Pas pak muajsh restorantet dhe fast-foodet do të përballen me kontrolle dhe monitorime të vazhdueshme nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Kësaj herë kontrollet nuk do të përqëndrohen vetëm tek higjiena, por edhe tek vaji që përdoret për gatim. Udhëzimi vjen pas trajtimit të gjerë nga media mbi rrezikshmërinë që paraqitet nga skuqja e herëpashershme e ushqimeve pa ndërruar vajin. Vaji përbëhet nga disa produkte polare që janë të dëmshme për shëndetin. Nga skuqja e herëpashershme e vajit produktet polare transformohen në kancerogjene dhe gjatë konsumimit të ushqimit, ato depozitohen në trupin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme të rrezikshme. Ndaj, në udhëzimin e botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se vlera maksimale e komponimeve të përgjithshme polare në vajrat e përdorura për skuqje nga operatorët e biznesit ushqimor, duhet të jetë jo më shumë se 25 për qind, që është një standart i Bashkimit Europian. Me miratimin e udhëzimit, inspektorët e ushqimit do të trajtohen përgjatë tre muajve të ardhshëm për procedurat e kontrollit në vajrat e përdorura për skuqje. Ndaj, edhe pse udhëzimi ka hyrë në fuqi, zbatimi i tij do të nisë pas 3 muajve, sikurse përcakton neni tranzitor i udhëzimit.