Kontributet e diplomatit dhe studjuesit anglez William Martin Leake në kulturën albanologjike

Ornela

Prof. Dr. (Emeritus) Refik Kadija

Kolonel William Martin Leake (1777-1860) bën pjesë në grupin e udhëtarëve më të shquar anglezë të gjysmës së parë të shekullit XIX, si George Gordon Byron, John Cam Hobhouse, Sir Henry Holland, Thomas Smart Hughes, Charles Robert Cockerell, etj., të cilët vizituan trojet shqiptare dhe shkruan mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, mbi historinë, gjeografinë, gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve. Ata nuk ishin udhëtarë të rastit apo turistë të rëndomtë. Të gjithë u dërguan nga qeveria angleze me misione speciale, diplomatike, ushtarake e informative pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Ata bënin pjesë në elitën e aristokracisë britanike, ishin profesionistë me shkollim elitar në Universitetin e Oksfordit, Universitetin e Kembrixhit dhe në universitete të tjera të Britanisë së madhe. Të gjithë botuan vepra pas kryerjes së misionit të tyre në Ballkan dhe bënë karrierë të shkëlqyer duke u bërë personalitete të njohura të shtetit të tyre, të kulturës, shkencës, letërsisë e artit.

Të gjithë erdhën në Janinë kur Ali Pasha ishte në kulmin e fuqisë së tij. Ata erdhën njeri pas tjetrit gjat dy dekadave të para të shekullit XIX në një shtrirje kohore prej pak vitesh; të gjithë ata njiheshin ose ishin miq me njeri tjetrin.

Lord Byron-i është i mirënjohur për lexuesin shqiptar. Ai erdhi në Janinë si mik i nderuar i Ali Pashës, së bashku me mikun e tij të ngushtë J. C. Hobhouse. Ai u prit me nderime të mëdha nga veziri, i cili kishte marrë njoftim paraprak nga Leake-u për ardhjen e një lordi “nga familje e madhe”. Bajroni ka meritën se është i pari i këtij grupi që i bëri të njohur shqiptarët e Shqipërinë për publikun e gjërë britanik e më përtej nëpërmjet veprës së tij poetike “Shtegëtimet e Çajld Haroldit”. Ai është i pari i këtij grupi që e botoi veprën e tij mbi Shqipërinë e shqiptarët – ‘Këngën e Dytë’ të poemës epiko-lirike të “Çajld Haroldit”, të cilën e filloi në Janinë më 31 tetor 1809 dhe e botoi në Londër më 3 mars 1812 (bashkë me Këngën e Parë). Ky botim i solli poetit dhe poemës së tij sukses të papritur e të jashtëzakonshëm, aq sa Bajroni më vonë shkroi: “U zgjova një mëngjes dhe e pashë veten të famshëm” (angl. “I awoke one morning and found myself famous”). Pesëqind kopjet e para u shitën mbrenda 3 ditëve dhe vepra u ribotua 10 herë mbrenda 3 viteve. Pas poemës së Bajronit u botuan veprat e udhëtarëve të tjerë.

 

Historiani dhe politikani John Cam Hobhouse (1786-1869), i njohur edhe si Baron Broughton, ishte mik i ngushtë, bashkëstudent në Universitetin e Kembrixhit dhe bashkudhëtar i Lord Byron-it në udhëtimin në Portugali, Spanjë, Gibraltar, Maltë, Greqi, Shqipëri e Kostandinopojë më 1809-1810. Nga Malta ai dhe Bajroni u inkurajuan nga inteligjenca diplomatike e navale britanike që të udhëtonin në Shqipëri. Miqësia e tij e ngushtë me Bajronin vazhdoi gjatë gjithë jetës.Më 2 janar 1815 ai ishte “shoqërues i dhëndrit” në martesën e Bajronit me matematicienen Annabella Milbanke, ndonëse martesa e tyre u shpërbë fiks pas një viti. Në vjeshtën e 1816-ës Hobhouse-i shkoi te Bajroni në Zvicër në vilën Diodati pranë Gjenevës dhe së bashku vizituan Venecian dhe Romën. Gjatë kësaj periudhe Hobhouse-i shkroi shënimet për Këngën e Katërt të “Shtegtimeve të Çajld Haroldit”, të cilën pastaj Bajroni ia dedikoi atij. Në shtator 1822 në Pisa ai u takua për herë të fundit me Bajronin, i cili, kur u ndanë, i tha me lotë në sy: “Hobhouse, ti nuk duhej të kishe ardhur fare, ose nuk duhet të ikësh kurrë”. Më 1823 ai u bë një nga anëtarët më aktivë të Komitetit për Çlirimin e Greqisë në Londër, ndërkohë që Bajroni u nis për në Greqi për të marrë pjesë aktive në Revolucionin Grek, ku vdiq pas një viti, me 19 prill 1824. Në korrik 1824, Hobhouse-i vërtetoi testamentin e Bajronit, si një nga ekzekutorët e tij, dhe mbikqyri përgatitjet për funeralin e Bajronit në Huckhall Torkard, Nottinghamshire, Angli. Me këshillën e tij “Kujtimet” e Bajronit (me të dhëna intime) u asgjësuan. Më 1830 Hobhouse-i, si miku më i ngushtë e më besnik i Bajronit, ishte gati t’i përgjigej publikisht “Vërejtjeve” të Zonjës Bajron për rrethanat e ndarjes me bashkëshortin. Mirëpo një mik tjetër i tyre, Doktor Hollandi, e bindi të mos e bënte një gjë të tillë. Megjithatë, ai përpiloi “një përshkrim të hollësishëm, të saktë e të plotë” të marrëdhënieve të tyre “për t’u përdorur nëse do të ishte e nevojshme”, i cili mbeti në dorëshkrim.

Vepra kryesore e Hobhouse-it “Udhëtim nëpër SHQIPËRI dhe në provinca të tjera të Turqisë në Europë dhe Azi, deri në Konstandinopojë, gjatë viteve 1809-1810”(angl. “A Journey through ALBANIA, and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Constantinople, during the years 1809 e 1810”)u botua për here të parë më 1813 në Londër, në 2 vëllime, trajtuar në formë epistolare – në 50 Letra me 1152 faqe. Kjo vepër u botua për herë të parë në Amerikë më 1817 dhe u ribotua në Londër më 1855 (me titull pak të ndryshuar). Që para takimit me Ali Pashën, Hobhouse-i shprehet me respekt për personalitetin e vezirit: “Ali is, indeed, a very great man, as you will be inclined to acknowledge, if you have the patience to proceed with me on my journey.” (“Aliu është vërtet një njeri shumë i madh, dhe ju do të jeni i detyruar ta pranoni, nëse keni durim të më ndiqni mua në udhëtimin tim”. – Letra III, f. 35). Shënimet e Hobhouse-it mbi Shqipërinë, Ali Pashën dhe shqiptarët përfshihen në Letrat II – XV, nga faqja 2 deri në faqen 160, por sidomos në 50 faqet e Letrave XI – XIV (f. 109-159).

Me 12 tetor 1809 ai dhe Bajroni u pritën nga Aliu në sarajin e tij në Tepelenë. (Letra XI, f. 109-124). Hobhouse-i tregon se Aliu i priti në këmbë si shënjë e nderimit të veçantë; pastaj i ftoi të ulen pranë tij në divan: “Ai po na priste në këmbë kur hymë, gjë që kuptohej si kompliment, sepse një turk me pozitë nuk ngrihet kurrë për të pritur dikë që nuk është i një shkalle më të lartë…. Kur ecëm drejt tij, ai u ul dhe shprehu dëshirën që të uleshim afër tij.” (f.109). Pastaj Hobhouse-i përshkruan sallonin e pritjes “të mobiluar shumë këndshëm dhe që kishte një shatërvan prej mermeri në mes”. Më tej ai jep portretin fizik të Ali Pashës dhe karakterin e tij.

Gjatë bisedës Aliu i uroi ata për fitoren e anglezve, “për lajmet që kishin ardhur dy javë më parë për Zanten, Qefaloninë, Ithakën dhe Cerigon që i ishin dorëzuar skuadronit anglez: ai tha se ishte i lumtur që t’i kishte fqinjë anglezët, sepse ishte i sigurtë se ata nuk do të silleshin me të siç kishin bërë rusët dhe francezët që i kishin marrë nën mbrojtje robërit e tij të arratisur. Ai tha se gjithmonë kishte qenë mik i Kombit tonë, bile edhe gjatë luftës sonë me Turqinë, dhe se kishte luajtur rol vendimtar në rivendosjen e Paqes”. (f. 110). [Këtu është fjala për takimin e fshehtë midis Ali Pashës dhe W.M. Leake-ut natën e 12 nëntorit 1807 në rrënojat e Nikopolit të lashtë pranë Prevezës. Kapiten Leak-u erdhi me porosi direkte nga Mbreti George III i Britanisë së Madhe për të kërkuar zyrtarisht nga Ali Pasha që të negocionte pranë Sulltan  Selimit III për rivendosjen e paqes midis Turqisë e Britanisë. Dhe Aliu ia arriti qëllimit.]

Gjatë bisedës me Ali Pashën, Hobhouse-i tregon se Aliu “na pyeti çfarë na kishte nxitur për të udhëtuar në Shqipëri? Ne i thamë se ishte dëshira për të takuar një njeri aq të madh si ai. ‘Vërtet’, na u kthye, ‘kishit dëgjuar për mua në Angli?’ Ne sigurisht e siguruam atë se ai ishte një subjekt shumë i zakonshëm i bisedave në vendin tonë; dhe ai dukej se nuk ishte fare i imunizuar nga lajkat” (f. 110). Në vazhdim Aliu i tregoi Hobhouse-it dhe Byron-it një kobure të praruar që e kishte dhuratë nga Napoleon Bonaparti: “Ai na tregoi disa kobure dhe një shpatë; pastaj mori një pisqollë që ishte varur mbi kokën e tij në një qese dhe na tha se ishte dhuratë nga Mbreti i francezve. Ishte një pushkë e shkurtër me qytë të larë në argjend dhe me diamante e brilante të inkasuara në të dhe dukej një dhuratë e bukur. Mirëpo sekretari na informoi se kur pisqolla erdhi nga Napoleoni, ajo kishte vetëm një qytë të rëndomtë dhe të gjitha zbukurimet ishin shtuar nga Madhëria e tij për ta bërë të duket sa më tepër si dhuratë mbretërore”. (f. 111).

 

Sir Henry Holland (1788-1873) mbante titullin e fisnikërisë ‘Baronet’ dhe ishte mjek i shkëlqyer dhe udhëtar i palodhur. Ai ishte mik i ngushtë dhe kushëri i largët i Çarls Darvinit, kushëri i parë i romancieres Elizabeth Gaskell, mik i Lord Bajronit, romancieres Meri Shelli dhe   romancierit Valter Skot, mjek i Mbretëreshës Viktoria dhe bashkëshortit të saj Princit Albert, etj. Ai e vizitoi Ali Pashën në vitet 1812-1813. Vepra e tij madhore Travels in the Ionian Isles, Albania, Thessaly, Macedonia, &c. during the Years 1812 and 1813 (“Udhëtime nëpër Ishujt Jonianë, Shqipërinë, Thesalinë, Maqedoninë, etj., gjatë viteve 1812-1813”) me 551 faqe u  botua në Londër më 1815. Në këtë vepër ai bën një përshkrim të hollësishëm të biografisë së Ali Pashës dhe jep përshtypjer e tij për vezirin shqiptar. Gjithashtu ai bën një përshkrim të hollësishëm të historisë së Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare që vizitoi gjatë qëndrimit në Janinë. Ai ishte udhëtar i përjetshëm: udhëtoi rregullisht çdo vit nga mosha 20 vjeçare deri në moshën 85 vjeçare. Vdiq në shtëpinë e tij në Londër në Brook Street me 27 tetor 1873 në 85-vjetorin e ditëlindjes së tij, kur sapo ishte kthyer nga udhëtimi i tij në Moskë e në Romë. Ai e njihte kontributin e Leake-ut. Në shënimet e veprës së tij, ndër të tjera, ai shkruan se “Majori Leake, në shënimet e tij mbi Greqinë, i është përmbajtur kësaj ideje mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe unë mendoj se ai e ka provuar plotësisht të vërtetën e opinioneve të tij”.[angl. “Major Leake, in his remarks on Greece, has maintained this idea of the Illyrian descent of the Albanians; and I think has entirely proved the truth of the opinions”].

Teologu e historiani i Universitetit të Kembrixhit Reverend Thomas Smart Hughes (1786-1847) vizitoi Greqinë dhe Shqipërinë pasi kishte vizituar Spanjën, Italinë e Siçilinë dhe qëndroi për gati dy vjet në Janinë gjatë viteve 1813-1814. Pas këtij udhëtimi ai u kthye në Universitetin e Kembrixhit dhe më 1820 botoi në Londër veprën Travels in Sicily, Greece, and Albania (“Udhëtime në Siçili, Greqi dhe Shqipëri”) në dy vëllime. Kjo vepër u ribotua me pak ndryshime më 1830 me titullin “Udhëtime në Greqi e Shqipëri”, me 1024 faqe, të ilustruara me skica e gravura nga miku i tij, arkitekti Charles R. Cockerell. Autori e përktheu vetë në frëngjisht vëllimin e parë të kësaj vepre dhe e botoi në gjuhën frënge në dy vëllime më 1821. Ajo u përkthye edhe në gjermanisht dhe u botua në Jena në të njëjtin vit (1821).

 

Arkitekti e arkeologu i famshëm anglez Charles Robert Cockerell (1788-1863) kishte lindur në të njëjtin vit me Bajronin, ishte gjithashtu mik i tij, jo vetëm i T.S. Hughes-it. Në janar 1814 ai ishte në Janinë, ku u prit nga Ali Pasha.Në fakt ai u takua më shumë se një herë me Ali Pashën. Mund të themi se Cockerell-i ka bërë përshkrimin më objektiv dhe pa paragjykime të portretit të Ali Pashës dhe rolit të tij si shtetar e diplomat. Pasi përfundoi një turne që zgjati 7 vjet (1810-1817), ai u kthye në Angli, ku pati një karrierë të shkëlqyer si arkitekt. Për 20 vjet punoi si profesor i arkitekturës në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër. Vepra e tij “Udhëtime në Europën jugore dhe në Levant, 1810-1817” (Travels in southern Europe and the Levant, 1810-1817”) u botua vetëm më 1903 nga i biri Samuel Pepys Cockerell, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së tij.

William Martin Leake-u është i pari nga gupi i udhëtarëve anglezë që i vizitoi trojet shqipare, bile më shumë se të gjithë të tjerët pas tij. Gjithashtu ai është i pari i këtij grupi që u dërgua me mision special në pashallëkun e Janinës. Qeveria angleze e dërgoi Leake-un dy herë me mision special në provincat ballkanike të Perandorisë Osmane, përfshirë trojet shqiptare. Në misionin e parë ai erdhi në Shqipëri më 1804…. Me 9 dhjetor 1804 Leake-u zbriti në Vlorë dhe vizitoi Vlorën, Kaninën, Sazanin, Orikumin, Palasën e të gjitha fshatrat e tjera të bregdetit (Piqerasin, Qeparon, Shën Vasilin, etj.), Sarandën, Delvinën, Gjirokastrën, Tepelenën, Kardhiqin, Finiqin, Himarën, Ksamilin, Konispolin dhe Filatin. Pastaj përsëri, nga qershori deri në tetor 1805 ai vazhdoi turneun e tij nëpër trojet shqiptare: ai hyri nga Maqedonia në Devoll dhe vizitoi Korçën, Voskopojën, Beratin, Apolloninë (ku u sëmur rëndë nga ethet), Këlcyrën dhe Përmetin. Ai e vazhdoi këtë turne të madh deri në shkurt 1807. Pikërisht në tetor të këtij viti Kapiteni britanik i artilerisë Leake u dërgua nga qeveria e tij në pashallëkun e Janinës me një mision të rëndësishëm shtetëror për t’u takuar posaçërisht me Ali Pashën.

William Martin Leake-u lindi në qendër të Londrës (Bolton Road) më 14 janar 1777. Ai ishte një matematicien, topograf e gjeograf i zoti me formim ushtarak të plotë si officer artilerie i diplomuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Anglisë. Në moshën 17-vjeçare u diplomua dhe për gati 2 vjet u dërgua si nëntoger artilerie në Indet Perëndimore, pikërisht në Antigua të Guatemalës gjat luftës së Britanisë me Francën e Bonapartit. Në tetor 1798 iu bashkua misionit ushtarak britanik në Stamboll – kjo ishte një pikë kthese në karrierën e tij. Pjesën më të madhe të karrierës së tij ushtarake e kaloi me shërbime speciale në Mesdhe e Ballkan. Pasi u angazhua për 2-3 vjet në veprime ushtarake kundër francezëve në Egjipt, Qipro, Siri dhe Greqi, në janar 1803 u kthye në Angli. Ndërkohë ai u formua edhe si diplomat i aftë.  Në shtator 1804 ai u dërgua përsëri në Lindjen e Afërme, tashmë me mision të dyfishtë ushtarak e diplomatik, i cili zgjati 6 vjet (1804-1810). Misioni i tij i parë ishte që të negocionte me guvernatorët e vezirët e provincave europjane të Perandorisë Osmane për t’i mbështetur në mbrojtjen e kufijve të tyre kundër francezëve. Ai u udhëzua të bënte survejime ushtarake dhe të mblidhte të dhëna për topografinë e gjeografinë e përgjithshme të Greqisë dhe Shqipërisë së jugut. Ai vizitoi Maltën, Korfuzin dhe Zanten dhe zbriti në More në shkurt 1805. Për dy vjet shëtiti nëpër More dhe Greqi të veriut duke bërë regjistrime topografike, duke identifikuar vendbanime të lashta dhe duke mbledhur monedha greke. Përveç monedhave, Leake-u mblidhte edhe skulptura e relieve mermeri, objekte bronzi, xhevahire dhe vazo të lashta.

Në shkurt 1807 plasi lufta midis Turqëisë dhe Anglisë dhe Leak-u u burgos në Selanik për disa muaj, por arriti të arratisej dhe u kthye në Angli. Në tetor 1807 ai u dërgua përsëri në Greqi për misionin e tij të dytë – ky ishte një mision i rëndësishëm i dyfishtë, ushtarak dhe diplomatik. Ai duhej t’i dhuronte guvernatorit turk të Greqisë Ali Pashë Tepelenës municione dhe pajisje artilerie dhe duhej ta ngarkonte vezirin me detyrën e rëndësishme të rivendosjes së paqes midis Anglisë e Portës së Lartë për të luftuar kundër armikut të përbashkët – Francës. Leake-u e përmbushi këtë detyrë me sukses, fitoi përkrahjen e miqësinë e Aliut dhe nga shkurti 1809 deri në mars 1810 qëndroi si ambasador i Britanisë së Madhe në sarajet e Ali Pashës në Janinë prej nga bënte vizita të shpeshta në Epir e Thesali. Ali Pasha i dhuroi Kolonel Leake-ut një bust mermeri të shtetarit e oratorit të lashtë grek AEschines (389-314 Para Krishtit) me emrin e tij të gdhendur qartë, i cili ishte nga Monastiri (Bitolia e Pelagonisë së lashtë).

 

Karrierën ushtarake me shërbime jashtë Anglisë Leake-u e mbylli me gradën nënkolonel në moshën 39-vjeçare. Përveç një ndërprerjeje të shkurtër për një mision në Zvicër në maj-tetor 1815, ai qëndroi përfundimisht në Angli dhe iu kushtua studimeve letrare e shkencore dhe renditjes, trajtimit e botimit të koleksionit të madh të materialeve që kishte grumbulluar gjatë udhëtimeve të tij. Për vendet që vizitoi zhvilloi një interes të thelluar për historinë, gjeografinë, kulturën, arkeologjinë dhe numismatikën. Pas moshës 39-vjeçare nuk u largua më nga Anglia. Gjatë jetës së tij 83-vjeçare, nga kërkimet shkencore dhe shënimet e udhëtimit të hedhura me kujdes e hollësi në ditaret e tij, ai botoi 10 libra dhe më shumë se 30 artikuj shkencorë, si dhe disa pamflete politike e artikuj në gazeta. Më 1838, në moshën 61 vjeçare, u martua me të venë e një miku të tij. Më 1839 Leake-u ia dhuroi Muzeut Britanik skulpturat prej mermeri, përfshirë bustin e AEschines-it që e kishte kujtim nga Ali Pasha. U emërua Profesor i Universitetit të Oksfordit dhe ishte themelues dhe anëtar i Shoqatës Gjeografike Mbretërore, anëtar i Shoqatës Mbretërore të Letërsisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Berlinit, anëtar korrespondent i Institutit Francez, etj. Vdiq në qytetin bregdetar Hove në jug të Anglisë më 6 janar 1860.

Më 1864, 4 vjet pas vdekjes së Leake-ut, u botua në Londër një libërth prej 43 faqesh ‘vetëm për qarkullim privat’ me titull “Biografi e shkurtër e jetës dhe shkrimeve të të ndjerit Nën-kolonel William Martin Leake” (angl. A Brief Memoir of the Life and Writings of the Late Lieutenant Colonel William Martin Leake). Në kopertinën e këtij botimi është vënë një epigraf nga një letër e dërguar nga Athina e historianit skocezGeorge Finlay, mik i përbashkët i Lord Byron-it dhe i Leake-ut: “Kujtimi i tij do të ruhet me respekt për sa kohë që Greqia do të gëzojë pavarësinë dhe grekët të kenë sadopak njohuri mbi letërsinë; ai do të kujtohet jo vetëm si dijetar e gjeograf i madh, por edhe si përkrahësi i parë dhe i paepur i lirisë së Greqisë”.

Pjesa kryesore e këtij botimi i kushtohet marrëdhënieve të W. M. Leake-ut me Ali Pashë Tepelenën. Është përshkruar me hollësi takimi sekret i tyre. Rrethanat e takimit dëshmojnë se Ali Pasha ishte një diplomat i regjur e i zgjuar: “Në muajin shkurt 1807, me qenë se diplomatët britanikë në Stamboll kishin dështuar në përpjekjet e tyre për të ruajtur paqën midis Portës së Lartë dhe Rusisë, Sir John Duckworth-i hyri në Ngushticën e Dardaneleve me skuadronin e tij dhe u shpall luftë midis Portës dhe Anglisë. Si rrjedhojë e kësaj, Kapiteni Leake e pa veten të mbajtur për disa muaj si i burgosur në Selanik. Kur rifitoi lirinë, ai u dërgua menjëherë me anije në bregdetin e Epirit dhe atje bëri një takim jo më pak të rëndësishëm në rezultatet e tij sesa romantik në rrethanat që u zhvillua, me Aliun, Pashain e shquar të Shqipërisë.

Ky takim u bë natën e 12 nëntorit 1807 pranë rrënojave të qytetit të lashtë të Nikopolit (Prevezë). Në pjesën e parë të ditës Kapiteni Leake dërgoi një person në breg për të bërë përgatitjet për zhvillimin e bisedimeve. Ky lajmëtar u takua me një prej sekretarëve të Aliut, i cili i dha udhëzime konfidenciale se çfarë roli duhej të luante në skenën që do të improvizohej nga ai vetë dhe Pashai për ta çoroditur konsullin francez (F. Pukvilin). Ai do të supozonte, në praninë e konsullit francez, se Anglia dhe Porta ishin në paqe dhe do të kërkonte leje për të blerë rezerva ushqimore. Në çastin e duhur lajmëtari u paraqit para Aliut, i cili po rrinte me konsullin francez pranë tij, dhe vazhdoi të vepronte sipas udhëzimeve. Kërkesa për leje për të blerë ushqime u prit me refuzim të prerë nga Aliu. Gjithashtu Aliu shtoi, me shumë fodullëk, se dy kombet ishin ende në luftë, dhe se ndërmjetësi mund ta quante veten me fat që do ta lejonin të kthehej në anije, duke lënë të kuptohej se anija duhej të largohej nga bregu menjëherë. Kështu intervista u ndërpre dhe lajmëtari u largua. Megjithatë, ai nuk kishte arritur ende në breg të detit, kur sekretari i Aliut e arriti dhe i dha një mesazh të posaçëm për vetë Kapitenin Leake, i cili udhëzohej të takohej me Pashain pikërisht atë mbrëmje në një vend të caktuar pranë bregdetit afër Nikopolit. Kur u afrua mbrëmja moti u bë shumë i stuhishëm. U pa se ankorimi ishte i pasigurtë dhe të gjithë dyshonin nëse anija mund të qëndronte në breg. Kur ra nata, po të mos kishte urdhëruar Aliu që të ndizej një zjarr në breg dhe të qëllonin me breshëri mushqetat, rremtarët nuk do të kishin qenë në gjendje që ta gjenin në errësirë vendin e takimit. Pasi zbritën, ata panë se Pashai ishte ulur nën një shkëmb dhe ishte i shoqëruar nga dy prej oficerëve të tij më të besuar, kurse pak më tutje ishin vendosur rojet. Ai e kishte hequr qafe konsullin francez me dredhi dhe tani ishte i lirë të vepronte si të kishte dëshirë për të bërë aleancë me anglezët pa frikë e pa rezerva.

Bisedimet përfunduan me angazhimin nga ana e Aliut që të përdorte të gjithë ndikimin e tij për të arritur pajtimin me Portën. Takimi vazhdoi dy orë. Kur u ndanë, dallgët ishin bërë aq të rrerzikshme dhe nata aq e errët sa që e kishin thuajse të pamundur që të arrinin në anije. Megjithatë, vetëtimat ishin të mirëpritura; më në fund, me vështirësi, pasi u lagën e u bënë qull nga deti dhe shiu, atas arritën të hipin në kuvertë dhe anija ‘Delight’ u largua nga bregu. Ishte dëshira e Sir Arthur Paget-it, të dërguarit britanik në Stamboll, i cili i kishte besuar Kapiten Leake-ut misionin e rëndësishëm te Pashai i Shqipërisë, që ai të negocionte edhe me guvernatorët e tjerë të provincave turke nëse do të shihej e mundur…. Kushtet e angazhimit të bërë nga Ali Pasha me Kapitenin Leake në bregdet në Nikopolis u zbatuan me aq efekt sa që gjatë verës që erdhi Porta e Lartë dhe Qeveria Britanike ishin përsëri në paqe.” (f. 24-26)

Mirëpo ndërkohë, siç shpjegohet më tej, bile përpara se të nënshkruhej marrëveshja me Leake-un, “Aliu kishte vendosur të mirrte parasysh të gjitha rreziqet për t’i bërë ballë agresionit të francezëve kundër territorit të tij dhe i ishte drejtuar Qeverisë Britanike për ndihmë. Ai kishte dërguar në Londër Said Ahmet Efendiun, njërin nga shërbëtorët e tij më të besuar, të ngarkuar me komunikime verbale si dhe me një letër formale drejtuar Mbretit të Anglisë.” Në këtë letër të Aliut, e cila në libërth është e përkthyere plotë në anglisht, në mes të tjerave, Aliu shkruan me një gjuhë dipllomatike të hollë se “në kohën që ambasadori i ndjerë i Madhërisë suaj ishte dërguar në Kostandinopojë, unë i shkrova qeverisë sime duke iu lutur që të bënte paqe, sepse midis dy oborreve mbretërore nuk është ndezur ndonjë urrejtje, por ka ndodhur vetëm një ftohje, kështu që nuk mund të ndodhë asnjë luftë e vërtetë midis miqve bashkimi i natyrshëm i të cilëve është i rrënjosur aq thellë sa që nuk mund të lëkundet nga keqkuptime të parëndësishme. Është më se e vërtetë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim se vonesa që ka ndodhur nga disa aksidente fatkeqe nuk mund të konsiderohet si diçka e rëndësishme dhe as nuk mund të pengojë rregullimin përfundimtar të çdo keqkuptimi. Pikërisht për këtë arësye unë i kam kërkuar qeverisë sime që të bëjë paqe dhe kërkesa ime ka qenë e mirëpritur. Porta, e bindur plotësisht në sinqetitetin e angazhimit tim ndaj Madhërisë suaj, e ka menduar të përshtatshme të më ngarkonte mua që të dërgoja në Londër një person të emëruar nga unë me dokumente të cilat ajo ia dërgon Sidki Effendiut, i cili është i ngarkuar posaçërisht me punët e Qeverisë sime në Angli. Duke iu bindur dëshirave të tyre, unë kam dërguar Said Ahmet Effendiun, një person që vepron me besimin tim të plotë e sidomos me këshillat e mia më konfidenciale. Kapiten Leake-u, shërbëtori juaj dhe miku im, mori nga unë personalisht raportin më konfidencial të të gjitha dëshirave të mia dhe me siguri ia ka bërë ato me dije Madhërisë suaj. Gjithashtu, me të arritur në Londër Said Ahmet Effendiu do ta informojë Madhërinë tuaj për gjithshka që e kam ngarkuar verbalisht dhe në konfidencën më të madhe, kështu që Madhëria juaj mund t’i konsideroni fjalët e tij sikur dalin drejtpërsëdrejti nga goja ime. I përgjërohem Madhërisë suaj që t’i marrë seriozisht në konsideratë ato që do t’ju thotë ai. Dhe shpresoj me përulësi se Madhëria juaj do ta përcillni tek unë me lajme të gëzueshme të përmbushjes së dëshirave të mia.” (f. 26-28)

Dhe qeveria angleze ia plotësoi kërkesat Aliut, siç tregohet më tej në këtë biografi të shkurtër: “Në përputhje me dëshirat e aleatit të tyre të ri, Qeveria vendosi që të dërgonte në Greqi një sasi artilerie dhe municioni. Kapiteni Leake pas përmirësimit të shëndetit u muar përsëri në shërbim ushtarak dhe u caktua që t’ia dorëzonte kontigjentin e artilerisë vetë Aliut personalisht në emër të Madhërisë së Tij. Ai u ngarkua edhe me udhëzime të freskëta të cilat i përmban dokumenti i mëposhtëm që iu dërgua atij nga Ministria e Jashtme, personalisht nga Minstri i Jashtëm Z. George Cunning më 21 tetor 1808: “Kur të arrini në bregdetin shqiptar do të gjeni mjetet për ta njoftuar Ali Pashën për objektin e misionit tuaj. Pasi të pranohesh për të bërë bisedime me të, ti do t’i paraqesësh Madhërisë së Tij një listë me pajisjet e artilerisë që të janë besuar nën kujdesin tënd…dhe do ta nxitësh që të ndjekë me vendosmëri operacionet ofensive kundër armikut të përbashkët. Do të përpiqesh që ta bindësh Ali Pashën që të përdorë influencën e tij për t’i bashkuar prijësat e tjerë shqiptarë kundër francezve; veçanërisht për ta bindur Vezirin, Pashain e Shkodrës, që të veprojë në mënyrë sulmuese kundër trupave franceze që janë vendosur në kufi të provincës së tij në anën e Gjirit të Kotorrit (Boccha di Cattarro) dhe në Dalmaci. Për t’i mbështetur më tej këto sugjerime, nëse të duket e arësyeshme dhe nëse mund të bëhet pa e fyer Ali Pashën, ti mund ta mbash një pjesë të vogël të artilerisë dhe municioneve që ke në ngarkim dhe t’ia dhurosh Pashait të Shkodrës…”. (f. 20-30)

Më tej në këtë “Biografi të shkurtër” përmendet takimi i rastit i Kapitenit Leake me mikun e tij poetin Lord Byron, rrethanat e takimit dhe rëndësia e tij. “Kapiteni Leake arriti në Prevezë në shkurt 1809 dhe nga ajo kohë deri në mars 1810, ai e kishte rezidencën e tij të zakonshme ose në Prevezëë ose në Janinë, ndërkohë që bënte eskursione të shpeshta në distriktin e Epirit dhe Thesalisë të cilat nuk i kishte vizituar më parë. Pikërisht gjatë rezidencës së tij zyrtare në Janinë, bëri një vizitë në sarajin e Ali Pashës autori i “Çajld Haroldit”. Prezantimi formal i Lord Byron-it tek Aliu, i cili ishte informuar paraprakisht nga Kapiteni Leake, “ministri anglez”, se ai ishte “nga një familje e madhe”, është përshkruar nga vetë ai në një letër që i dërgonte nënës së tij; kurse në një shënim të “Çajld Haroldit” ai shpreh kënaqësinë e tij që Kapiteni Leake thekson faktin që ai e kishte përshkuar brendësinë e Greqisë më shumë se çdo udhëtar tjetër i mëparshëm, përveç vetë Kapitenit Leake. Takimi i rastit i këtyre dy anglezëve në sarajin gjysëm-primitiv të Janinës jep shkak për shumë reflektime. Asnjëri nga të dy nuk ishte dëgjuar shumë më parë nga bashkatdhetarët e tyre, megjithatë të dy pas njëfarë kohe u bënë njerëz të shquar.”(f. 31-32)

Dy nga veprat kryesore të Leake-ut kanë rëndësi të veçantë për studimet albanologjike: Travels in Northern Greece (Udhëtime në Greqinë Veriore) dhe Researches in Greece (Hulumtime në Greqi). “Udhëtime në Greqinë Veriore” u botua në Londër më 1835 në 4 vëllime dhe u ribotua pas 132 vitesh (më 1967) në Amsterdam. Kjo vepër përshkruan me hollësi dy udhëtimet të Leake-ut jo vetëm në Greqi, por dhe në Shqipërinë e jugut. Udhëtimi i tij i parë në këtë rajon u bë në dhjetor1804, kurse udhëtimi i dytë filloi në qershor 1805 dhe përfundoi në shkurt 1807. Udhëtimet e tij nëpër trojet shqiptare Leake-u i ka përshkruar në kapitujt I, II, VII dhe VIII të kësaj vepre.

Vepra “Hulumtime në Greqi” paraqet interes për studimet e Leake-ut mbi historinë, gjeografinë dhe gjuhën shqipe. Kjo vepër shkencore u botua në Londër më 1814 me 472 faqe. Libri është i ndarë në 3 kapituj: Kapitulli I “Mbi dialektin e greqishtes moderne” ka 5 ‘seksione’ f. 1-236; Kapitulli II “Mbi gjuhën shqipe” ka 2 ‘seksione’, f. 237-362; Kapitulli III Mbi gjuhët vllehe (arumune) dhe bullgare”, f. 363-402. Është një libër seminal për këdo që është i interesuar për gjuhësinë dhe kulturën në kuptim të gjërë dhe hedh një dritë fantastike mbi kulturën dhe shoqërinë në Greqinë dhe Shqipërinë e kësaj periudhe. Kjo vepër dëshmon se autori i saj ishte udhëtari i parë anglez që bëri një studim serioz për greqishten e folur bashkëkohore, për shqipen e folur të Shqipërisë së jugut në atë kohë dhe për gjuhët e tjera që fliteshin në rajon. Fjalori 3-gjuhësh (greqisht-anglisht-shqip) prej 70 faqesh (f.293-362) dhe Pentaglosi (anglisht-greqisht e sotme-shqip-vllahisht-bullgarisht) prej 20 faqesh (f. 382-402) paraqesin interes leksikografik, ashtu si dhe fjalori i priftit arumun shqiptar të shekullit XVIII Theodor Kavaljoti, të cilit i referohet Leake-u.

Pjesët e  librit që na interesojnë më tepër janë sigurisht Kapitulli II “Mbi Gjuhën Shqipe”, Fjalori greqisht-anglisht-shqip prej 70 faqesh bashkë me 4 faqe tekst (f. 289-362) dhe Pentaglosi prej 20 faqesh (f. 382-402) bashkë me shënimet e “Shtojcës I” (“Appendix-it I) në fund të librit (f.403- 442). Seksioni I i këtij kapitulli ka 24 faqe dhe ndahet në 2 nënseksione:  “Vështrim mbi historinë e Shqipërisë” (f. 237-254) dhe “Ndarja gjeografike e vendit” (f. 255-259). Në 74 faqet e Seksionit II autori merret me fonetikën dhe morfologjinë e gramatikës shqipe dhe harton një fjalorth greqisht-shqip me shpjegime anglisht (Romaico-Arvanetic Vocabulary, with an English Explanation).

Në Parathënien e kësaj vepre Leake-u shpjegon arësyet përse i kushtoi më shumë vëmendje e interes gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipërisë dhe jep disa karakteristika të shqiptarëve sipas gjykimit të tij vetjak: “Shumë vetë mund të mendojnë se autori i ka kushtuar më shumë vëmendje sesa meriton gjuhës barbare e të varfër të Shqipërisë. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se ajo gjuhë ka një karakter të dallueshëm në mesin e gjuhëve nga të cilat rrethohet dhe janë të gjitha gjasat që ajo të jetë ilirishtja e vjetër, me disa ndryshime të të njëjtit lloj që kanë pësuar latinishtja dhe greqishtja nga pushtimet teutonike e sllave të Europës Jugore. Ngjarjet që pasuan, të cilat mund ta kenë frenuar vërshimin e ambicjeve frënge, mund ta kenë zvogluar rëndësinë politike të Shqipërisë, por në kohën kur u bënë këto Hulumtime, gjuha e saj (Shqipërisë) ka fituar një vëmendje suplementare nga ndryshimet që e kanë prurë vendin ku ajo flitet në kontakt me armiqtë tanë, të cilët nuk i fshehën më planet e tyre për të kërkuar një rrugë për të hyrë në Greqi nëpërmjet Shqipërisë. Në këto rrethana u bë dyfish më interesante të merren disa njohuri mbi gjuhën e një kombi, të shrregullt e të padisiplinuar si ushtarë, por që zotërojnë njohje të përsosur në përdorimin e armëve; të rreptë e të paditur, e të paqytetruar, por që ushqejnë një dashuri entuziaste për trojet malore të vendit të tyre. T’i shtojmë këtu përparësive që ofron ky vend me pengesat natyrore më të forta për të kundërshtuar një armik që e sulmon, atë vendosmërinë e tyre për t’i bërë ballë të gjithë pushtuesve të huaj dhe atë besim në aftësitë e tyre për t’u vetmbrojtur, të cilat, deri në atë periudhë të luftës, kanë treguar se kanë qenë shumë të mangëta në disa kombe më të qytetëruara të Europës.” (f. III-IV).

Në Seksionin I me titull “Vëzhgime paraprake” autori ka bërë një vështrim të shpejtë të historisë së Shqipërisë që nga lashtësia deri në kohën e tij. Në fillim të këtij seksioni autori shkruan: “Gjatë tërë kursit të Historisësë Greqisë, që nga kohrat më të lashta të dokumentuara deri në rënien e Perandorisë Kostandinopolitane, ne gjejmë një popull, i cili dallohet nga grekët në racë e në gjuhë dhe i cili banon në anën Veriore e Perëndimore të Greqisë dhe shtrihen përgjatë vargmaleve që kufizohen me bregdetin ose janë parallel me të. Ata duket se arrijnë deri poshtë në Jug në Gjirin e Ambracias, sepse Scylax-i e konsideron këtë gji si kufirin Verior të Greqisë nga ana Perëndimore, kurse Thucydides i quan ‘barbarë’ amfilokët të cilët banonin në kodrat në krye të gjirit. Me fjalën ‘barbarë’ ai nënkuptonte se ata flisnin një gjuhë që ndryshonte nga greqishtja. I njëjti historian e përdor fjalën ‘barbarë’ gjithashtu për popullin në bregdetin e Epirit, përball ishullit të Sybota-s. Kurse Strabo-ja na informon se fiset epirotase ishin përzierë me ilirët dhe flisnin dy gjuhë – kjo nënkuptonte që ata, si pjesa më e madhe e shqiptarëve të sotëm, përdornin si greqishten ashtu edhe gjuhën e tyre amtare, e cila flitej në të gjithë Maqedoninë dhe në vendet fqinje, përpara se shkronjat dhe qytetërimi i Greqisë të përhapeshin nëpër ato provinca. (f. 237-238)

Na tërhoqën vëmendjen njohuritë e sakta të Leake-ut për luftrat e shqiptarëve kundër pushtimit osman. Pë këto ai shkruan: Në vitin 1383, në një konfrontim afër Beratit, shqiptarët u mundën nga trupat e Sulltan Muratit të Parë, me humbjen e udhëheqësit të tyre, djalit të vetëm të mbetur të Balshës. Kjo humbje u pasua nga të tjera. Një pjesë e zotërimeve të tyre Veriore u pushtuan nga venecianët dhe disa nga qytetet e tyre ranë në duart e turqve; mirëpo nënshtrimi i tyre përfundimtar nga qeveria otomane u vonua për disa kohë pas reduktimit të pjesës së mbetur të Greqisë Veriore, falë talentit dhe trimërisë së prijësit të tyre, Gjergj Kastriotit, (i njohur më shumë me emrin turk Iskander-beg), dhe të vjehrrit të tij Arianit Topias; i pari i të cilëve nga 1443 deri më 1467 sundoi në Veri, kurse i dyti, thuajse gjatë të njëjtës periudhë sundoi në Jug të Shqipërisë. (f. 248-249) (Shënimi i Leake-ut: Marinus Barletius de Vita, Moribus, & Rebus Gestis G. Castrioti—Historia di Giorgio Castrioto, 8vo. Venice, 1580,— Ducange, Famil. August. Byzant. 30.)

Leake-u e përshkruan saktë reziztencën heroike e të pamposhtur të shqiptarëve (1.600 luftëtarë, qytetarë të Shkodrës, mbrenda kalasë, sipas Barletit) në rrethimin njëvjeçar të Shkodrës nga ushtria e stërmadhe turke prej rreth 350.000 vetash (sipas Barletit e disa historianëve të tjerë) që drejtohej nga vetë Sulltan Mehmeti II, i cili me topat e kalibrit të madh me të cilët kishte goditur muret e Kostandinopojës, goditi kështjellën ilire të Shkodrës, të cilën mundi ta shtinte në dorë vetëm me një akt tradhëtie të nënshkruar midis Venedikut e Stambollit:

Lufta e fundit e shqiptarëve kundër turqve ishte rrethimi i Shkodrës, një vend i shënuar nga dora e natyrës për të qenë kryeqytet i Ilirisë dhe që ende e ruan të pandryshuar emrin e tij të lashtë. Kjo mbrojtje, ndonëse e drejtuar nga një gjeneral venecian, i mbulon aq me nder shqiptarët sa të gjitha ekspeditat e tjera të Skënderbeut. Ajo vazhdoi një vit dhe është një nga rrethimet më të jashtëzakonshme të regjistruara në histori për nga trimëria e të rrethuarve, pabarazia e madhe e fuqisë midis dy palëve, si dhe kalibri shumë i madh i artilerisë turke në atë periudhë të artit të luftës; disa nga gjylet e hedhura kundër mureve të kështjellës peshonin 1300 paund (650 kilogram). Pasi i rezistuan përpjekjeve maksimale të Sulltan Mehmetit II personalisht, kështjella ishte gati t’i dorëzohej urisë, kur venecianët, me një nga nenet e marrëveshjes së tyre me Portën më 1478, (ratifikuar më 1479, R.K.), i shpëtuan shkodranët nga poshtërimi i nënshtrimit duke marrë mbi vete kërkesën për t’ia dorëzuar Shkodrën turqve dhe për t’u dhënë mundësi banorëve që të strehohen në shtetet e Venedikut.” (f. 249). (Këtu Leake-u vë shënimin e saktë: “Historia e rrethimit të Shkodrës është treguar nga një vendas dhe dëshmitar okular, Marin Barleti, i cili e botoi përshkrimin e rrethimit në latinisht në Venecie, në vitin 1504.”).

Shënimet e Leake-ut dëshmojnë se ai i kishte lexuar dy veprat e humanistit të madh shqiptar Marin Barletit, “Historinë e Skënderbeut” (të përkthyer në anglisht qysh më 1596, por burimi i cituar është italisht) dhe “Rrethimin e Shkodrës” (ka shumë të ngjarë ta ketë lexuar latinisht).

Seksioni II përbëhet nga tri pjesë mbi gjuhën shqipe: Tingujt e gjuhës shqipe; Skicë e gramatikës (me 8 elementë të morfologjisë: Nyjet, Substantivi i emrave, Mbiemrat, Përemrat (vetorë, pronorë e dëftorë), Foljet, Foljet e parregullta, Lidhësat, Parafjalët); dhe nga Fjalori (greqisht-shqip me shpjegime në anglisht). Për ‘Skicën mbi gramatikën e shqipes’ Leake-u shkruan se “përpjekja e mëposhtme për të formuar disa rregulla gramatikore për gjuhën shqipe u bënë me qëllim që të lehtësohet përvetësimi i gjuhës; dhe unë, deri kohët e fundit nuk dija gjë fare nëse ishte bërë ndonjë përpjekje më parë. Ndonëse isha takuar me disa shqiptarë të talentuar dhe me formim arsimor të përshtatshëm, nuk kisha parë asnjë që t’i kushtonte ndonjë vëmendje gramatikës së gjuhës së tij amtare, apo që të mendonte paraprakisht për ndonjë renditje të rregullave, te cilat dalin nga ajo ngjashmëri e infleksioneve në disa pjesë të ligjeratës, siç ndodhë në çdo gjuhë. Pjesën më të madhe të të dhënave mbi të cilat mbështeten vërejtjet që vijojnë janë marrë nga Evstratio iViskukit (Evstrati Vithkuqari, R.K.), i cili mban shkallën (rangun) e Hieroceryx-it në kishën greke dhe ka qenë shumë vjet mësues në Moskhópoli (Voskopojë). Përveç se i njeh mirë greqishten e vjetër dhe greqishten e re, dhe flet e shkruan rrjedhshëm në të dyja, ai zotronte njohuri të sakta të gjuhës së tij amtare shqipe, gjë që duhej pritur nga një person aq i kualifikuar. (f. 264) Për këto Leake-u i referohet këtu edhe Hobhouse-it: “Z. Hobhouse, në ‘Shtojcën’ e udhëtimeve të tij në Shqipëri, etj., ka dhënë substancën e një gramatike të shqipes, të hartuar nga një misionar i Kongregacionit roman të Propagandës Fide. Ajo titullohet ‘Osservazioni Grammaticali nella Lingua Albanese del P. Francesco Maria da Lecce, etj.; shtypur në shtypshkronjën Propaganda në Romë më 1716.”

Për ndikimin e sllavishtes në gjuhën shqipe Leake-u shkruan: “…Atëherë shumë fjalë skllavoniane (nënkupto ‘sllave’) gjetën rrugën për të hyrë në gjuhën shqipe dhe janë shtuar në numër nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe rajoneve të gjëra të Serbisë dhe Bullgarisë që e rrethojnë nga Veriu dhe Lindja dhe në të cilat kudo flitet dialekti bullgar i sllavishtes. Mund të duket e habitshme, ndoshta, që në këto rrethana proporcioni i fjalëve sllave nuk është më i madh, si dhe mund të konsiderohet si provë që fuqia e maleve epirotase dhe ilire, si dhe shpirti i banorëve të tyre ishin ende njëlloj si në kohën e romakëve, që i mbrojtën ata nga nënshtrimi i plotë.” (f.241).

Për kompilimin e Fjalorit Greqish-Shqip, si dhe për Pentaglosin (fjalorthin pesëgjuhësh), Leake-u shpjegon se “të vetmit fjalorë të shtypur në shqip që ka parë janë: 1. Një tabelë e fjalëve shqipe, të shkruara me shkronja greke, dhe që përmbante një shpjegues shqiptimi dhe një fjalor të latinishtes, vllahishtes dhe shqipes, të destinuar për t’u përdorur nga grekët, të hartuar nga Teodor Kavalioti i Voskopojës, dhe i shtypur në Venecie më 1770. Ky fjalor është i shkurtër dhe nuk i shpreh drejtë tingujt e shqipes, është i përfshirë në një traktat gjermanisht të quajtur ‘Kërkime mbi Historinë e Kombeve Lindorë të Europës’, nga Profesor Thunmann i Halle-s. 2. Një ‘Lexicon Tetraglosson’ (fjalorth katërgjuhësh) që përmbante ushtrime në vllahisht, bullgarisht dhe shqip, për përdorim nga grekët, dhe për të cilin do të thuhet më shumë në kapitullin e ardhshëm. Përveç këtyre librave, kam dëgjuar edhe për një fjalor latinisht dhe shqip, nga Fracesco Biandi (Frang Bardhi, R.K.), si dhe një përkthim të katekizmit Bellarmine, nga Pietro Budi da Pietra-Bianca (Pjetër Budi nga Guri i Bardhë, R.K.), të dy të shtypur në shtypshkronjën ‘Propagandà; i pari më 1635, kurse i dyti më 1664, por nuk i kam parë asnjërin prej tyre.Fjalori i mëposhtëm do të shihet se përmban shumicën e fjalëve qëpërdoren zakonisht në shqip. Ai u hartua në kohë të ndryshme dhe në pjesë të ndryshme të vendit. Kam pasur pak mbështetje nga dy librat e parë të përmendur më sipër dhe i gjithi është korrigjuar e pasuruar nga dhaskali im shqiptar Eustratius.” (f. 289)

Pa u ndalur në hollësira të dy ‘Seksioneve’ të Kapitullit II “Mbi Gjuhën shqipe” të veprës së Leake-ut “Hulumtime në Greqi”, mendojmë se ai kapitull mund të bëhet objekt studimi i veçantë sepse është një kontribut i autorit për Albanologjinë në fushën e leksikografisë dhe gramatologjisë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *