Kontributet shëndetësore, paguhen mbi pagën bruto

anazapta

Pas vendimit të para dy ditëve të qeverisë për disa ndryshime në VKM nr. 1114 për kontributet e sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, Ministria e Financave sqaroi dje se ndryshimet nuk prekin nivelin e pagës minimale për efekt kontributesh, e cila ishte dhe vijon të jetë 19,024 lekë/muaj. “Ky nivel page nuk ka lidhje me pagën minimale në shkallë vendi që është 22, 000 lekë në muaj dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë. Financat sqarojnë më tej se bëhet fjalë për ndryshime teknike dhe pasqyrojnë në ato të miratuara në dhjetor 2013 (paketa fiskale) për sigurimet shëndetësore, e cila heq tavanin e pagës (5-fishi i pagës minimale) për llogaritjen e kontributit shëndetësor me shkallë tatimore (ishte dhe mbetet) 3.4%. Me ligjin e ri, kontributetet shendetësore paguhen mbi pagën bruto (e cila mund të jetë 110.500 lekë/muaj, apo 123.000 lekë/ muaj) me shkallë tatimore 3.4% (1.7% e paguan pronari dhe 1.7% punëtori).

Pra sipas këtij vendimi, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga 1 Janari i këtij viti e në vazhdim do të jetë jo më pak se 19 026 lekë. Ndërsa, paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore do të jetë 95 130 lekë.

Vendimi i qeverisë ndryshon masën e kontributit për disa kategori si të vetëpunësuarit, ata të punësuar në bujqësi, apo në marrëdhënie ortakërie. Sa i takon llojeve, shumës dhe shpërndarjes së kontributeve, vendimi përcakton se “shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), nga data 1 Janar 2014 e në vazhdim, të jetë 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore, në shumën 1 294 lekë. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari, që punëson të tretë, sipas vendimit, duke filluar nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore, në masën 23 % të pagës mujore minimale, prej 19 026 lekësh, e barabartë me 4 376 lekë në muaj.

Ndërkohë, i vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1 janar 2014 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, detyrim i barabartë me 1 294 lekë në muaj. Vendimi përcakton që personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbim ambulant, nga data 1 janar e në vazhdim të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 3 794 lekë, nga të cilat 2 500 lekë për sigurime shoqërore dhe 1 294 lekë për sigurime shëndetësore.
Sipas vendimit, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, është 4 200 lekë. Ndërkohë, të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1 janar e në vazhdim, derdhin kontribut mujor për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në masën 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore për efekt të kontributeve të sigurimeve shëndetësore të të vetëpunësuarve në bujqësi, të barabartë me një vlerë prej 286 lekësh në muaj. Me ligjin e vjetër që ishte në fuqi deri me 31 dhjetor 2013, kontributet shëndetësore paguheshin për pagat në nivelin jo më shumë se 5-fishi i pagës minimale (19,024 lekë) që shkonte rreth 95 mijë lekë/muaj. Pra, edhe nëse personi e kishte pagën 120.250 lekë në muaj, paguante kontribute për pagë jo më shumë se rreth 95 mijë lekë në muaj”.

 

Relacioni i plotë i Vendimit

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 7, pika 3, dhe 41 të Ligjit nr.10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor” të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave propozon ndryshimin e VKM nr. 1114, datë 30.7.2008 të Këshillit të Ministrave “Për disa çështje në zbatim të ligjeve 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9136, datë 11.9.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurime shoqerore e shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të ligjit nr. 7870 , datë 13.10.1993 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet që propozon ky vendim kanë si qëllim reflektimin e ndryshimeve të ligjit nr. 10383, datë 24.2.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili u ndryshua me ligjin nr.184, datë 28.12.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Ndryshimet kryesore që propozon ky projektvendim janë:
Në pikat 1 dhe 2 të projektvendimit, propozohet ndryshimi i titullit të projektvendimit në, me qëllim heqjen e ligjit nr. 7870 , datë 13.10.1993 “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i cili nuk është më në fuqi dhe zëvendësimit të tij me ligjin nr. 10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe bën saktësimin e emërtimit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në pikën 3 të projektvendimit parashikohet se, për personat fizikë, të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, kur nuk janë të siguruar si punëmarrës a si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme dhe të punësuarit që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie në familjet e të tjerëve paguajnë jo vetëm për degën e pensioneve por edhe për sigurimin shëndetësor. Në të gjithë tekstin e projektvendimit është reflektuar ndryshimi i bërë nenit 7 të ligjit 10383/2011, për bazën e llogaritjes, i cili ka parashikuar se baza për llogaritjen e kontributit është paga bruto e personit të siguruar, ndërsa baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar është dyfishi i pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve.

Projektvendimi ka përcaktuar se, paga minimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi është 4200 lekë. Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 01.01.2014 e në vazhdim, derdhin kontribut mujor, për sigurimin e detyrueshëm shëndetsor, në masën 3.4 % të dyfishit të pagës minimale mujore për efekt të kontributeve të sigurimeve shëndetësore të të vetëpunësuarve në bujqësi, të barabartë me një vlerë prej 286 lekë në muaj. Ky vendim parashikon hyrjen në fuqi të tij pas botimit në Fletoren zyrtare por efektet i shtrin nga data 01.01.2014. Arsyeja e dhënies së fuqisë prapavepruese të këtij akti nënligjor është se, ndryshimet që propozohen në të kanë të bëjnë me ndryshimet që i bëri ligji nr.184, datë 28.12.2013 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr. 10 383/2011, i cili i shtrin efektet nga data 1 janar 2014.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *