Përcaktohet formula për përzgjedhjen e fituesve që do të mund të ndjekin për herë të parë gjatë vitit të ri akademik 2022-2023 studimet e ciklit “Bachelor” në fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Sporteve të Tiranës. Në vendimet e miratuara nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë, bëhet e ditur se dy janë kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen fituesit e rinj të 2022 në degët e sporteve, siç janë: kriteri i mesatares së shkollës së mesme, si dhe konkurrimi praktik që do të zhvillohet përgjatë muajit gusht. Sipas vendimit të miratuar, ndikimin vendimtar në shpalljen e fituesve do e ketë testimi praktik (konkursi) nëpërmjet të cilit kandidatët do të grumbullojnë rreth 70 për qind të pikëve finale, ndërsa treguesit e shkollës së mesme dhe Maturës Shtetërore vlerësohen me 30 për qind të pikëve të rezultatit final me të cilin garon çdo kandidat. Për të qenë kalues në konkurrim, kandidatët duhet që të grumbullojnë minimumi 10 pikë nga 70 të mundshme me të cilat vlerësohen teste praktike të konkursit.
“Sa i përket konkursit, edhe për pranimet e vitit të ri akademik, kandidatët janë të detyruar të konkurrojnë në dy teste praktike, që janë kërcim së gjati nga vendi dhe testi kompleks kordinativ ose siç njihet ndryshe testi cirkuit. Shumatorja e pikëve të grumbulluara nga këto dy teste do të japin nivelin e pikëve të fituara nga konkursi për çdo kandidat. Këto pikë të mbledhura edhe me ato të fituara nga mesatarja e shkollës së mesme do të përbëjnë edhe rezultatin final me të cilin çdo kandidat do të konkurrojë për të fituar të drejtën e vijimit të studimeve të larta në degët e sporteve”, sqarojnë autoritetet e Universitetit të Sporteve. Gara për studimet në këtë universitete do të zhvillohet për programet e studimit në dy fakultete, atë të Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, si dhe në Fakultetin e Shkencave të Lëvizjes.
Kazansana giriş
E drejta për konkurrim
Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, në testimet praktike do të mund të hyjnë vetëm kandidatët që në formularin e preferencave kanë listuar degët e këtij institucioni të arsimit të lartë. Kështu, gjatë plotësimit të formularit A2 që do të bëhet gjatë muajit korrik, duhet të rendisni me patjetër degët e këtij universiteti. Në përfundim të përzgjedhjes së preferencave Qendra e Shërbimeve të Arsimit, do të zbardhë listën e të gjithë kandidatëve që kanë aplikuar për degët e Universitetit të Sporteve, të cilët do të vijojnë më pas procedurat e regjistrimit për të hyrë në konkurset praktike sipas datave që do të përcaktohen nga secili fakultet.
“Të drejtën për konkurrim në Universitetin e Sporteve të Tiranës për kuotat e reja të pranimeve që do të realizohen përgjatë vitit të ri akademik 2022-2023 e gëzojnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që plotësojnë këto kushte: “kanë përfunduar me sukses maturën shtetërore dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare sipas vendimeve në fuqi, kanë plotësuar formularin A2 pranë sekretarive të shkollave të mesme sipas udhëzimeve të MAS, kanë kryer pagesën e tarifës së konkurrimit dhe kanë bërë regjistrimin përfundimtar pranë degës së Informacionit Studentor dhe Regjistrimeve në UST, si dhe kanë plotësuar Kartelën Shëndetësore sipas formatit të përcaktuar”, saktësohet në vendimin e miratuar mbi organizimin e pranimeve të reja në Universitetin e Sporteve të Tiranës.
Procedurat e regjistrimit për konkursin
Procedura e regjistrimit për konkurimin praktik do të jetë e njëjtë sikundër ka ndodhur edhe përgjatë viteve të shkuara. Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që janë pjesë e listave që do të shpall Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të duhet më pas të paraqiten pranë sekretarive përkatëse të fakultetit në datat e përcaktuara për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të regjistrimit. Konkretisht në këtë dosje duhet të përfshini: 2 fotografi, kopjen e kartës së identitetit, mandatin e pagesës së tarifës së konkurrimit, si dhe kartelën mjekësore. Kjo kartelë duhet të ketë në përmbajtje të konfirmuara nëpërmjet vulave përkatëse kontrollet mjekësore që kandidati duhet të ketë kryer tek mjeku kardiolog, ai okulist, tek radiologu, ORL, grupin e analizave të kërkuara, si dhe vlerësimin final që tregon se maturanti është i aftë për të vijuar konkurrimin dhe studimet në degët e Universitetit të Sporteve. Para se të bëjnë pagesën për aplikim kandidatët duhet që të verifikojnë me kujdes listat e shpallura nga Universiteti i Sporteve. Kandidatët që nuk janë pjesë e kësaj liste nuk do të mund të vijojnë më tej procedurat e regjistrimit dhe hyrjes në konkurset e pranimit.