Kontributi i çmuar albanologjik i studiuesit britanik Stuart E. Mann (1905 – 1986)

Ornela

Prof. Dr. Refik Kadija

Studjuesi, leksikografi dhe historiani i gjuhës dhe letërsisë shqipe Stuart Edward Mann lindi më 11 qershor 1905 në një familje të thjeshtë qytetare në Lenton, Nottinghamshire, Mbretëri e Bashkuar. Kur prindërit e tij u martuan më 1904, i ati Oliver Mann ishte 25 vjeç dhe e ëma Mabel Constance Anderson ishte 19 vjeçe. Ata patën dy djem: Stuart-in që lindi një vit pas martesës së tyre, dhe Oliverin që lindi gjashtë vjet më vonë. Por ai që e bëri të njohur emrin e Mann-ëve ishte djali i tyre i madh Stuart-i. Ai ndoqi shkollat publike të vendlindjes në rrethin e Warwickshire-it dhe u doktorua për filologji gjermanike në Universitetin e Bristolit më 1927. Nuk e dimë se cila ishte arësyeja e interesimit të tij për Shqipërinë, por më 1929 ai vizitoi Italinë dhe shkoi në portin jugor të Brindisit, në “takën e çizmes italiane”, dhe u nis me traget drejt Shqipërisë me qëllim që të mësonte shqip sa më mirë dhe të njihej nga afër me shqiptarët dhe kulturën e tyre. Nga Durrësi shkoi në Tiranë dhe u punësua shpejt si mësues i gjuhës angleze në Shkollën Teknike Amerikane që drejtohej nga profesori i inxhinjerisë mekanike Harry T. Fultz (1888-1980). Stuart Mann-i dha mësim në Shkollën Teknike për tre vite akademike, 1929-1931, dhe, siç pohon edhe vetë, një nga studentët e tij ishte edhe kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë Mehmet Shehu kur ky ishte 16 vjeç. Pastaj shkoi në Çekosllovaki dhe gjatë viteve 1930-të punoi si pedagog në Universitetin Mazaryk të Brnos (sot në Republikën Çeke). Në Brno ai u njoh me studenten e bukur çeke Helen Pausarova (19.07.1914-27.11.1993), me të cilën u martua. Më 1939 Stuarti dhe bashkëshortja e tij çeke vajtën në Angli dhe jetuan në Hamstead të Londrës, e cila është lagjja e preferuar e akademikëve, artistëve dhe figurave mediatike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai punoi në Ministrinë e Informacionit dhe më pas në Foreign Office. Më 1947 ai u bë lektor i gjuhësisë shqipe e çeke në Fakultetin e Studimeve Sllavonike e Europjano-Lindore në Universitetin e Londrës, ku punoi 25 vjet, deri sa doli në pension më 1972. Ndërkohë dhe më pas ai vazhdoi punën e tij shkencore filologjike mbi historinë e gjuhës shqipe, çekishtes e armenishtes. Ai vdiq nw qytetin jugor të Buckinghamshire-it High Wycombe, rreth 25 milje larg Londrës, më 5 gusht 1986 në moshën 81 vjeçare.

Për çekishten ai botoi në Londër Czech historical grammar më 1957, kurse për armenishten botoi më 1963 veprën Armenian and Indo-European (historical phonology), i cili “është një fjalor selektiv etimologjik”. Përveç këtyre, Mann-i botoi edhe një fjalor krahasues të gjuhëve europjane në dy vëllime An IndoEuropean Comparative Dictionary, vëllimi i parë i të cilit u botua më 1984, kurse vepra e plotë u botua në Hamburg, Gjermani, më 1987, një vit pas vdekjes. Mirëpo ky studjues i palodhur u fokusua veçanërisht në studimet albanologjike.

Stuart E. Mann (1905 – 1986)

Studjuesi britanik Stuart Edward Mann është i njohur në Shqipëri nga rrethet intelektuale anglofone për Fjalorin Anglisht-Shqip (me 21 mijë fjalë, 434 faqe) të botuar në Kembrixh të Anglisë më 1957 nga Cambridge University Press që është shtypshkronja universitare më e vjetër në botë e themeluar 487 vjet më parë, më 1534, nga mbreti Henriku VIII. Ky ishte fjalori dygjuhësh më i mirë për të mësuar anglishten që ekzistonte në Shqipëri deri në mesine viteve 1960-të, përveç dy fjalorëve xhepi që qarkullonin dorazi, të hartuar nga shqiptaro-amerikanët Kostandin Çekrezi (1923) dhe Nelo Drizari (1934). (Më 1966 fjalori i Mann-it u ribotua edhe në Prishtinë.)

Fjalori i S. Mann-it, An English-Albanian Dictionary,u vlerësua lart nga revista shkencore American Slavic and East European Review e vitit 1958 (vol. 17, Nr. 4, Dhjetor 1958, f. 573-574) në recensën e albanologut të shquar amerikan Eric P. Hamp. Ky albanolog e mik i shqiptarëve, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Doctor Honoris Causa i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, i cili vdiq në moshën 99-vjeçare më 17 shkurt 2019, në recensën e tij për fjalorin e pasur e të shkëlqyer të Stuart Mann-it ndër të tjera shkruan:  “Ne vetëm mund ta mirëpresim daljen në dritë të këtij fjalori më të madh (të faqosur me kollona dyshe) e më të përdorshëm dygjuhësh (nga një gjuhë tjetër në shqip). Ai ia tejkalon fjalorit anglish-shqip (toskërisht) të Çekrezit dhe fjalorit të pakët të Drizarit. Fjalorët e vetëm të këtij lloji që meritojnë të përmenden janë: fjalori gjermanisht-shqip i M.A.F. von Godin-it (1930, gegnisht); rusisht-shqip i Kostallarit (1954, toskërishte standarte; shikoni recensën time që do të botohet në Kratilos[1]); sërbisht-shqip i Barić-it (1950, gegërisht e toskërisht; shikoni recensën time, në Kratilos, I.183, 1956); dhe italisht-shqip i Cordignano-s (1938, gegërishte veriore; shikoni recensën e N. Joklit, Indogermanisches Jahrbuch 24.234-36, 1940). Nga këta, vetëm ai i Barić-it përpiqet ta konkurojë atë në madhësi (por edhe ky fjalor sërbisht-shqip, shqip-sërbisht i albanologut kroat Henrik Bariç nuk ia tejkaloi dot në madhësi, sepse kur u botua kishte 20 mijë fjalë, kurse fjalori i Stuart Mann-it anglisht-shqip ka 21 mijë fjalë, R.K.), dhe, përveç përdorimit më të pakët të fjalorit sërbisht-shqip, unë kam parë vetëm një vëllim (deri te shkronja “P”) e këtij fjalori të shkëlqyer.”[2]

Por vlerat e vërteta të Stuart Mann-it si studjues dhe lidhjet e tij me kulturën shqiptare shkojnë shumë më përtej se autorësia e një fjalori anglisht-shqip.

Interesi parësor në studimet e tij albanologjike ishin historia e gjuhës shqipe, gramatika historike e shqipes nga 1496 deri më 1938, fonologjia dhe leksikografia. Nga viti 1932 deri në fund të jetës së tij Stuart Mann-i botoi 9 vepra studimore, gjashtë nga të cilat janë vepra albanologjike: 1. A Short Albanian Grammar, London, 1932; 2. “N and R Alternation in the Dialects of Albania”, London, 1938; 3.An Historical Albanian-English Dictionary (1496-1938). London, 1948; 4. An Outline of Albanian Literature. London, 1955; 5. An English-Albanian Dictionary, Cambridge University Press, 1957; 6. An Albanian Historical Grammar. Hamburg 1977.

Stuart Mann-i ka meritën se është hartuesi dhe botuesi i parë në gjuhën angleze i historisë së letërsisë shqipe. Vepra e tij “Albanian Literature – An Outline of Prose, Poetry and Drama” (“Letërsia shqipe – Një përvijim i prozës, poezisë dhe dramës”), botuar nga shtëpia botuese Bernard Quaritch, Ltd. në Londër më 1955, mbart vlera të shumta. Ai ka trajtuar me kompetencë e saktësi shkencore fillimet e letërsisë shqipe, autorët e vjetër Buzuku, Budi, Fran Bardhi, Bogdani, etj., autorët arbëreshë Lek Matrenga, Gavril Dara, Nikoll Brankato, Jul Variboba, Dhimitër Kamarda, Zef Serembe, Zef Skiroi, etj. Në trajtimin e traditës së pasur të letërsisë arbëreshe në kuadrin e historisë së Letërsisë Shqipe, Stuart Mann-i i ka dhënë, me të drejtë, një vend të veçantë trajtimit të hollësishëm të krijimtarisë së Jeronim De Radës.

Për të shkruar këtë vepër ai shfrytëzoi një bibliografi prej 26 zërash në katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht. Në Parathënien e saj thuhet se është “përvijimi i parë i letërsisë shqipe në gjuhën angleze“. Autori është i vetëdijshëm për të metat që mund të ketë libri i tij për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme që ka ndeshur gjatë punës së tij për mbledhjen e verifikimin e fakteve si rezultat i vetizolimit të Shqipërisë gjatë regjimit totalitar.

Libri “Letërsia Shqipe—Një Përvijim i Prozës, Poezisë e Dramës“përbëhet nga 16 kapituj. Ai fillon me dokumentet e para të shqipes së shkruar, që nga pamfleti i At Brokardit i vitit 1332, në përkrahje të Kryqëzatave, ku thuhet se “ndonëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve, ata përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre(pra,  alfabet latin dhe libra, shumë libra), tek formula e pagëzimit  e Pal Engjëllit, si pjesë e një letre pastorale e vitit 1462, përkthimi fragmentar i Ungjillit të Shën Mateut, kapitulli 28, tek vargjet 62-66, libri prej 200 faqesh “Meshari“ i Gjon Buzukut i vitit 1554-1555, etj. Pastaj vazhdon me autorët arbëreshë dhe  autorëte fundit të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX në tri gjinitë kryesore të letërsisë shqipe: poezi, prozë e dramë.

Në Kapitullin I, “Tradita Katolike në Shqipërinë Veriore“, S. Mann-i spikat disa fakte interesante. Duke folur per jeten e krijimtarinë e Pjeter Budit (1566-1623), ai nënvizon se një përshtatje në shqip e ‘Doktrinës së Krishterë‘ të Bellarminos u botua në Romë më 1618 dhe u rishtyp më 1636, 1664, dhe në fund më 1868“ (f.3). Pra, gjatë një gjysëm shekulli ajo u botua tri herë dhe pas 250 vjetësh edhe një herë tjetër, gjë që nënkupton interesin e vazhdueshëm për këtë vepër, përdorimin e vazhdueshëm të saj. Kjo vepër e përshtatur në shqip “në vargje tetërrokësh me ritmin e shumë këngëve popullore shqiptare dhe, për koincidencë, me ate të Haiawatha-s se Longfellow-t“(f.3) mund të jetë përdorur dhe si tekst shkollor në shkollat shqipe të shekujve XVII-XVIII. Mann-i përmend se “kjo vepër u shkrua me sugjerimin e vetë Papë Klementit VIII“ (f.3) dhe shton se “poezia e Budit është krijimtaria poetike më e hershme që dihet në dialektin gegërisht“(f.3). Shënimet e tij për Budin Mann-i i shoqëron me 9 strofa katërvargjëshe me titull “Ringjallja“, të përkthyera në anglisht nga ai vetë.

Albanologu anglez trajton gjërësisht jetën e veprimtarinë letrare të Pjeter Bogdanit (1630-1688). Dëshiroj të tërheq vëmendjen mbi dy fakte në lidhje me jetën e veprën e Bogdanit. Së pari, Mann-i thote se “Bogdani u detyrua të lëvizte vazhdimisht, duke e paketuar dhe shpaketuar disa herë bibliotekën e tij. Mbas shumë peripecive, më në fund u detyrua të strehohej në male sërish, dhe i stivoi librat e tij në një qilar. „Asnjë prej tyre nuk është gjetur deri sot“(f.5). Nuk dihet sa libra ka pasur ajo bibliotekë, por me siguri disa dhe po të gjëndej, mund të nxirrte në dritë dhe dorëshkrime të pabotuar. Në parantezë, Mann-i nënvizon se “Cuneus prophetarum de Christo Salvatore Mundi, italice et epirotice contextus“, botuar në Padovë më 1685 dhe rishtypur në Venecie më 1691, ështe vepra e vetme e Bogdanit për të cilën kemi të dhëna“(f. 5). Pra, dhe kjo vepër gëzoi dy botime dhe vetëm mbrenda gjashtë vjetësh.

Së dyti, Stuart Mann-i thekson se “gjuha e veprës është e pastër dhe e thjeshtë dhe tregon se në Shqipërinë e Veriut ushtrohej veprimtari letrare, pikëpamje që përforcohet nga fakti se dy shkrimtarë shqiptarë, Llukë Suma, nga Shkodra dhe njëfarë Llukë Bogdani, kushëri i Pjetrit, kontribuan vargje përkushtimi për ‘Cuneus‘-in në nderim të autorit të saj“ (f. 6). Këto vargje panagjerike u hoqën në botimet e mëvoshme. Studjuesi anglez vë në dukje se me gjithë njohjen e mirë të gjuhës dhe kultures greke e latine, përpjekjet kryesore të Bogdanit ishin përqëndruar mbi të gjitha për mbajtjen gjallë të traditës letrare shqiptare dhe të besimit katolik në kohën kur po shtohej trysnia e sundimit osman (f.6). Mann-i tregon dhe peripecitë e vështirësitë që hasi Bogdani për botimin e vepres së tij: “Pasi i kishte zgjeruar në maksimum kufijtë e gjuhës shqipe duke përdorur fjalë e trajta të shprehuri të lashta e të vjetra nga dialekte të ndryshme, ai hasi në vështirësi për të gjetur botues. Germëzimi ishte kryesisht krijim i vetë Bogdanit dhe shenjat e këtij sistemi alfabetik origjinal nuk ishin të lehta për t’u shtypur. Pasi nuk arriti të gjente botues në Venedik, ai shkoi në Padovë, ku takoi dhe kërkoi mbështetjen e një miku te tij të vjetër, Ipeshkv Gregori Barbarigo. Po të mos kishte qenë ky njeri dashmirës, dorëshkrimi mund të mos e kishte parë kurrë dritën e botimit. Imzot Barbarigo i ofroi Bogdanit tashmë të syrgjynosur përdorimin e shtëpisë, shërbëtorëve dhe kuajve të tij, por Bogdani i refuzoi të gjitha këto, duke u shprehur se do të parapëlqente më mirë të jetonte thjeshtë dhe ta shikonte librin e tij të botuar. Ky libër u botua si duhet në Padovë më 1685 dhe në të njëjtin vit Bogdani u kthye në Shqipëri, ku vdiq tre vjet më vonë“(f.6).

Në shekullin XVIII, siç thotë Stjuart Mann-i, nuk dolën shumë shkrimtarë shqiptarë, por doli gramaticieni i parë i Shqipërisë, misionari françeskan Fran Maria da Lecce, i cili duhet të jetë ndër të huajtë e parë që e mësoi me zell gjuhën shqipe. “Pasi e zotëroi ’me përkushtim të madh’ gramatikën, ai botoi librin e tij Gramatika Shqipe në Romë në vitin 1716. Duke u njohur më afër e më thellë me gjuhën shqipe, Lecce u habit kur konstatoi se shqipja nuk flitej vetëm në Shqipëri, por filtej “’në të gjithë Epirin, në një pjesë të Rumelisë, në një pjesë të Sërbisë, në një pjesë të Bullgarisë, në Stamboll e Dalmaci, si dhe në shumicën e provincave të Mbretërisë së Napolit, dhe në disa pjesë të Siçilisë’ – një gjuhë që, në fakt, ishte e gjallë dhe në përdorim të gjërë me gjithë se ishte lënë mbas dore prej shekujsh”(f.9).

Kapitulli X, “SHKOLLA SHKODRANE“, është pa asnjë dyshim kapitulli kryesor në të cilin trajtohen autorët katolikë shkodranë, 11 prej tyre dhe ndër më të shquarit e letrave shqipe: Leonard Martini, Zef Jubani, Ndue Bytyqi, Filip Shiroka, Anton Xanoni, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vinçenc Prendushi dhe Ernest Koliqi.

Me interes të veçantë na duket se është vlerësimi që i bën Stjuart Mann-i krijimtarisë së Anton M. Xanonit (Ndoc Xanonit) (1863-1915), duke e ngritur më lart se bashkëmoshatarin jezuit e bashkëpunëtorin e tij letrar Ndre Mjeda.

“Njohjen e tij të gjërë të gjuhëve moderne Xanoni e pasuroi me njohjen e latinishtes dhe greqishtes…. Njohuritë e tij të gjëra linguistike lanë gjurmët e tyre në tërë krijimtarinë e Xanonit. Fjalori artistik i tij është i pastër dhe i thjeshtë, i pasur dhe i gjallë. Sapo Kongresi i Manastirit mori vendim për çështjen e alfabetit të shqipes, Xanoni ishte një nga të parët që e vuri në zbatim, dhe vepra e tij Gramatika Shqipe (Shkodër, 1909) u shkrua me alfabetin e ri. Duke qenë njeri me interesa të shumta dhe njohuri të larmishme, ai synoi që përvojën e tij të shumanëshme t’ia transmetonte të rinjve. Veprat e tij laike përfshijnë librin Shkurtorja e Historis së Moçme, një roman me titull Muzhiktari i Verbët, një libër me Këndime për Shkolla të Para, një dramë – Llagoret e Mullivet, një Hyrje në Botën e Letërsisë (Prisi në Lamë të Letratyrës), një libër gjeografie dhe shumë tregime për fëmijë.

Shumë nga poezitë lirike të Xanonit thuhet se ekzistojnë në një dorëshkrim prej 1000 faqesh, të cilat ende presin dritën e botimit. Megjithatë, disa nga veprat e tij më të mira dolën në dritë në periodikët e kohës dhe në Këndimet e tij për Shkollat e Para. Nga këto, Zani i Natyrës, Jeta e Njeriut, Vlera e Arsimit, Shkolla e Nanës, Nana që Buzëqesh dhe Piktura në Mur janë me vlera të shquara.

Poezia e Xanonit nganjëherë ka tone fetare, dhe nganjëherë tone hortative e didaktike. Fabulat e tij në vargje dhe përrallat e tij moralizuese qëndrojnë më lart se ato të bashkatdhetarit të tij Hil Mosi. Disa nga poezitë e tij idealizojnë figurën e Nënës, të tjerat Shqipërinë nën pushtim. Një notë moralizuese tingëllon në historinë prekëse të treguar me metrikën e baladave për një djalë që kthehet te nëna e tij pas një mungese të gjatë, por që vritet pabesisht nga vëllai i tij bandit në pyll afër shtëpisë së tyre—një histori që të sjell ndërmend Pika lotë[3] të Mid’hat Frashërit.” (f. 66-67).

Gjergj Fishta (1871-1940) trajtohet gjërësisht nga Stuart Mann-i. Pasi vë në dukje kontributin e Fishtës në Shoqërinë Bashkimi dhe në Kongresin e Manastirit për njësimin e alfabetit të shqipes, si dhe veprimtarinë tij politike si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes më 1919, si përfaqësues i Shqipërisë në Vashington në rolin e këshilltarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për çështjet shqiptare, si përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën Ballkanike në Athinë më 1930, etj. Mann-i jep vlerësimin e tij kritik për krijimtarinë letrare të Fishtës, duke e “ndarë në tri kategori kryesore: poema epike në stilin e baladave popullore; vjersha me tone lirike ose fetare; drama dhe ese politiko-satirike. Dy tone shpesh shkrihen në një vepër; kështu për shembull, trilogjia e tij Lahuta e Malcisë është një shkrirje e baladës me satirën politike.” (f. 69).  Dëshiroj të tërheq vëmendjen për vlerësimet e Mann-it në lidhje me ndikimet dhe reminicencat letrare të krijimtarisë së Fishtës. Për poemën satirike me titull Përralla e Ujkut ai thotë se “është një baladë me stilin tallës të poetit gjerman Wilhelm Busch. Një baladë tjetër satirike na kujton poemën John Gilpin të Cowper-it…. Si poet lirik Fishta u ndikua nga poetët sllavë të jugut Ondrej Kaçiq dhe A. G. Martiniq. Por vepra e tij më e herëshme është me nuanca fetare dhe shumë nga Vjershat e tij të Përshpirtshme (1905) mbështeten në veprat e Manzonit, Pellico-s, Zanella-s dhe Metastasio-s. … Një poezi e tij didaktike me titull Burrnia të kujton poezinë e Kiplingut If (Nëse)…. Lirikat e Fishtës shpesh të kujtojnë ato të Drenovës. Të tilla janë Mërgimtari, Një lule vjeshte, dhe mbi të gjitha një vjershë me titull Gjuha shqipe—një evokim drejtuar bashkatdhetarëve të tij për ta përdorur dhe për ta vlerësuar gjuhën e tyre amtare. Kjo poezi të sjell ndërmend një evokim të ngjashëm të bërë nga Budi në veprën e tij Doktrina e krishterë 300 vjetë më përpara.” (f. 71), etj.

Veprimtaria e shumanëshme e Hil Mosit (1885-1933), “birit të një patrioti shkodran“, si poet, prozator, publicist, folklorist, përkthyes, patriot, politikan, etj., është trajtuar në tërësinë e saj. Mann-i evidenton momentet kyçe të këtij “karieristi të shqetësuar“: gjatë studimeve prej katër vitesh në Klagenfurt krijoi Shoqërinë e parë Austro-Shqiptare me emrin Lirija e më vonë Dija; më 1908 në Shkodër krijoi Shoqërinë Gegnija dhe po atë vit u bë sekretar i Kongresit të Monastirit; mori pjesë në Shoqërine klandestine Shqypnija e Zezë që punonte për përmbysjen e sundimit otoman, botoi periodikun e shqiptarëve të Stambollit Shqiptari; mori pjesë në Konferencën e Triestes më 1913; themeloi në Shkodër gazetën dyjavore Shqypnia e Re; përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve më 1920; u bë deputet i Shkodrës në qeverinë e Tiranës; u bë dy here prefekt i Korçës dhe dy herë (1921 e 1930) Ministër i Arsimit, etj.  Mann-i thotë se arsimimi në Itali dhe njohja e gjërë e kulturës gjermane lanë gjurmë në krijimtarinë e tij letrare. “Tek Mosi shohim ndikimet e Goethe-s, Schiller-it, Uhlandit, Heines, Lessing-ut, poetit hungaro-sllovak Petöfi, lirikut polak Mickiewicz, Dantes, Scheffel-it, dhe ne menyre të veçantë të Theodor Körner-it.(f.76), etj.

Një vend të rëndësishëm në fund të Kapitullit X Stuart Mann-i i ka dhënë krijimtarisë së Ernest Koliqit (1903-1974), të cilën e çmon shumë për vlerat e larta artistike si në poezi ashtu dhe në prozë, sidomos vëllimet me tregime Hija e Maleve (Zara, 1929) dhe Tregtar Flamujsh, etj. (Tiranë, 1935) dhe vëllimin poetik Gjurmat e Stinve (Tiranë, 1933). Koliqi vlerësohet lart dhe si përkthyes: “Më 1931 ai iu kushtua përkthimit të poemave të Carducci-t dhe Pascoli-t. Pas një viti ai nxori në dritë botimin e tij Poetët e Mëdhej t’Italis: Dante, Petrarca, Ariosto, Tasso (Tiranë, 1932).“I zhytur në epokën e Dantes e të Petrarkës“, shkruan Mann-i, Ernest Koliqi “ka përkthyer në mënyrë mjeshtërore pjesë nga Komedia Hyjnore dhe disa sonete të Petrarkës“ (f. 81), etj.

Në Kapitullin XI “Drama“, krahas dramaturgut të shquar Kristo Floqi, i cili zë vendin kryesor, Mann-i ndalet edhe në trajtimin e krijimtarisë dramaturgjike të Dom Ndre Zadejës, si “autor i tri dramave historike: Rozafa, një tragjedi e ngritur mbi motivet e ndërtimit të kështjellës së Shkodrës, Rreth Flamurit, një tragjedi patriotike, dhe Hija e Zezë, një dramë legjendare shkruar në varg të bardhë“ (f. 88), etj.

Stuart Mann-i ka shkruar edhe shumë artikuj shkencorë që i kushtohen kryesisht gjuhës dhe letërsisë shqipe. Artikulli prej 12 faqesh botuar mw 1941 “The Indo-European Semivowels in Albanian”(“Gjysëm-zanoretindo-europjane në shqip”) vërtetonte me shembuj dhe interpretim dëshminë për këto zhvillime gjuhësore në një numër të madh etimologjishë, shumica e të cilave ishin të reja.

Një shkrim mjaft interesant dhe i këndëshëm me titull “Shqipëria atëherë dhe tani”, të cilin e shkroi rreth vitit 1969 kur punonte si profesor në Fakultetin e Studimeve Europjano-Lindore e Sllave në London University dhe që  ruhet në arkivin e bibliotekës së këtij universiteti,  është ai që përshkruan përshtypjet e tij mbi vizitën e parë në  Shqipëri më 1929. Përshkrimi i realitetit shqiptar të prapambetur të asaj kohe është dhënë me realizëm dhe me nota të lehta ironie, por absolutisht pa keqdashje.

“Kur vura këmbën në tokën shqiptare dyzet vjet më parë ishte si të zbrisje në një botë tjetër. E përshkova Adriatikun me një target të linjës nga Brindisi, në thembrën e Italisë, deri në Durrës, portin kryesor të Shqipërisë. Shqipëria është një vend shumë i vogël, pak më i madh se Uellsi, por me një gjuhë të sajën, dhe kjo ishte gjuha që unë doja të mësoja. Ndonëse Shqipëria është vetëm 180 milje nga veriu në jug, ka një koloni të madhe shqiptare në Jugosllavi, kështu që gjuha shqipe shtrihet shumë përtej kufijve të saj.

Por unë nuk do t’ju mërzis me gjeografi. Ajo që është aq e çuditshme me mua, një të doktoruari nga Bristoli, është se u gjënda në një botë muslimane në Europë. Gratë nga qyteti ishin të mbuluara me të zeza nga koka te këmbët, kështu që nuk mund ta dalloje pjesën e përparme nga pjesa e mbrapme kur qëndronin pa lëvizur. Gratë e fshatit mbanin veshje me ngjyra më të hapura, kurse gratë katolike ishin të zbuluara, pa perçe. Po të shohësh gra muslimane që ecin nga dy ose tri bashkë me një burrë që i prin, ato janë bashkëshortet e tij. Foshnjat mbahen të lidhur fort në fund të djepeve prej druri që koka mbrapa t’u bëhet e sheshtë, sepse kokat e stërgjatura (ovale) konsideroheshin të shëmtuara. Ata rrallë thithnin ajër të fresktët, sepse mbaheshin të mbuluar me një copë qilimi nga frika e syrit të keq. S’është për t’u çuditur që gjysma e të gjithë foshnjave shqiptare që kishin lindur para dyzet viteve vdiqën në foshnjëri. Të tjerët u rritën në mjedis sëmundjesh endemike të tilla si malarja, kështu që shkalla e mortalitetit ishte e lartë.

Nga Durrësi, porti i zbarkimit, duhet të marrësh me qira një veturë dhe kjo bëhet duke bërë pazar me shoferin në një shesh publik. Si fëmijët ashtu dhe të rriturit dinin gjithshka për veturat dhe avionët; por askush nuk kishte parë tren përveç ndonjërit që kishte qenë jashtë shtetit. Nuk mund të udhëtoje me tren sepse nuk kishte fare trena dhe as qymyrguri për t’i vënë në lëvizje. Në fakt, shumë pak njerëz kishin parë qymyrguri.

Tirana, kryeqyteti i ri, ishte i ri vetëm në emër. I kthyer në qytet nga një fshat, nuk kishte fare kanalizime, as ujë të pijshëm, as gaz dhe as transport publik.Tirana ishte tipike si shumica e fshatrave shqiptare. Katërqind e pesëdhjetë vjet të sundimit turk e kishin lënë atë si një moçalishte të harruaar e të shkretuar, me udhë të baltosura për rrugë dhe me shtëpi qerpiçi për banesa. Ndërsa kisha katolike romake po përparonte me vështirësi në veri, Kisha Orthodokse Greke kishte një shpurë mjaft më të gjërë në jug, por ndikimin më të madh e luante bota muslimane, sepse shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin të besimit musliman. Por luftë fetare nuk kishte. Të gjithë fëmijët shkonin në të njëjtën shkollë dhe mësonin për të kënduar të njëjtin himn kombëtar, një këngë që i thurte lavde Zogut, i cili e kishte shpallur veten Mbret të Shqiptarëve pikërisht një vit përpara se të arrija unë atje. Ja edhe një çast dhe do të kthehem te kjo figurë e çuditshme.

Rrugët e Tiranës ishin me pluhur ose me baltë, sipas kohës së vitit. Gazetat thonin se mund të kultivoje oriz në to. Ti bëheshe i vetëdijshëm për rrugët sa herë që të kalonte pranë ndonjë veturë italiane. Vetëm italianët, shumica inxhinjerë, kishin vetura. Shqiptarët ngisnin gomerë. Më kujtohet mirë dita kur Shqipëria për herë të parë importoi biçikleta, të parat që ishin parë ndonjëherë në këtë vend. Njerëzit u sulën për t’i blerë këto makina të çuditshme dhe pronarët e tyre të rinj, duke i provuar për herë të parë, lëkundeshin sa majtas djathtas dhe rrëzoheshin, ose përplaseshin me njëri tjetrin, të mbuluar me të qeshura nga kalimtarët.

Pak kohë pas kësaj, ata importuan kapele kashte nga Italia. Mirëpo koka e italianit është e gjatë. Koka e shqiptarit është e rrumbullakët, me qenë se në atë mënyrë i është dhënë forma qysh në foshnjëri. Rezultati ishte i dukshëm. Kapelet nuk i bënin kokave shqiptare dhe duhej të ktheheshin. Musolini u zemërua, por Tirana qeshi dhe kapelet prej kashte nuk u panë më për një kohë të gjatë.”

Instalimi i sistemit telefonik është përshkruar me tone të këndshme ironie, ndoshta disi të ekzagjeruara:

Telefonia ishte një shaka. Një linjë e vetme e lidhte Tiranën me portin e Durrësit dhe me botën e jashtme. Një tjetër shkonte në Shkodër në veri. Dy të tjera shkonin në jug. Shtyllat telegrafike ishin të shtrënjta dhe duhej të importoheshin, kështu që shqiptarët krasitnin pemë të njoma çdo tre-katërqind metra duke ua prerë të gjitha degët dhe ngulnin një kokë porcelani në majë. Në pranverë shtyllat telegrafike nxirrnin gjethe e filiza të rinj dhe pengonin komunikimin. Aparatura e ndërlidhjes qëndrore telefonike ishte vendosur në një stallë lopësh që nuk përdorej më, me një pus përjashta, i cila gjëndej në mes të një oborri me kalldrëm të fermës. Aparati telefonik vihej në punë me anë të një çelësi (komutatori) të vjetër me një dorezë kurdisëse anësore dhe ruhej nga një plak me qeleshe, i cili nuk kishte thuajse asgjë për të bërë sepse shqiptarët telefononin rrallë. Kur ata ose unë telefononim, ne i kërkonim njerëzit me emër. Nuk kishte numra telefonikë. Plaku kënaqej me punën e tij të përgjumur dhe e kalonte kohën duke pirë kafe të fortë dhe duke tymosur cigare të lira që kushtonin dy peni njëzet copë.”

Vizitori anglez tregon se si erdhi elektriciteti në Shqipëri:

Elektriciteti erdhi në Shqipëri më 1926 nga një rrugë e pazakontë. Kryqi i Kuq Amerikan i të Rinjve (American Junior Red Cross) ra dakord për të ndërtuar një shkollë të mesme për djem nëse Shqipëria do të paguante gjysmën e shpenzimeve, si dhe gjysmën e rrogave të mësuesve. Qeveria ra dakord, edhe pse buxheti vjetor për të gjithë vendin, për mbrojtjen, punët publike, arsimin e tij në total arrinte vetëm në një milion paund. Nuk kishte shërbim shëndetsor kombëtar dhe nuk kishte as spitale. Nuk mund të manaxhoje një spital duke nxjerrë ujë nga pusi. Kështu shkolla e re u ngrit. Ishte një ndërtesë e thjeshtë prej betoni e ndërtuar nga djemtë, të cilët ndihmoheshin nga mësuesit që merrnin një pagë shtesë për punën e tyre. Kjo marrëveshje nuk i kushtonte asgjë qeverisë, përveç materialeve, një marrëveshje me të cilën do të kishte qenë i kënaqur Zoti Samuel Squeers.”[4]

Autori jep të dhëna interesante jo vetëm për instalimin e elektricitwetit në Tiranë por dhe për ndërtimin dhe funsionimin e Shkollës Teknike Amerikane dhe veprimtarinë e drejtorit shembullor Harry Fultz:

“Kur erdha për punë në këtë shkollë, pyeta një nga djemtë nëse mund ta takoja drejtorin. ‘There he is (Ja tek është)’, erdhi përgjigjja në anglishte të pranueshme (të kënaqshme). Ai po hidhte beton në themelet e një fjetoreje të re. ‘A keni nevojë për dikë që jep mësim anglisht?’ e pyeta unë. ‘Po, besoj se po. Je i punësuar që tani. Gjysmën e rrogës e paguajmë ne, gjysmën tjetër qeveria shqiptare’.

Pa m’i parë kredencialet, ai më mori në punë që të nesërmen. Në fund të muajit më paguan me florinj, shumica lira stërlina. Më vonë në disa raste mora një monedhë shqiptare prej katër stërlinash që ishte copa më e rëndë e arit që kisha pasur ndonjëherë.

Pra këto ishin rrethanat se si erdhi elektriciteti, jo për ngrohje, sepse kjo bëhej me mangall me qymyr druri që qëndronte në mes të dhomës. Ishte marrë vendim që llambat me vajguri nuk ishin të përshtatshme për shkollën e re. Importuan një motor diesel “Petters” nga qyteti Yeovil në Somerset të Anglisë. Disa fuçi me mazut (vaj të rëndë) u rrokullisën në qilar dhe mrekullia mori formë. Erdhi ndriçimi. Në fillim llambat e shkollës ishin të zbehta dhe e dridhnin dritën pas çdo tronditjeje të motorit, zhurma e të cilit dëgjohej gjatë mësimit, ndonëse ishte në qilar. Në Tiranë thashethemet u përhapën shpejt. Mrekullia u admirua nga ministrat e Zogut të cilët, duke mos pasur çfarë të bënin tjetër, bënin vizita në shkollë herë pas here.

Më në fund, mrekullia e elektricitetit i vajti në vesh Zogut. I mërzitur në pallatin e tij, ku rrinte duke pirë cigare e duke gëlltitur kafe pa mbarim, ai erdhi në shkollë për të parë librat e ushtrimeve të djemve dhe u përpoq të gjykonte përparimin e tyre në anglisht, një gjuhë që ai nuk e dinte. Ishte muzg; dritat që dridheshin u ndezën. Rezultati: na u desh të ngrinim një linjë elektrike nga shkolla në pallatin mbretror. Dritat e shkollës dridheshin më shumë se kurrë. Një vit më vonë një firmë austriake montoi një central elektrik për qytetin dhe shqetësimet tona morën fund. Kur u ndezën dritat e qytetit për herë të parë, të gjithë banorët u turrën përjashta për t’i parë. Lutje falënderimi u falën në të gjiths xhamitë e Tiranës. Por instalimi i një centrali elektrik nuk i zgjidhi të gjitha problemet tona.”

Pastaj Stuart Mann-i ironizon injorancën e një kryeministri shqiptar të qeverisë së Zogut,i cili shkruante vetëm turqisht me alfabet të vjetër arab dhe “nuk dinte të shkruante shqip”(!); ai vë në lojë dhe anëtarët dembelë e vanitozë të kabinetit tëtij:

“Në hotelin tim ishin dy banjat e vetme në të gjithë Tiranën. Ato furnizoheshin me ujë nga puse arteziane të hapura në oborrin e hotelit rreth të cilit ishte ndërtuar. Banjat duhej të rezervoheshin dy javë përpara dhe kushtonin gjysëm korone vakti. Një herë më thanë se nuk mund të bëja banjë për një muaj, sepse Kryeministri dhe kabineti i tij i kishin rezervuar të gjitha oraret për gjithë periudhën. Kështu që unë mësova të lahem me një legen dhe një ibrik në dhomën e gjumit.

Në fillimet e qëndrimit tim atje shkova në sallonin e hotelit në katin e dytë dhe pashë një pamje të jashtëzakonshme. Një burrë me pamje intelektuali me size pa bishta po shkruante një letër nga e djathta në të majtë. Pasi e palosi, përplasi duart dhe në çast u shfaq shërbëtori i tij. Djali i dha një zarf dhe burri e mbylli. Burri dinte të shkruante vetëm turqisht dhe këtë e bënte në shkrimin e vjetër arab. Ai nuk dinte të shkruante shqip. Pasi ishte larguar djali, ai më pyeti se kush isha. Unë i tregova dhe pastaj e pyeta se kush ishte ai. “Unë jam Kryeministri”, tha ai. Pas një bisede të shkurtër ai u largua nga salloni i hotelit, duke mbajtur në dorën e djathtë një shkop të gjatë e të zi prej abanozi dhe me dorezë argjendi pa e ulur në tokë (si një ‘crozier’), dhe duke pështyrë nëpër shkallë herë majtas e herë djathtas ndërsa zbriste. Një shpurë solemne burrash i shkonte mbrapa për të treguar se sa i rëndësishëm ishte.

Anëtarët e tjerë të kabinetit mund t’i shikoje shumicën e ditëve duke shëtitur në mes të rrugës kryesore dhe duke hedhur vështrime tinëzare anash për të parë që asnjëri të mos hidhte asnjë hap përpara të tjerëve. Kjo do të tregonte përparësi dhe do t’i bënte të tjerët me turp.

Ditëlindja e mbretit ishte njëkohësisht ditë pushimi dhe provë e vështirë (stres).  Në këtë rast do të bëheshin qitje në ajër dhe gjithë ushtria shqiptare do të parakalonte, me mushkat e ngarkuara në të dy anët me shrapnel dhe me gjeneralin komandues në krye, i cili kalëronte i pasigurtë mbi një kalë të stërmadh që duhej të sillej nga jashtë për këtë qëllim. Pastaj vinte fllota detare: dyzet e pesë burra, me një admiral, i cili marshonte përkrah tyre duke u munduar që ata të mbanin hapin. Pas paradës duhej një orë që të ikte pluhuri.

Në fund të Luftës së Parë Botërore fllota shqiptare përbëhej nga dy anije të vjetra me një oxhak, njëra në ujë e tjetra në pupë (stere). Ato qëndronin gri e mjerane në portin e Durrësit, i cili ishte mbushur me llum rëre dhe i papërdorshëm.  Pas disa kohësh këto dy anije, e gjithë fllota shqiptare, u nxorën për t’u shitur në një arkë prej xhami përjashta një librarie në Tiranë, 200 paund copa. Nuk pati blerës.”

Këtu Mann-i menjëherë bëhet i ndjeshëm ndaj shtypshkrimit dhe alfabetit shqip dhe shpjegon:

“Me që ra fjala për libra, kjo më kujton një nga historitë më të trishtuara të prapambetjes së Shqipërisë, sepse është një nga më heroiket. Në shekullin e pesëmbëdhjetë Shqipëria ishte një vend i krishterë, me gjuhë dhe letërsi të sajën, dhe librat e saj shkruheshin me shkronja latine. Pastaj turqit u sulën në këtë vend, i shkatërruan kishat e shkollat dhe e lanë atë një batak të shkretuar e të braktisur për gati 450 vjet. Gjuha vazhdoi të flitet, por librat u harruan, dhe vetëm një ka mbijetuar, një meshar i shkruar më 1555 nga një Gjon Buzuku, një faksimile të të cilit unë e kam sjellë me vete për t’jua treguar juve. Më 1878, Shqipëria u përpoq të shkëputej nga Turqia, por më kot. Shkrimi dhe botimi i librave u bë një lëvizje klandestine dhe çdo shkrimtar zgjidhte germëzimin e tij. Shkollat hapeshin dhe mbylleshin përsëri nga frika e rebelimit.

Më në fund, më 1908, shkrimtarët shqiptarë thirrën një kongres në Manastir për ta zgjidhur çështjen për një alfabet. Nga njëzet alfabete, tre u shqyrtuan me hollësi. Pas shumë debatesh, një delegat u ngrit në këmbë, ngriti lart një makinë shkrimi e tha: ‘Futini të gjitha shkronjat tuaja shqipe në këtë makinë shkrimi dhe gjuha do të jetojë. Sillni shumë shkronja të reja dhe gjuha do të vdesë, sepse askush nuk do të jetë në gjendje t’i shtypë (printojë).’ Alfabeti i tij i thjeshtuar doli fitues.”

Stuart Mann-i gjithnjë bën kujdes që të sqarojë herë pas here se ajo prapambetje që kishte realiteti shqiptar i takonte një kohe të shkuar: “Por unë po flas për Shqipërinë e para dyzet viteve, kur nuset e fshatit, jo nuset e qytetit, nxirreshin në ankand nga baballarët e tyre për t’ia shitur dhëndërit të ardhshëm. Në një ankand të tillë, të cilin e paraprinte një festë me ushqim e pije që përballohej nga babai i nuses; babai zakonisht rrinte në një cep të tryezës me të bijën, të mbuluar me kujdes me vello, ndërsa dhëndëri i ardhshëm rrinte me shokët e tij meshkuj në cepin tjetër. Kur gostia ishte ngrohur mirë nga rakia, fillonte loja. “Çfarë do të më jepni për vajzën time?” fillonte babai. Kandidati për dhëndër mblidhej kokë më kokë me shokët e tij dhe konsultoheshin duke pëshpëritur. “Pesë korona”, vinte përgjigja nga cepi tjetër i tryezës. “Gjepura”, nga babai midis të qeshurave. Çmimi i shkëmbimit do të arrinte 250 deri 300 korona, sipas vlerës së bijës si zonjë shtëpie dhe punëtore ferme. Marrëveshja do të mbyllej duke kthyer edhe ca gota dhe floriri do t’i dorëzohej babait të nuses në një qese lëkure. Pas ceremonisë së martesës, dhëndëri shpesh do ta shikonte nusen e tij për herë të parë. Ajo ishte tani plaçkë, pronë e tij, dhe tani e tutje ajo do të ecte prapa tij duke mbartur ngarkesat e tij, ndërsa ai ngiste gomarin i hipur anash nbi samar.”

Siç tregon më tej vetë Stuart Mann-i në këtë shkrim të vitit 1969, ai i kishte ndjekur me simpati zhvillimet që kishin ndodhur në Shqipëri, me gjithë rezervat që kishte ndaj regjimit totalitar:

“Shqipëria sot nuk është më i njëjti vend që ishte dyzet vjet më parë. Ende vendi më i varfër në Europë, ajo tani ka hekurudha, hidrocentrale, kombinate tekstili dhe një rafineri nafte. Por paga mesatare është ende vetëm një paund në javë. Ka mangësi kronike produktesh dhe vetëm komunistët e privilegjuar kanë veturë. Kështu që probleme trafiku ka pak.

Ka një universitet të mirë me katër fakultete. Feja është hequr dhe gjithë ekonomia është futur në ingranazhet e Marksizmit Staslinist. Kënetat janë tharë dhe malaria është një gjë që i takon së shkuarës.

Shqiptarët janë jashtëzakonisht krenarë për arritjet e tyre, të cilat, sipas standarteve tona, janë tepër modeste, por ashpërsia e regjimit komunist është më e madhe se kudo tjetër në Europë jashtë Rusisë. Të kënaqur me pak, shqiptarët e kujtojnë mirë kohën kur kishin më pak.

Kryeministri i tanishëm[5] është, më vjen keq ta them, një ish-student i imi, të cilit i kam dhënë mësim kur ai ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Qeveria e tij më ka kërkuar dy herë që të shkoj në Shqipëri me të gjitha shpenzimet e paguara, por më është dashur ta refuzoj, të themi, me një pjesë të vërtetës, që nuk kam kohë. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por nuk është gjithë e vërteta”.

Arësyet e mospranimit të ftesës qëiu bë dy herë Stuart Mann-it nga qeveria shqiptare e vitit 1969 janë personale, por për ne sot janë të kuptueshme. Ishte e drejta e tij që të mbante rezerva ndaj një realiteti politik e shoqëror që për të ishte i papranueshëm.

E rëndësishme është që ai vazhdoi deri në fund të jetës së tij studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe ruajti respektin dhe vlerësimin e lartë për shqiptarët. Një nga veprat e tij më serioze që ndoshta e dëshmon këtë më së miri është dhe Fjalori Historik Shqip-Anglisht (Longmans, Green, 1948,)në 2 vëllime(vëllimi i parë ka 601 faqe dhe vëllimi i dytë ka 306 faqe.Kjo vepër referuese mbështetet në përdorimin e fjalës shqipe në letërsi dhe në kulturën fshatare për një periudhë të gjërë shumëshekullore, me një shtrirje kohore nga viti 1496 deri më 1938. Hyrjet (fjalët) janë të renditura alfabetikisht nga “n”-ja te “z”-ja të shoqëruara me referenca të shkurtuara për origjinën bibliografike të çdo fjale. Përkufizimet janë të shkurta dhe nuk përfshijnë fjali ilustruese.

Në Parathënien e këtij fjalori Stuart Mann-i fillimisht jep argumentin e tij për studim krahasues të gjuhës shqipe duke shpjeguar tiparet themelore të kësaj gjuhe. Ai shpjegon se “shqipja është një anëtare e pavarur dhe e veçuar e familjes indi-europjane të gjuhëve. Si e tillë, është qartësisht po aq e rëndësishme për studim krahasues sa gjuhët e saj motra latinishtja, greqishtja, sllavoniket, lituanishtja, etj., me të cilat tregon një shkallë marrëdhënieje thuajse të barabartë.” Këtu ai gjithashtu argumenton se “ndonëse shqipja përmban një përpjestim të madh fjalësh të huazuara (loan-words) nga latinishtja, etj., elementët indo-europjanë autoktonë mbizotërojnë.” Këtu ai polemizon me pikëpamjet e Gustav Majerit dhe shpreh vlerësimin e tij kritik ndaj veprës së albanologut të shquar gjerman “Etymologisches Woerterbuch der albanesischen Sprache” (“Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”) të botuar në Strassburg më 1891. Mann-i thotë se nëse Majeri “zbuloi vetëm 400 fjalë rrënjësore, të cilat ishin fare qartë me origjinë indo-europjane autoktone,” ky numër “tani mund të shumëfishohet të paktën pesë herë”, pra është sigurisht mbi 2000 fjalë rrënjësore. Ndërsa e vlerëson Majerin “për një numër interpretimesh të shkëlqyera të elementëve të huazuar të shqipes”, Mann-i mendon se “shumica e materialit të bollshëm autokton të gjuhës është anashkaluar krejt nga Majeri”, kurse “thuajse të gjitha fjalët e turqishtes dhe të greqishtes së sotme që janëfutur në Fjalorin e tij nuk përdoren fare në Shqipëri”. Ai gjithashtu mendon se “njohja, pranimi dhe interpretimi i elementëve indo-europjanë të shqipes janë njëkohësisht sa naivë aq dhe kontradiktorë”. Pasi e ilustron me shembuj fonologjikë mendimin e tij, ai arrin në përfundimin se “është e tepërt të themi që ‘interpretimet’ indo-europjane të Majerit janë thuajse të pavlera” dhe shpreh bindjen se “shqipja është zhvilluar mbi linja përsosmërisht konsistente, logjike” si bijë “nga prindi indo-europjan”.

Parathënien me vlera të mirëfillta albanologjike të botimit të Fjalorit Historik Anglisht-Shqip (“An Historical Albanian – English Dictionary”),të kësaj vepre madhore e voluminoze me mbi 900 faqe, me 76 burime bibliografike nga 9 gjuhw (shqip, latinisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, greqisht, serbo-kroatisht, polonisht, rusisht) Stuart Mann-i e përfundon me fjalinë: “I hope the Albanian people will accept this Dictionary as a slight token of regard to a brave nation which I hold in high esteem. Stuart E. Mann. London, 1947.” (“Shpresoj që populli shqiptar do ta pranojë këtë Fjalor si një shënjë të vogël të respektit për një komb trim të cilin unë e vlerësoj dhe e admiroj në kulm”. Stuart E. Mann. Londër. 1947.)

Siç shprehet me të drejtë miku im A.B., le të jetë ky shkrim një zë mirënjohjeje shqiptare ndaj këtij intelektuali të ditur anglez që e respekton dhe e vlerëson lart kombin tonë.

Për kontributin e tij shkencor në fushën e Albanologjisë, studjuesi anglez Stuart Edward Mann (1905-1986) e meriton plotësisht një vend nderi përkrah albanologëve të mëdhenj: Johann Georg von Hahn (1811-1869), Gustav Meyer (1850-1900), Baron Franz Nopsca (1877-1933), Norbert Jokl (1877-1942), Milan Šufflay (1879-1931), Giuseppe Valentini (1900-1979) dhe Eric Pratt Hamp (1920-2019).

 

[1]Revista“Kratylos”është revista zyrtare e Shoqatës për Studimet Indo-Europjane qëdel një herë në vit në katër gjuhë (anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht).

[2]Eric P. Hamp (1920-2019), “Stuart E. Mann, An English-Albanian Dictionary. New York: Cambridge University Press, 1957, 434 pp.” American Slavic and East-European Review, Volume 17, Issue 4, December 1958, pp. 573-574.

[3] Tregimi “Pika lotë” u botua për here të parë me 21.08.1899 kur Mid’hat Frashëri ishte 19 vjeç.

[4] Personazh komik në romanin “Nikolas Nikëllbi” të Çarlz Dikensit.

[5] Mehmet Shehu (1913-1981)

Share This Article
6 Comments
  • Dhe ku gjindet ky fjalori i Stjuart Mannit? Per me teper qe ka nje parathenie te gjere mbi shqipen dhe punimet e G. Majerit!

  • Nje studim shume interesant per nje albanolog cuditerisht te panjohur edhe nga rrethet shkencore te Shqiperise. Kjo ndoshat per faktin se gjuhetaret tane kane qene te pergatutur ne shkollat italiane, gjermane, ruse dhe franceze; por edhe per faktin e qendrimit tejet armiesor te Mbreterise se Bashkuar kundrejt Shqipersie qe po eksperimentonte nje sistem diktatorial stalinist.

    Prof Refik Kadia eshte nje personalitet i njohur ne fushen pedagogjike te gjuhes angleze dhe studimin e personaliteteve te letersise angleze; shkruan rjedhshem dhe percjell nje kulture enciklopedike te lexuesi. Uroj qe edhe studjuesi anglez Stuart Edward Mann (1905-1986) te zere nje vend nderi ne radhet e albanologeve te huaj qe e kane dashur dhe kane dhene ndihmesen e tyre ne kulturen shqiptare.

  • Një ndër shkrimet më interesante që kam lexuar kohët e fundit. Profesor. dr. Refik Kadija, e ka sjellë këtë figurë të shquar të albanologjise me kontributet dhe njohjet e tij të thella për realitetin e kohës dhe figurat e tjera të mëdha të gjuhës shqipe. Pa dyshim që meritat duhen vlerësuar. Edhe në shumë shkrime e studime të tjera historike e letrare gjuhësore, profesori R. Kadija tregon jo vetëm nivelin e lartë të pergatitjes shkencore, por edhe njëkohësisht përkushtimin për të sjellë gjera të reja e të panjohura deri tash. Ky është një nder i madh që na ben jo vetëm neve, miqve të tij, por edhe më gjerë. Përshendetje dhe respekt!
    Dimitrov Popoviq, Podgoricë

  • A nuk mundet Akademia jone te botoje rregullisht, qofte edhe on line, pjese te studimit te tij? Eshte e turpshme qe te njihet kaq pak nje albanolog e humanist i madh.
    Flm, prof Kadija!

  • Shkrimi i mesiperm i Profesor Emeritus Refik Kadija eshte nje leksion i mire per te gjithe ne qe nuk e kemi njohur me pare albanolgun e shquar, nga Mreteria e Bashkuar, Stjuart Men, prandaj do te ishte me interes qe Akademia e Shkencave e Republikes se Shqiperise,ose Univesiteti Shteteror i Tiranes ta ribotonin fjalorin e hartuar prej tij Anglisht-Shqip, si nje “Perle” ne fushen e gjuhesise

  • Kryeministri i Arnautise nuk dinte shqip thote zotnia dhe shkruante Arabisht nga e djathta ne te majte.
    Po ky vetem turqisht fliste ne 1926en ne Parla-ment,ne shtepi, ne shoqeri?
    Ah mor Beqira qe nuk kini as “histori,as kulture,as gluhe”.
    Paska patur te drejte Ismail bej Vlora,Frashellinjte,Hasanet qe shkuan per te luftuar per Tur-qine dhe kunder Epiroteve,te ashtuquajtureve Arvanitas etj. sepse nuk kishte akoma Genitsere turq te convertuar ne “Skiptare”.
    Dhe te meendosh qe keta Genitsere ishin Greke Orthodhokse per 1100 vjet Bizant deri sa u pushtua Epiri nga Osmanet ne 1543A.D.
    Nuk ishte krijuar mire gluha Skipe e “perendive” nga Austro Italianet akoma,Justin te drejte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *