Kontakto me TSTS për të bërë… punën e ëndrrave

redaktor

 

Nga Entela Resuli

E imagjinoni vetën që në darkë ta shihni perëndimin e diellit në mes të një hapësirë detare dhe në mëngjes të zgjoheni në një ishull përrallor. Kjo që po ju tregojmë nuk shihet vetëm nëpër filma, por mund të bëhet realitet për secilin që dëshiron të punojë në profil të tillë.

Ka shumë vajza e djemë shqiptarë që kanë zgjedhur të punojnë në kroçera.

Shoqëria TSTS Group është ndër më të mëdhatë në Shqipëri dhe ju jep mundësinë të  gjithë atyre që janë detarë të pajisen me certifikatën e nevojshme, por edhe shumë të rinjve që duan të punësohen duke i trajnuar dhe duke u siguruar kontratat e punës.

Kemi biseduar me Marseda Shkodrën e cila mban postin e drejtoreshës së përgjithshme të Kompanisë TSTS Group, e cila na tregon me tepër detaje rreth funksionimit të kompanisë dhe si mund të përfitosh nga trajnimet dhe mundësitë e punësimit që ajo ofron.

E shkolluar dhe diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në Genoa Itali, me një specializim të veçantë për logjistikën e transportit, Shkodra sot ka timonin e kësaj qendre në të cilën çdo ditë hyjnë qindra persona që marrin shërbim të standardizuar dhe certifikuar.

Pra, nëse edhe ti që po na lexon dëshiron të bësh punën e ëndrrave: të udhëtosh dhe të paguhesh, drejtohu në TSTS Group. Është dhurata më e bukur që mund t’i bëni vetes

 

Marseda Shkodra
Marseda Shkodra, drejtoreshë e përgjithshme e Kompanisë TSTS Group

-Marseda, si fillim na trego diçka për veten dhe për punën në të cilën je e angazhuar në këto momente?

Unë kam mbaruar studimet larta në Universitetin e Genova-s, Dega Ekonomik me profil Transporti, nga ku mora dhe bazat e punës që sot kryejmë në Shqipëri. Pasionin që shkolla na ushqeu për sektorin e transportit në përgjithësi, bëri që pas studimeve t’i dedikohem fillimisht transportit tokësor e më pas atij detar. Në vitet 2008-2009 hodhëm hapat e parë në projektimin dhe zhvillimin e një qendre trajnimi detar e më pas në vitin 2010 vazhduam me krijimin e saj dhe realizimin e këtij projekti.

Nga viti 2010 e deri me sot arritjet në këtë sektor kane qenë të mëdha, fillimisht me certifikimin dhe njohjen ndërkombëtare të qendrës së trajnimit të detarëve, futjen e Shqipërisë në Listën e Bardhë të Konventës STCW për Detarët e deri në punësimin e detarëve Shqiptarë në kompanitë e huaja më të rëndësishme të sektorit të Kroçerave dhe Trageteve.

Aktualisht fokusi ynë kryesor është sigurimi i kontratave të punës për detarët tanë, me paga tepër të kënaqshme dhe për kategori punësimi nga më të ndryshme si kamerierë, kuzhinierë, recepsion, tour operator, international hostes, balerinë, këngëtarë, tenorë, fotografë etj.

-E kishe menduar që një ditë do të drejtoje dhe menaxhoje një kompani të tillë?

Në fakt nuk e kisha menduar që emri i mirë i kompanisë sonë do të përhapej kaq furishëm në tregun ndërkombëtar të punësimit dhe trajnimit detar, por falë dedikimit e përkushtimit serioz në këtë projekt dhe punës së mirë së Qendrës e partnerëve tanë, privat e shtetëror, që besuan në këtë iniciativë, arritëm të siguronim kontrata e para në fillimet e vitit 2011.

Sot jam shumë krenarë që drejtoj një kompani e cila siguron kontrata dhe punësim për mbi 700 të rinj Shqiptar çdo vit, të cilët përveç se përmirësojnë gjendjen ekonomike të familjeve të tyre gjatë punësimit në anije, rikthehen në tregun e brendshëm të punës me një vlerë të shtuar profesionale falë eksperiencës ndërkombëtare të punës që ata kryejnë në bordin e anijeve.

-A është e vështirë Marseda, duke pasur parasysh që jemi një treg relativisht i ri në këtë drejtim?

“Të nisesh një rruge të re, tremb. Por hap pas hapi kupton sesa e rrezikshme ishte të qëndroje në vend” është një thënie e Roberto Benignit. Kjo është motoja jonë dhe ajo që mundohemi çdo ditë të transmetojmë tek kandidatët e rinj të cilët dëshirojnë të nisin këtë rrugëtim.

-A ka interes, pasi duket se kohët e fundit, ka shumë të rinj që duan dhe po kërkojnë të punësohen në “det”?

Interesi shtohet çdo ditë e më shume nga të rinjtë shqiptarë, të cilët dëshirojnë të faqosen në tregun ndërkombëtar të punësimit edhe pse vështirësia më e madhe që hasim me ta, është frika për t’u shkëputur nga familja dhe përballja me ambientin e ri e përshtatja me kulturën internacionale të punuarit dhe jetuarit në komunitet. Nga ana tjetër, duke parë dhe benefitet e pafundme të këtij tipi punësimi, siç mund të jenë, formim i përgjithshëm, pagë e lartë, disiplinë pune, njohje kulturash të reja, udhëtime të shumta, përvetësimi i gjuhëve, zero kosto jetese gjatë kontratës së punës, shoqërizimi etj, e konsiderojnë interesant investimin në këtë rrugëtim meqenëse ka dhe një rikthim të shpejtë në rritjen e karrierës së tyre personale dhe profesionale.

 -Pse është i rëndësishëm trajnimi?

Trajnimi sipas konventës së STCW kryhet përpara se personi, i cili ka fituar kontratën e punës të imbarkohet në bordin e anijes dhe është tepër i rëndësishëm sepse familjarizon kandidatët, me normat e sigurisë në bordin e anijes, të cilët duhet të jenë të aftë të reagojnë shpejt në situata emergjence për të mbrojtur veten e tyre dhe të pasagjerëve.

-Të gjithë ata që shkojnë dhe punojnë në det duhet ta bëjnë?

Konventa SCTË, ka parashikuar që të gjithë personat që punojnë në bordin e një anijeje duhet të jenë të trajnuar mbi normat bazë të sigurisë (Basic Safety Training), i cili përgatit kandidatët të kenë njohuri mbi  vlerësimin e situatave emergjente që mund të dalin në det, teknikat e mbijetesës në det ku përfshihen veprimet që duhen ndërmarrë kur braktisim anijen, veshjen e një xhakete shpëtimi dhe kostum zhytje, dhënia e ndihmës së parë, stresi dhe instinktet themelore njerëzore të panikut, të frikës, zemërimi dhe heroizmi, etj.

-Ka më shumë interes nga djemtë apo nga vajzat?

Në fillim të këtij procesi interesi më i madh ishte nga meshkujt, por me shumë ngulm në korrikun e vitit 2011 arritëm për herë të parë të thyenim mentalitetin mashkullor të këtij tregu duke punësuar vajzat e para në tragetet e linjës Durrës-Bari, të cilat vazhdojnë ende sot të punojnë në të njëjtin sektor me kompetenca dhe paga shumë të larta. Madje njëra prej tyre, e cila quhet Ergis Kryekurti, sot vazhdon studimet e larta në Degën e Navigacionit, pranë Universitetit Ismail Qemali, Vlorë dhe synon që në të ardhmen të jetë një Kapitene e suksesshme dhe do të jetë e para kapitene femër në Historikun e detarisë Shqiptare. Sot në portofolin tonë të femrave që punojnë në këtë sektor, kemi vajza të cilat janë shumë të suksesshme, siç mund të përmend Balerinën Frenki Ziaj, Cashier Operator Endrikeda Menaj, International Hostess Silva Caushaj, Recepsion Vida Palushaj, Asistente zyre Sajmira Dhoska etj etj.

-Ju e sugjeroni një punë të tillë?

Ne do ta sugjerojmë vazhdimisht këtë punësim sepse mendojmë që është një ndër punësimet më me vlerë, për të mos larguar të rinjtë shqiptarë përgjithnjë nga Shqipëria, meqenëse është i vetmi, i cili e dërgon përkohësisht produktin shqiptar jashtë territorit por, përfiton të ardhurat ekonomike në tokën  mëmë  dhe rikthehet i formuar ndërkombëtarisht për ta sjellë e shfrytëzuar këtë formim në tregun e brendshëm shqiptar.

-Cilat janë vështirësitë që hasin kur shkojnë dhe punësohen në një anije apo kroçerë?

Është më se e vërtete që kjo është një punë shumë e bukur por edhe e vështirë, për shkak të shkëputjes disa mujore nga familja, shoqëria dhe rutina e përditshme, në një ambient i cili është vazhdimisht në lëvizje e ndryshim, ku dhe njerëzit që punojnë e jetojnë në të janë 7/7 ditë në punë me të njëjtin ritëm çdo ditë.

 -Po më pas çfarë ndodh me ta?

Puna në det funksionon me kontrata 6-8 mujore. Pas përfundimit të kontratës së parë, e cila rezulton të jetë më e vështira për shkak të përshtatjes së ritmit të punës dhe të jetës në bordin e anijes, detarët mund të bëjnë 1-2 muaj pushim e më pas imbarkohen përsëri në të njëjtin pozicion pune ose në pozicione më të larta sipas performancës së tyre gjatë muajve të mëparshme.

Në këtë mënyre ata vazhdojnë të punojnë për disa vite rresht derisa vetë detari vendos të mos i dedikohet me punës në det e të transferohet në një punësim në toke e të shfrytëzoje më së miri të gjithë eksperiencën e tij ndërkombëtare të punës.

 

***

Rreth kompanisë

Një Grua në timonin e Qendrës së Parë të Trajnimit dhe Punësimit Detar në Shqipëri.

-Si lindi ideja dhe si filloi aktiviteti i trajnimeve detare?

Kur filluam biznesin tonë, në vitin 2010, ishte pothuajse e papranuar në mentalitetin e kohës, që detarët shqiptarë, kryesisht meshkuj, të udhëhiqeshin apo këshilloheshin nga një grua në procesin e tyre të formimit profesional dhe të certifikimit STCW (Standards of Training, Certification and Watchkeeping), që u nevojitej për t’u punësuar në sektorin detar. Puna e bërë në ato vite kishte shumë vështirësi, pasi nga njëra anë na duhej të implementonim një sistem tërësisht të ri trajnimi, bazuar në kërkesat e konventave ndërkombëtare dhe të praktikave europiane. Nga ana tjetër kërkohej durim për të bindur detarët tanë, mbi rëndësinë e këtij procesi, i cili më pas ashtu siç dhe koha e tregoi, u hapi rrugën atyre për t’u punësuar në anijet me flamur të huaj. Shqipëria në ato vite nuk ishte pranuar në listën e bardhë të Konventës STCË dhe si rrjedhojë detarët tanë e kishin të pa lejuar të punonin në anijet me flamur jo shqiptar. Edhe pse vlen për t’u theksuar se një pjesë e madhe e detarëve tanë të kohës, e mirëpritën këtë proces duke e përkrahur. Sidomos ata persona të cilët kishin studiuar në Fakultetin e Inxhinieri Navigacionit në Vlorë dhe kishin vite eksperiencë në anije, kërkonin standarde. Por mbaj mend që kishte dhe nga ata individë të cilët ishin skeptikë dhe nuk i jepnin interesin dhe seriozitetin e duhur këtyre trajnimeve, duke i konsideruar ato thjesht si një karton certifikate më shumë, pa ndonjë vlerë të veçantë profesionale. Puna jonë ishte e fokusuar në ndryshimin e opinionit të këtyre individëve dhe në zbatimin e një procesi formimi profesional detar, ku për herë të parë iu dha rëndësi pikërisht përçimit të dijes dhe jo veç formalitetit të certifikatës.

Ky objektiv që i kishim vënë vetes, të cilin e besonim me shpirt se një ditë do të realizohej, na dha guximin që të vetë financonim këtë projekt duke investuar në një sektor, si ai detar, ku më shume flitet se sa veprohet. Investimi jonë konsistoi në ndërtimin e facileteteve bashkëkohore që një qendër e tillë trajnimi, kërkonte në nivel ndërkombëtar. U instaluan për herë të parë në Shqipëri Simulator Detar, me qëllim përgatitjen e kandidatëve, mbi përdorimin e teknologjisë së instaluar në mjetet lundruese. Profesorë Italianë, bashkë me Kapiten shqiptarë me përvojë, si zoti Mynyr Bajraktari, e kolegë të tjerë, punuan për gati 1 vit radhazi për të gjitha kurset e reja që qendra realizonte, deri sa u plotësua paketa e trajnimeve, kërkuar nga Konventa STCË. Në këto vite qendra iu nënshtrua auditeve periodike dhe certifikimeve ndërkombëtare, duke i lejuar asaj të ushtronte këtë aktivitet në një treg global. Këto arritje, nuk ishin asgjë tjetër veç se, detyrat e shtëpisë për një vend si Shqipëria, ku firmosja e konventave dhe marrëveshjeve Detare është konsideruar si arritje, por zbatimi tyre ka kaluar shpesh herë në harresë. Lufta ndaj indiferencës, që na karakterizon ne Shqiptarëve në tërësi, është një përpjekje e gjithanshme, që kërkon angazhim nga të gjithë aktorët që kanë rol në këtë sektor. Këtë frymë pozitiviteti dhe egoje profesionale, karakterizuar dhe nga entuziazmi i një moshe të re, e përcollëm tek të gjithë bashkëpunëtorët tanë. Ekziston shprehja, kur të gjithë përqafojnë të njëjtin objektiv, suksesi është i garantuar. Kjo është arsyeja e vetme në gjykimin tim, që Shqipëria sot gëzon statusin e një vendi të listës së bardhë të Konvetës STCW, çka u lejon detarëve tanë, të jenë pjesë e tregut ndërkombëtar të punësimit në anije.

– A kanë luajtur rol ndihmues strukturat shtetërore në zhvillimin e këtij procesi?

Vlen për t’u theksuar se Qendrës sonë të trajnimit, nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e Administratës Detare, si dje ashtu dhe sot, e cila nëpërmjet ekspertëve të saj, kuptonte dhe kupton vështirësitë dhe sfidat e këtij sektori. Të bindësh jo vetëm detarët mbi rëndësinë e këtyre trajnimeve, por gjithashtu të orientosh brezin e ri drejt këtij sektori, që dje konsiderohej një mollë e ndaluar për shqiptarët, nuk është aspak e lehtë.

Një tjetër tabu e thyer që na bën të ndjehemi krenar, është fakti që në vitin 2011 një grup prej 15 vajzash shqiptare për herë të parë u angazhuan në pozicionet e Stewardess në tragete. Ky ishte momenti kur mentaliteti se puna detare ishte vetëm për burra, pak nga pak, filloi te krisej. Sot ato numërojnë më shumë se 100 dhe jo vetëm si detare profesioniste, por edhe si artiste apo pozicione të tjera, deri dikur të pamenduara që mund të zhvilloheshin në anije. Tendenca për shtimin e numrit te vajzave te punësuara ne det, është në rritje duke qenë se sektori i kroçerave aktualisht është i prekshëm edhe nga të rinjtë Shqiptarë.

Sot falë këtyre përpjekjeve, vajzat shqiptare nuk ngurojnë të aplikojnë në pozicione nga më të ndryshmet në anijet traget dhe ato kroçerë, duke marrë jo pak herë edhe vlerësime më të mira se sa meshkujt. Këtu duhet sqaruar se ende pak vajza shqiptare i janë dedikuar shkollës së lartë të detarisë, që fatmirësisht sot operon jo vetëm në Vlorë, por edhe në Universitetin e Durrësit.

Ky specializim u lejon atyre më pas të bëjnë karrierë në anije tregtare në pozicionet drejtuese të Oficerëve dhe Kapitenit. Prandaj mendoj që kemi ende shumë punë për të bërë, pasi sapo kemi filluar të futemi në një sektor me epërsi mashkullore dhe që dikur ishte tabu për ne vajzat. Brenda kompanisë TSTS Group, në skuadrën tonë, vajzat janë më të shumta në numër. Ky fakt nuk ka qenë i rastësishëm, por një përzgjedhje e drejtuesve të saj, për të ndryshuar një mentalitet që nuk përkon me kohën që jetojmë dhe për të ngjasuar sa më shumë me kolegët e vendeve fqinje si Italia, Greqia, Mali i zi dhe Kroacia, shpjegon Marseda Shkodra, aktualisht në pozicionin CEO i Grupit TSTS.

-Çfarë përfaqëson Shoqëria TSTS Group në sektorin detar shqiptar?

Shoqëria TSTS Group është e njohur ndryshe si Qendra e Trajnimit dhe Punësimit Detar. Kjo Shoqëri është e autorizuar nga Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Punës, Ministrisë së Brendshme, referuar Licencave të lëshuara nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Nga viti 2011, Shoqëria TSTS Group, prej vitesh operon me standardet 9001:2015 dhe në Dhjetor të 2018, u pajis gjithashtu me një certifikim të veçantë për zbatimin e Konventës mbi Punën Detare MLC 2006, ratifikuar së fundmi nga vendi ynë.

Që në vitet e para të krijimit, Shoqëria TSTS është angazhuar në projekte serioze nga grupe të rëndësishme industriale, falë profesionalizimit të stafit teknik që zotëron, vendas dhe i huaj, i cili ka ditur t’i përgjigjet me korrektësi kërkesave specifike të tregut, duke ofruar një shërbim të kompletuar dhe cilësor në tregun shqiptar.

“Shoqëria TSTS Group sot përfaqëson në mënyrë direkte emra të rëndësishëm të tregut ndërkombëtar detar si COSTA Crociere, GNV, ESA Group, Adria Ferries, Corsica Ferries, Selection, etj. Ky besim i ofruar në rang ndërkombëtar na ka lejuar të punësojmë më shumë se 700 të rinj dhe të reja shqiptare, me rroga duke filluar nga 1000$ në muaj dhe ky numër sa vjen e rritet. Puna detare është ai sektor punësimi ku forca punëtore dhe intelektuale nuk i largohet përgjithnjë vendit, përkundrazi ajo rikthehet me një zhvillim profesional të njohur ndërkombëtarisht dhe me një ekonomi familjare më të shëndoshë.

Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do t’i kthejmë vendit tonë, rëndësinë që i takon në sektorin detar, duke e faktorizuar atë në një treg që nuk njeh kufi. Koha sot kërkon që Shqipëria të marrë një rol lider në rajonin ballkanik, duke shfrytëzuar hapësirat që i lejon pozicioni i saj gjeografik, ndaj pamundësisë së vendeve fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Serbia për të pasur dalje në det. Roli i liderit në një sektor, siç është ai detar, kërkon angazhim të ekspertëve të fushës, strategji të mirë konceptuar, analiza krahasuese mbi legjislacionin dhe konkurrencën, bashkëpunim ndërinstitucional dhe përfshirje të sektorit privat në vendimmarrjet që prekin interesat e tyre. Nuk mund të qëndrojmë në pritje se çfarë do të na propozojnë për zhvillimin e sektorit, partnerët e huaj, apo fqinjët tanë, kur ata vetë janë të ndikuar që konkurrenca e sektorit detar të mos prekë vendet e tyre.

-Cilat janë risitë që kjo Kompani ka arritur të zhvillojë në procesin e trajnimit dhe punësimit detar?

Ne kemi propozuar në Shqipëri një mënyrë të re të kuptimit të trajnimeve për figura të specializuara detare, sipas një modeli që rrit elementin njerëzor dhe lejon zhvillimin e një niveli të lartë të aftësive teknike dhe teknologjike”, thekson Drejtoresha e Përgjithshme e Grupit TSTS. Qëllimi ynë është të kualifikojmë të rinjtë shqiptarë sipas kërkesave të tregut. Mundësia për një trajnim bashkëkohor e të vazhdueshëm, do t’i ndihmojë ata për të kryer detyrat e tyre me përgjegjësi profesionale dhe do t’i vendosë ata në një pozitë të favorshme, për t’u përballur me konkurrencën ndërkombëtare”.

Falë besimit të kompanive me të cilat bashkëpunojmë, referuar avantazheve që ofrojmë: moshës së re të kandidatëve, njohjes së gjuhëve të huaja, pozicionit gjeografik dhe kostove të ulëta në specializimin e stafit, sot ia kemi arritur të futemi në tregun ndërkombëtar të punësimit detar. Edhe pse ne do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin entuziazëm, jam e mendimit se e ardhmja e sektorit u përket dhe është në dorën e të detareve të rinj, të cilët do ta shikojnë me interes këtë perspektivë punësimi për karrierën e tyre profesionale./DITA

Share This Article
2 Comments
  • Pershendetje jam Lulzim.Gashi nga Prizreni dhe pata nderin qe te ju.shenoj jam.i.interesuar qe te punoj.ne.staffin e Tsts grupit jam.i profesionalizuar ne fushen e.siguris dhe antiterorit..ju lutem ma.konfirmoni.nga ju.

  • Urime per Suksesin Marseda!
    Do te Isha shume e lumtur nese mund te behem pjese e stafit tuaj ne Anije!
    Ju lutem me Jepni nje shans per te punuar ne Anije Tuaj!
    Profesioni im eshte Financiere, por mund te jem nje Ndihmese Kuzhiniere shume e mire.
    Deti eshte shume I adhurueshem per mua , Jo vetem per faktin qe te jep qetesi shpirterore por edhe per jodin qe e Kam shume te domosdoshem!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *