Intervistoi Xhevdet Shehu
Zoti Shehi, sapo ka përfunduar drafti për ndarjen e re territoriale të vendit. Diskutimet janë të shumta. Ju mendoni se ai është një draft i mirë?
Më shumë se i mirë, ai është i domosdoshëm. Unë e përshëndes punën që është bërë për këtë projekt dhe që shpresoj të miratohet në Kuvend. A është i përkryer ky projekt? Jo. Por unë e ritheksoj ai është shumë i domosdoshëm për kushtet aktuale të Shqipërisë, pas gjithë atyre ndryshimeve demografike që ka pësuar vendi pas vitit 1990. Një ndarje e re territoriale është e domosdoshme dhe ne nuk mund të pretendojmë që ajo të jetë e përkryer.
Sidoqoftë, njëfarë konsensusi duhet, apo jo?
Natyrisht që konsensusi është i domosdoshëm. Unë them se për këtë konsensus duhet të bien dakord dy partitë e mëdha në vend, pra PD dhe PS. Kjo krijon atë konsensus të domosdoshëm edhe në opinionin e gjerë. Ne do të donim që kjo ndarje e re territoriale të ishte e përkryer, por kjo në kushte aktuale duket e pamundur.
Një nga partitë që e kontestoi e para ishte PBDNJ. Vangjel Dule e kontestoi këtë ndarje, duke lënë të nënkuptuar se po diskriminohet minoritetet?
Ai nuk e nënkuptoi, e tha hapur. Por unë kam mendim tjetër nga Dulja. Ai përfaqëson një parti të vogël dhe nuk mendoj se ka ndonjë peshë në vendimmarrje. I rëndësishëm është konsensusi i dy partive të mëdha PD dhe PS. Të tjerat le të diskutohen më vonë. Dulja le ta thotë mendimin e tij, por mendoj se më rëndësishme aktualisht është që kjo reformë të bëhet. Dhe unë besoj se do të bëhet.
Çfarë e vështirëson kaq shumë këtë reformë?
Sido që të bëhet kjo reformë e ndarjes së re administrative do të krijojë shumë pakënaqësi. Duhet të kemi parasysh se shkurtohen shumë vende pune, u hiqet parllëku shumë personave që edhe me një fshat të vogël kërkonin të kishin një vulë dhe të ishin të parët e vendit. Mirëpo kohërat kanë ndryshuar. Ne jemi një vend kandidat për në BE dhe këto ndryshime janë të domosdoshme, pavarësisht nga dhimbjet që u shkakton disave. Por, unë ritheksoj atë që thashë në fillim: Duhet konsensusi i dy partive të mëdha, dhe këtë konsensus unë e shikoj plotësisht të mundshëm.