EKSKLUZIVE: Çështja CEZ-DIA, kush është ish-kryeministri i përfolur

redaktor

Avokati i palës shqiptare në gjyqin CEZ-DIA Tim Schreiber, i kompanisë Clifford Chance i ka dërguar Avokaturës së Shtetit në Tiranë, një email.

Emaili ka ardhur pas akuzave të bëra në media dhe më pas të marra nga PD për implikimin e ish-kryeministrit Ilir Meta në çështjen CEZ-DIA, që po gjykohet në Arbitrazh.

“Referuar e-mailit tuaj datë 27 gusht 2015 (njoftimi i shpërndarë nga zyra e shtypit e kryeministrit), OSHEE në dosjen e depozituar në arbitrazh kundër DIA ltd nuk e ka përmendur zotin Meta si një përfitues transfertash të parave apo praktika të tjera korruptive, në lidhje me marrëveshjen e mbledhjes së borxhit mes OSHEE dhe DIA” – shkruan në emailin e tij Tim Schreiber.

Emri i Metës u përfol i pari se fshihej pas togfjalëshit hermetik “një ish-kryeministër i proceduar edhe më parë për korrupsion”, togfjalësh që gjendej në dokumentat që Clifford Chance ka paraqitur në gjyq. Më pas u tha se bëhej fjalë për Berishën. Në kuadrin e listimit të kryeministrave të pluralizmit, dje nuk shpëtoi pa dalë në skenë edhe emri i ish-kryeministrit Fatos Nano. Por nuk është asnjë prej këtyre. Për cilin bëhet fjalë?

Vilson dhe Petrit Ahmeti
Vilson dhe Petrit Ahmeti

Roli i Petrit dhe Vilson Ahmetit

DITA disponon dokumenta që kanë të bëjnë me gjyqin mes CEZ dhe DIA ku bëhet e qartë se cili është “ish-kryeministri” për të cilin u referua se ka marrë rryshfet për favorizimin e kompanisë DIA.

Këto dokumenta sugjerojnë qartësisht se “ish-kryeministri” që referohet si i hetuar e dënuar “më herët” për korrupsion nuk është as Nano siç u sugjerua orët e fundit.

Burime nga gjyqi në arbitrazh thanë për DITA se bëhet fjalë për Vilson Ahmetin, vëllai i të cilit Petrit Ahmeti, ka qenë person kyç në negociatat që i paraprinë futjes së DIA-s në lojë.

Ai ka qenë këshilltar i ERE-s në momentin e lidhjes së kontratës e më pas u zgjodh kryetar i bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë.

Roli i ish-kryeministrit Ahmeti mes DIA-s dhe pozicionit kyç të vëllait qartësohet edhe nga dëshmitë në gjyqin e arbitrazhit, spekulimet me të cilin kanë ndezur sërish politikën në Tiranë. Për më tepër, Petrit Ahmeti është thirrur në prokurori pak muaj më parë për të dëshmuar mbi këtë aferë.

 

Tepshi dhe Ahmeti në dëshminë e ish-drejtorit të CEZ

Dëshmia e ish-drejtorit të CEZ në Shqipëri Josef Hejsek dhënë në 26 tetor 2014, për gjyqin midis CEZ dhe DIA për mbledhjen e borxheve është e qartë dhe e detajuar.

Hejsek ka dëshmuar se ka qenë ish ambasadori i Shqipërisë në Pragë, zoti Qazim Tepshi që e ka prezantuar me Kastriot Ismailajn, (personin e akuzuar).

Ai shton se së bashku kanë shkuar në zyrën e kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha dhe zyrën e ish Kryetarit të ERE, zotit Bujar Nepravishta, ku ka qenë prezent edhe Petirt Ahmeti, (sot kryetar i ERE).

“Qeveria shqiptare më propozoi që të gjeja dikë që të kishte njohuri me botën e biznesit shqiptar” – dëshmon Hejsek. Ai shton se pas këtij sugjerimi ishte ambasadori Tepshi, që i ka rekomanduar zotin Kastiot Ismailaj si një mbledhës borxhesh të jashtme. “Kjo mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009”, – thotë Hejsek në deklarimin e tij.

“Pas këtij procesi, unë kam hyrë në komunikim për çështjen. Zoti Tepshi më prezantoi me zotin Ismailaj në Tiranë. CEZ shpërndarje, e trajtoi zotin Ismailaj si një “kandidat” të qeverisë shqiptare për të mbledhur borxhet e vjetra të energjisë elektrike” – thotë ndër të tjera Hejsek.

Më tej, duke përmendur rolin e Ismailajt, çeku thotë se ky e prezantoi veten si një specialist të mbledhjes së borxheve dhe njohës të politikës dhe biznesit shqiptar.

“Së bashku me zotin Ismailaj, gjithashtu takova zotin Nepravishta, kryetarin e ERE dhe këshilltarin ligjor në atë kohë, emri i të cilit ishte Petrit Ahmeti”, thotë ai.

 

Ish-ambasadori Tepshi, shumë aktiv

Në dëshminë e tij flet për hapat e mëvonshëm sesi kanë rrjedhur ngjarjet, ku ish ambasadori Tepshi ka qenë shumë aktiv.

Qazim Tepshi, ka qenë deputet i Parlamentit të Shqipërisë me ish partinë e Genc Pollos, dhe u emërua nga Berisha më pas ambasador. Në kohën e privatizimit të CEZ ka qenë ambasador në Pragë.

Kreu i Kuvendit, emri i të cilit u lakua fillimisht si personi që referohej me termin “ish-kryeministri” në materialet e gjyqit, rezulton se ka qenë në Pragë në dhjetorin e atij viti, në kongresin e Partisë Socialiste Evropiane.

Gjatë kësaj vizite ai ka zhvilluar një takim dhe me ministrin e Jashtëm çek. Në këtë aktivitet ka qenë i pranishëm edhe kryetari aktual i PS Edi Rama.

 

Çfarë po tenton të arrijë realisht Basha?

Pikëpyetja e madhe e këtij rasti është sjellja e Lulzim Bashës. Ai po e amplifikon politikisht këtë histori, që në fakt godet ish-kryeministrin Berisha dhe zyrtarët e asaj kohe që rezultojnë të gjithë funksionarë të PD-së. Disa prej tyre janë ende aktivë dhe me potencë në këtë parti. Konkretisht, duke u kthyer pak tek çështja në fjalë, burime kanë thënë për DITA-n se një rol aktiv lobues pranë kryeministrit Berisha në dobi të Ahmetit ka dhënë këshilltarja e tij ekonomike znj.Guxholli. Berisha dha viston mesa duket edhe si shenjë paqeje për burgimin e dikurshëm të Ahmetit.

Për këtë arsye përplasjeje, brenda PD-së nuk mungojnë dyshimet se afera po përdoret nga Basha për të goditur tinëz Berishën, sipas këshillave edhe të ndërkombëtarëve.

Dy janë problemet që ai ka aktualisht: Mungesa e autoritetit për shkak të prezencës së fortë në PD të Berishës dhe një grup i “të vjetërve” me të cilët dëshiron të vijojë një proces përjashtimesh që ka bërë tashmë viktimat e para.

Hipoteza përforcohet edhe nga fakti që pas DIA-s në lojë u futën kompani të tjera (së paku 6) në përpjekjen për të përfituar nga kontratat për mbledhje borxhesh dhe një prej ministrave të përfshirë në këtë “treg” ka qenë Ridvan Bode./DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *