Kryeministri britanik Boris Johnson po përballet me thirrjet nga konservatorët e vjetër për t’u dorëzuar si kryeministër pasi pranoi se kishte marrë pjesë në një festë me pije gjatë bllokimit nga pandemia Covid-19 që u urdhërua në të gjithë vendin.
Kryeministri kërkoi falje për mënyrën se si e kishte trajtuar ngjarjen në kopshtin e Downing Street në vitin 2020 dhe tha se e kuptonte “tërbimin” e publikut për këtë ndodhi.
Ai tha se nuk e kishte kutuar që ftesa ishte e tillë dhe e kishte menduar si një mbledhje stafi të zakonshme. Anëtarët e kabinetit, përfshirë zëvendëskryeministrin Dominic Raab, dolën në krah të Johnson.
Por, udhëheqësi i Tory-t skocez, Douglas Ross dhe mbështetësi i lartë William Wragg i kanë bërë thirrje atij të largohet.
Ross, një nga deputetët tha se kishte humbur besimin tek Johnson pas kërkimit të faljes së kryeministrit ndaj deputetëve ditën e sotme. Ai tha se do t’i shkruante Komitetit të vitit 1922, i cili organizon konkurset e lidershipit konservator, për të regjistruar mungesën e besimit te kryeministri.
“Ai është kryeministri, është qeveria e tij që vendosi këto rregulla dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij,” tha ai.
Nëse 54 deputetë konservatorë i dërgojnë letra komitetit të vitit 1922, kjo do të shkaktojë një sfidë lidershipi.
Ministrat u kanë kërkuar deputetëve të presin rezultatin e një hetimi për shkeljen e supozuar të rregullit Covid në festat e Downing Street nga nëpunësja e lartë civile Sue Grey, e cila sipas tyre do të publikohet së shpejti.
Por një tjetër mbështetës William Wragg, i cili kryeson një komitet të përzgjedhur me ndikim, tha se pozicioni i kryeministrit ishte “i paqëndrueshëm”.
“Unë nuk mendoj se duhet t’i lihet gjetjeve të një nëpunësi civil për të përcaktuar të ardhmen e kryeministrit dhe kush e qeveris në të vërtetë këtë vend,” tha ai për programin PM të BBC Radio 4.
Në pyetjet e kryeministrit, zoti Johnson u përpoq të qetësonte zemërimin rreth raporteve se ai kishte marrë pjesë në një festë “sillni pijen tuaj” në kulmin e bllokimit të parë Covid.
Ai pranoi se ishte në mbledhjen e 20 majit 2020 për rreth 25 minuta, në mënyrë që të mund të “falenderonte grupet e stafit” për punën e tyre të palodhur.
“Unë besoja në mënyrë implicite se kjo ishte një ngjarje pune,” tha Johnson.
Udhëheqësi i laburistëve Sir Keir Starmer tha se mbrojtja e kryeministrit ishte “aq qesharake sa në fakt është ofenduese për publikun britanik” dhe ai i bëri thirrje zotit Johnson “të bëjë gjënë e denjë dhe të japë dorëheqjen”.
Udhëheqësi i SNP-së në Westminster, Ian Blackford u bëri thirrje deputetëve konservatorë që të detyronin kryeministrin të largohej – dhe udhëheqësi i Lib Dem Sir Ed Davey tha se ai duhej të largohej.
Deklarata e kryeministrit u prit me një reagim të përzier nga deputetët konservatorë, ku disa deklaruan se ai ishte vërtet i penduar.
Dan Poulter, i cili gjithashtu punon si psikiatër, tha: “Jam i kënaqur që kryeministri kërkoi falje, por nuk është ngushëllim për ata që u kujdesën për pacientët në vijën e parë të NHS dhe i pamë ata të vdisnin nga Covid”.
Dominic Raab tha se kryeministri kishte “dhënë një llogari shumë të qartë” të asaj që kishte ndodhur dhe kishte kërkuar falje për “perceptimin” e shkeljes së rregullit.
a.m/dita
