Çdo i sëmurë që paraqitet për të kryer një konsultë në shërbimet mjekësore të Qendrës Spitalore Nënë Tereza duhet të ketë me vete 3 dokumentet që përcaktojnë ecurinë e sëmundjes së tij. Konkretisht bëhet fjalë për raportin mjekësor (epikrizën) nga mjeku i familjes apo mjeku specialist i rrethit përkatës nga vjen i sëmuri. Një tjetër dokument i domosdoshëm është edhe libreza e sigurimeve shëndetësore, në mënyrë që të shmangi tarifat e përcaktuara në rast se mungon ky dokument. Gjithashtu kërkohet edhe prezenca e dokumentit të identifikimit siç mund të jetë : (Kartë identiteti, pasaportë, certifikatë me fotografi). Ndërsa të sëmurët kronikë që vijnë në konsultë për folloë-up (ndjekje) duhet të kenë me vete edhe përgjigjet e analizave dhe ekzaminimeve të nevojshme të kërkuara paraprakisht nga mjeku konsulent. Në rast te kundërt kryerja e analizave dhe ekzaminimeve në QSUT do të paguhet në vlerë të plotë. Pas kryerjes së konsultës mjeku është i detyruar që t’i vërë në dispozicion pacientit një dokumentacion të caktuar. Në këto kushte mjeku konsulent është i detyruar që për çdo të sëmurë pas, konsultës t’i japë një raport mjekësor për ta paraqitur tek mjeku dërgues apo ai i familjes. Sipas rastit, me kërkesë të sëmurit, mund t’i jepen me vete kopje të ekzaminimeve radiologjike. Po ashtu, kur gjykohet e nevojshme, mund t’u jepet edhe një dokument me datën dhe orën e konsultës pasardhëse.
