Konsultat për pacientët e rretheve do bëhen online

Ornela

Thjeshtohen procedurat e rimbursimit të penave të insulinës për diabetikët. Tashmë pacientët e rretheve nuk e kanë më të nevojshme që të vijnë drejt Tiranës për të kryer konsultat në QSUT për rimbursimin e insulinave që u nevojiten çdo muaj për të mbajtur nën kontroll sëmundjen e diabetit. Kjo procedurë tashmë do të mund të bëhet online nëpërmjet telemedicinës.

Do të jenë mjekët endokrinologë të QSUT-së dhe ata të spitaleve rajonale që do të kryejnë konsultat online nëpërmjet këtij shërbimi, duke shmangur kështu procedurat burokratike të sjelljes së pacientit deri në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Konfirmimin e ka bërë gjatë ditës së djeshme vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli teksa ka ndjekur nga afër konsultat “online” në QSUT, ku dhe ka theksuar se kjo procedurë e re do të kursejë kohën e pacientëve që marrin mbi 8 insulina në muaj me rimbursim.

Konsultat për pacientët e rretheve

Sipas ministres, pacientët që marrin me rimbursim mbi 8 pena insulinë në muaj nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për të përfituar rimbursimin falas, pasi nëpërmjet Telemjekësisë, konsultat do të kryhen online edhe në spitalet rajonale.

“Nëse më parë pacientit i duhej të vinte nga Korça apo Shkodra në Tiranë për të kryer konsultën e specializuar për vijimin apo ndryshimin e trajtimit me insulinë nga 8 deri në 12 pena në QSUT, duke shpenzuar para dhe kohë, falë këtij lehtësimi procedural, pacienti e merr trajtimin në kohë në spitalin rajonal, afër vendbanimit nëpërmjet konsultës online nga mjeku specialist në QSUT pa qenë nevoja për t’u paraqitur fizikisht”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.

Sipas procedurave të përcaktuara konsultat online mbi trajtimin terapeutik dhe sasinë e penave të insulinës nga 8 deri në 12 pena në muaj, që kryhen nga mjeku endokrinolog në QSUT dhe mjeku endokrinolog në spitalet rajonale, nëpërmjet telemedicinës, në prezencën e pacientit, i shërbejnë edhe edukimit në vazhdim dhe trajnimit të mjekëve në spitalet rajonale.

Mbi 340 pacientë e kanë marrë tashmë shërbimin afër vendbanimit, pa pasur nevojë të regjistrojnë datën për konsultë dhe më pas të merrnin firmën dhe vulën në QSUT për të përfituar penat e insulinës falas, kur bëhej fjalë për mbi 8 pena insuline. Ndërkohë që në të gjithë vendin janë mbi 32 mijë pacientë që trajtohen me insulinë në rang vendi, e cila rimbursohet në masën 100 për qind nga shteti.

Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë.

Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak. Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës

Kostot e trajtimit të diabetit

Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.

Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve, etj.

Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet. Por diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25 për qind.

Vendosja e diagnozës së diabetit

Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike. Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies(esëll) në mëngjes dhe Testi i tolerancës së glukozës,ku mbasi merret nga goja të 75 gr sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë,ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll. Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit.

 

Tre format e diabetit

Diabeti tip 1

Ky lloj diabeti haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë pa insulinë, ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.

 Diabeti tip 2

Ky lloj diabeti është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe më shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obezë. Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “ç’bllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë, si: mbipesha, obeziteti

Diabeti i shtatzënisë

Ky tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë. Ai ndodh në 2-5 për qind të grave shtatzane dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i durueshëm, por kërkon një mbikëqyrje mjekësore gjatë shtatzanisë. Rreth 20-50 për qind e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë. Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik.

p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *