Farmacitë nuk mund të lidhin kontratë për 2016-ën, nëse nuk plotësojnë kriteret e reja të vendosura nga Këshilli Administrativ i Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme dhe Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), sa i takon largësisë që duhet të kenë nga poliklinikat dhe spitalet publike, si dhe subjekte të tjera farmaceutike që ekzistojnë. Kritere që sipas përfaqësuesve të farmacistëve janë në kundërshtim me ligjin për shërbimin farmaceutik dhe rregulloret e tjera vepruese në funksion të skemës së rimbursimit të barnave. Sipas Urdhrit të Farmacistëve, një pjesë e konsiderueshme e kritereve të vendosura nga Këshilli i FSDKSH-së, janë të pabazuara në ligj, në vendimet e qeverisë, si dhe janë në shkelje flagrante të ligjeve në fuqi dhe të drejtave të njeriut që garanton Kushtetuta. Në prag të nisjes së procedurave për lidhjen e këtyre kontratave të reja, farmacistët paralajmërojnë nisjen e betejës ligjore për pezullimin e detyrimeve të vendosura në mënyrë të njëanshme nga Fondi. Konkretisht, bëhet fjalë për vendosjen e kritereve të distancës që duhet të përmbushin subjektet që kërkojnë të lidhin kontratë për herë të parë me FSDKSH-në për barnat e rimbursimit. Farmacive u kërkohet që të plotësojnë kriterin e sipërfaqes prej 50 m2, të kenë distancë jo më pak se 30 metër nga kufiri i jashtëm i institucionit shëndetësor publik, si dhe distancë jo më të vogël se 150 metër nga farmacia ekzistuese. Fondi ka vendosur që gjatë këtij viti nuk do të lejohet lidhja e kontratave me farmacitë që janë në proces gjyqësor me ketë institucion, apo Drejtoritë Rajonale të Fondit. Subjektet që preken nga këto detyrime kanë dorëzuar tashmë ankesën paraprake që do t’i paraqitet Gjykatës Administrative. “Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka kontraktuar një studio ligjore, e cila po mbledh gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të iniciuar procesin ankimor në Gjykatën Administrative, me qëllim rrëzimin e të gjitha pikave diskriminuese dhe antiligjore të kritereve dhe kontratës së hartuar për 2016-ën, që do sillte automatikisht rrëzimin e projekt kontratës diskriminuese të aprovuar nga FSDKSH. Shumë prej subjekteve që gjatë periudhës 2015 kanë bërë kërkesë për lidhje kontrate, iu është refuzuar për mosplotësim kriteresh (si sipërfaqe, proces gjyqësor me Fondin, largësia, etj). Me këtë problematikë janë hasur edhe farmacitë që kanë kërkuar të rilidhin kontratat për skemën e barnave të rimbursimit përgjatë vitit të shkaur”, bëhet me dije nga Urdhri i Farmacistëve. Ndërkohë që zyrtarizimi i kontratave të reja pritet të bëhet përgjatë muajit prill.
Skema e rimbursimit për 2016-ën, detyrimet për farmacitë
Autoritetet e FSDKSH-së bëjnë më dije se për të shmangur abuzimet me barnat e rimbursimit është vendosur që për këtë vit të forcohen detyrimet për farmacitë, duke shtuar detyrimet sa i takon skemës së administrimit të barnave të rimbursimit që duhet të ndajnë për kategoritë përfituese. Sipas kushteve të vendosura, asnjë recetë nuk do të rimbursohet nëse në të do të mungojë një prej elementëve si: “Numri i serisë së recetës, emër mbiemër pacienti, kodi i pacientit, datëlindja, zgjedhja e kategorisë, diagnoza, kodi i diagnozës, tipi i sëmundshmërisë, kodi i qendrës shëndetësore, data e lëshimit të recetës, kodi i mjekut, firma vula e mjekut, vula e institucionit, data ekzekutimit të recetës, numri i recetës për farmacinë, firma e farmacisë”. Gjithashtu, recetat nuk do të rimbursohen edhe kur bëhet përshkrimi i barnave sipas emërtimit xhenerik (përjashtuar veteranet dhe invalidët e luftës), kur nuk respektohet numri i barnave në recetën me rimbursim të pjesshëm (jo më shumë se tre barna), si dhe në rastet e lëshimit të recetës së veçantë për barnat narkotike dhe psikotrope. Në varësi të llojit të ilaçit, farmacia duhet të respektojë edhe afatet e lejuara për ekzekutimin e recetave të paraqitura nga pacientët. Kështu, farmacia duhet që të pranojë dhe ekzekutojë receta me rimbursim brenda tre ditëve për recetat me antibiotikë, si dhe brenda shtatë ditëve nga data e lëshimit për recetat e tjera me rimbursim. Për alternativat më të shtrenjta të barnave të listës së barnave që rimbursohen, farmacia do të rimbursohet vetëm kur në recetë është plotësuar nga mjeku emri tregtar i barit, duke plotësuar saktësisht kodin përkatës. Në rastin kur nuk është plotësuar emri tregtar i barit, farmacisë i rimbursohet bari në masën e alternativës së parë, sipas listës së barnave që rimbursohen.
Lidhja për herë të parë e kontratave për barnat e rimbursimit:
Farmacia që lidh kontratë për herë të parë duhet të ketë mundësi hyrjeje të përshtatshme për invalidët para dhe tetraplegjikë.
Farmacia që lidh kontratë për herë të parë duhet të ketë sipërfaqe të shfrytëzueshme mbi 50 m2. (Genplan i lëshuar nga arkitekt dhe inxhinier i licencuar).
Farmacia që lidh kontratë për herë të parë, duhet të jetë në një distancë të tillë jo më pak se 150 m (rrugë këmbësore) nga farmacia ekzistuese me kontratë(plan vendosje dhe vërtetim lëshuar nga arkitekt i licencuar).
Farmacia që lidh kontratë për herë të parë duhet të ketë një distancë të tillë jo më pak se 30 m nga hyrja e qendrës shëndetësore ose spitalit.
Farmacia që lidh kontratë për herë të parë nuk duhet të jetë në të njëjtin mur ndarës me qendrën shëndetësore ose spitalin.

1. FONDI KA LISTEN E BARNAVE DHE CMIMET QE
RIMBURSON.
2. FARMACIA I JEP KETO ILACE PA PARA VETEM
KUR PACIENTI VJEN ME RECETEN E MJEKUT.
NUK E GJEJ DOT KUPTIMIN E ‘RREGULLIMIT’ TE FARMCIVE, PERVEC RRJEPJES QE DUAN TI BEJNE BUROKRATET E ISSH KETYRE TE SHKRETEVE.
RROFTE POPULLI SHQIPETAR, TRIM DHE HEROIK.