë studimi 144
Kliko:


