Konkurset e pranimit për programet e studimit të ofruara nga të gjitha fakultetet e Universitetit të Arteve në kryeqytet do të zhvillohen në javën e fundit të muajit gusht. Vendimi më i fundit i zbardhur nga Rektorati i këtij institucioni të arsimit të lartë, përcakton se maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të garojnë për kuotat e 2020-s do t’u nënshtrohen konkurseve të pranimit në datat 24 deri në 27 gusht.
Sipas kushtit të përcaktuar më herët, në konkurse do të lejohet të hyjnë vetëm kandidatët që përzgjedhin degët e këtij universiteti gjatë fazës së aplikimit për studimet e larta, si dhe kryejnë në kohë procesin e regjistrimit për konkursin në afatet e përcaktuara. Çka do të thotë se kushti i parë që duhet të plotësojnë maturantët për të garuar në degët e Universitetit të Arteve është përzgjedhja e degëve të këtij profili gjatë plotësimit të formularit A2 të preferencave, si dhe më pas të bëjnë regjistrimin konfirmues për të hyrë në konkurs sipas afateve të përcaktuara. Ndryshe nga vitet e shkuara, mesatarja e shkollës së mesme nuk do të jetë më kriter hyrës në garë për studimet e larta në këtë universitet.
Regjistrimi për konkurset
Regjistrimi i konkurrentëve për në konkurset e pranimit në programet e studimit me kohë të plotë të nivelit të parë “Bachelor”, në tre fakultetet e Universitetit të Arteve për të gjitha programet e studimeve të ofruara prej tyre, do të bëhet pranë sekretarive mësimore sipas afateve të vendosura.
Në çdo rast, regjistrimi pranë sekretarive përkatëse duhet të bëhet nga vetë konkurrenti, ose nga një person i autorizuar prej tij, me prokurë të posaçme. Autoritetet e këtij institucioni bëjnë me dije se kanë të drejtë të regjistrohen për në konkurset e pranimit të gjithë kandidatët sipas listës së shkarkuar nga portali u-albania. Konkretisht, regjistrimet do të fillojnë në datën 17 gusht nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Edhe gjatë procedurës së regjistrimit kandidatët, si dhe punonjësit e këtij universiteti do të duhet që të respektojnë protokollet e miratuara për masat anti-covid.
Dokumentacioni për t’u regjistruar në konkurset e pranimit përfshin: mandatin e pagesës së tarifës së konkurrimit e përcaktuar në varësi të programit ku kandidati konkuron, si dhe fotokopjen e mjetit të identifikimit (kartës së identitetit ose pasaportës). Në mungesë të këtyre dy dokumenteve ju nuk do të mund të regjistroheni për të qenë pjesë e konkurseve të pranimit.
Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për testet individuale që do të zhvillojnë gjatë konkurseve të pranimit, në faqen online të secilit fakultet janë shpallur tashmë rregulloret dhe temat mbi të cilat duhet të mbështeteni në fazën përgatitore.
Programet e studimit
Për pranimet e vitit të ari akademik 2020-2021, maturantët do të mund të garojnë për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta në një nga 32 programet e studimit që ofrojnë tre fakultetet e këtij universiteti. Fakulteti i Arteve të Bukura në ciklin e parë të studimeve ofron 7 programe, që janë: Pikturë grafikë, Pikturë tekstil dhe modë, Pikturë multimedia, Pikturë kavaleti, Pikturë monumentale, Skulpturë, si dhe Skulpturë qeramikë. Në Fakultetin e Artit Skenik në ciklin e parë të studimeve do konkurrohet në 5 programe studimi, Regji filmi dhe Tv, Regji, Aktrim, Koreografi, si dhe skenografi-kostumografi. Ndërsa në Fakultetin e Muzikës në ciklin e parë të studimeve “Bachelor” do konkurrohet në këto 20 programe: Muzikologji, Kompozicion, Dirizhim, Piano, Violinë, Violonçel, Violë, Kitarë, Kontrabas, Flaut, Oboe, Klarinetë, Fagot, Korno, Trombë, Trombon, Bas-tubë, Kanto, Pedagogji muzikore, si dhe fizarmonikë klasike.
Përzgjedhja e fituesve
Pranimet në të gjitha programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, me kohë të plotë, në Universitetin e Arteve, për vitin akademik 2020-2021,do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe rezultateve të fituara në konkursin e pranimit, të organizuara nga secili prej tre fakulteteve që janë pjesë e këtij universiteti.
Kështu, në zbatim të Vendimit të Senatit Akademik të Universitetit të Arteve, pikët maksimale për konkurim janë 200. Sipas skemës së përcaktuar, 30 për qind e totalit ose 60 pikë i takojnë notës mesatare të viteve të studimit të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës shtetërore, ndërsa 70 për qind ose 140 pikë i takojnë rezultateve të konkurseve të pranimit.
Degët për të cilat mund të konkurroni në Universitetin e Arteve:
- Bastubë
- Dirizhim
- Fagot
- Fizarmonikë Klasike
- Flaut
- Kanto
- Kitarë
- Klarinetë
- Kompozicion
- Kontrabas
- Korno
- Muzikologji
- Oboe
- Pedagogji Muzikore
- Piano
- Trombë
- Trombonë
- Violë
- Violinë
- Violonçel
- Aktrim
- Koreografi
- Regji
- Regji Filmi TV
- Skenografi -Kostumografi
- Pikturë Grafikë
- Pikturë tekstil dhe modë
- Pikturë multimedia
- Pikturë kavaleti
- Pikturë monumentale
- Skulpturë
- Skulpturë qeramikë
