Konkurimi për 2021, kriteret për shpalljen e fituesve të rinj tek degët e Shkencave Sociale

J L

Konkurimin për pranimet e vitit të ri akademik në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës do të mund ta vijojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6.5 kur aplikojnë për degët e Shkencave Politike dhe Punës Sociale, si dhe mbi 7.5 për pranimet në degën e Psikologjisë dhe Sociologjisë, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë. Nota mesatare për konkurim në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e këtyre treguesve: mesatares aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2021, si dhe të maturave të shkuara.

Krahas këtij kriteri të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave si kusht për të hyrë në garë për kuotat e reja të pranimeve, Universiteti i Tiranës ku bën pjesë edhe Fakulteti i Shkencave Sociale ka miratuar tashmë edhe tre kriteret që do të zbatohen për të përzgjedhur fituesit e rinj që do të ndjekin studimet në të katër degët e këtij fakulteti përgjatë vitit akademik 2021-2022. Sipas formulës së përcaktuar, kriteri i parë ka të bëjë me mesataren e shkollës së mesme, të cilën Fakulteti i Shkencave Sociale e vlerëson me 40 për qind të ndikimit në rezultatin final të pikëve që do të sigurojnë kandidatët gjatë procesit të konkurimit.

Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2021, apo maturave të mëparëshme. Ky tregues përbën 30 për qind të totalit të pikëve me të cilat do të vlerësohen gjatë garës kandidatët që konkurojnë për programet e këtij fakulteti. Për maturatët që japin provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji aplikohet koeficienti 1.2. teksa për maturanët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje do të aplikohet koeficienti 1.

Kriteri i tretë ka të bëjë me lëndët formuese. Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale përbën 30 për qind të pikëve totale që secili kandidat do të mbledhë gjatë konkurimit për këto degë. Lëndët formuese prioritet të përcaktuara nga ky fakultet janë Qytetari dhe Filozofi të zhvilluara me kurrikul bërthamë në klasat 10 e 11, si dhe Psikologji dhe Sociologji të zhvilluara në kurrikulën me zgjedhje të vitit të fundit të gjimnazit. Lidhur me këtë kriter, ekspertët sqarojnë se për maturantët që kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ose të dyja, aplikohet koeficienti 1.2, ndërsa maturantëve që nuk kanë zgjedhur në klasën e 12 si lëndë me zgjedhje Psikologji ose Sociologji, ju llogaritet thjesht mesatarja e lëndëve të zhvilluara nga fusha e shkencave sociale të zhvilluara në klasat e mëparëshme.

Gjithashtu, Fakulteti i Shkencave Sociale ka përcaktuar edhe koeficientin për secilën mga llojet e shkollave të mesme që maturantët kanë kryer. Në këto kushte, shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz seksioni dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4. Shkollat e kategorive Pedagogjike, Gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim-biznes kanë koeficientin 1.2. Ndërsa të gjitha shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1. Çka do të thotë se më shumë prioritet në përzgjedhje do të kenë kandidatët shkollat e të cilëve vlerësohen me keficientin më të lartë.

 

Kushtet se si do përzgjidhen fituesit e rinj të 2021

  1. Nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme ka 40% të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve të rinj të 2021.
  2. Nota mesatare e të gjithë provimeve të Maturës Shtetërore përbën 30 për qind të ndikimit në rezultatin final që do të grumbullojë maturanti gjatë procesit të konkurimt për secilin program studimi të këtij fakulteti. Për maturatët që japin provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji aplikohet koeficienti 1.2, teksa për maturanët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje aplikohet koeficienti 1.
  3. Mesatarja e lëndëve formuese është kriteri i tretë që vlerësohet po ashtu me 30 për qind të ndikimit në përzgjedhjen e fituesve të rinj për vitin 2021. Lëndët formuese janë Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), si dhe Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12).

 

Koeficientët për llojin e shkollës së mesme

  • Shkollat e kategorive Gjimnaz, Gjimnaz Seksioni dygjuhësh shqip-italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4
  • Shkollat e kategorive Pedagogjike, Gjimnaz gjuhësor, Shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe Shkolla Administrim-Biznes kanë koeficientin 1.2
  • Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *