SHËNIM / Për ca ministra frikacakë dhe të padenjë për Rilindjen

redaktor

Kanceri i shtetit shqiptar është korrupsioni në të gjitha përmasat e tij. Por më i pandëshkuari, deri më sot, mbetet korrupsioni i madh i zyrtarëve të lartë, i presidentëve, i kryeministrave, ministrave apo deri edhe deputetëve. Prandaj edhe “Rilindja” e shtetit nuk mund të shmangë dot luftën për të ndëshkuar korrupsionin e madh që zhvillohet në majat e tij. Dhe kështu shpresohej se do të ndodhte pasi qeveria Berisha humbi pushtetin më 23 qershor. Mjerisht, këto shpresa akoma nuk janë justifikuar. Korrupsioni i madh ka mbetur i paprekur si këtu e 25 vjet. Prandaj edhe Rilindja e shtetit ka mbetur e gjymtë, ndërkohë që qeveria Rama ka nisur të ndjejë bumerangun politik të pasivitetit të saj në luftën kundër korrupsionit. Një nga treguesit më zhgënjyes të këtij bumerangu është fakti që lidershipi i korruptuar i opozitës berishiste, e ka shfrytëzuar këtë pasivitet të qeverisë për të rrëmbyer edhe një herë flamurin e “antikorrupsionit”. Ata që duhet të ishin nën akuzë për megakorrupsionet më të përgjakshme, janë kthyer në akuzatorë! Mos kemi rrëshqitur gjë 10 vjet prapa?! Sepse na duket sikur nuk jemi në vitin 2015, por në vigjilje të zgjedhjeve të vitit 2005. Dhe se në vend të Edi Ramës, në pushtet është Fatos Nano.

 ***

Është e gjithëditur që lufta kundër korrupsionit të madh dhe pandëshkueshmërisë, pengohet nga mungesa e një pushteti të pavarur drejtësie. Megjithë premtimet periodike të Llallës, prokuroria vazhdon t’u qëndrojë larg të korruptuarve të mëdhenj. Por a e justifikon pasiviteti i prokurorisë qeverinë? Aspak! Sepse vërtet qeveria nuk mund të dënojë korrupsionin, por ajo duhet të bëjë pjesën e saj të punës për të ndëshkuar korrupsionin. Një nga preokupimet e para të qeverisë së Rilindjes duhet të ishte investimi me përkushtim për të ndëshkuar korrupsionin e trashëguar nga qeveria Berisha. Jo si gjakim për të goditur kundërshtarin politik, por si devocion ndaj drejtësisë, si vetëdije se pa goditur korrupsionin e madh si kancer i shtetit, edhe lufta kundër korrupsionit të vogël do të dështojë.

 ***

Dedikimi ndaj luftës kundër korrupsionit duhet t’i kish bërë të gjithë ministrat e Rilindjes që një ndër detyrat më urgjente duhet të kishin patur investigimin e dokumentacioneve në dikasteret përkatëse për të evidentuar rastet e korrupsionit dhe për t’i dërguar dosjet në prokurori. Por çfarë shohim pas 2 vjet qeverisjeje. Thuajse të gjithë ministrat e Rilindjes nuk kanë patur fare kohë të merren me luftën kundër korrupsionit të madh. Vetëm disa prej tyre, Mimi Kodheli, Saimir Tahiri dhe Shkëlqim Cani kanë dërguar disa dosje në prokurori. Një situatë që ngre një dyshim të madh: Përse ministrat e Rilindjes nuk investohen për antikorrupsionin? Dhe përgjigja ka dy opsione: Ose kanë frikë, gjë që është e pafalshme kur pranon një post të lartë publik, ose janë të korruptuar apo me aspirata për të zhvilluar korrupsion. Shkurt, ndihen të kërcënuar në kalkulimet e tyre meskine nëse hapet “loja” e antikorrupsionit.

 ***

Korrupsioni i qeverisë Berisha ka qenë aq galopant (gjë që është ngritur me alarm në mjaft dokumente si për shembull, në progres-raportet e përvitshme për Shqipërinë) sa me një dedikim minimal, çdo ministër i Rilindjes duhet të kishte sot disa dosje të depozituara në prokurori. Nëse prokuroria do të qëndronte pasive apo jo, do të qe punë e saj. Por sot çdo ministër, duhet të kishte të drejtë të thoshte: Unë e bëra detyrën time! Qeveria Rama duhet të kishte të drejtën të thoshte: Unë e bëra pjesën time të punës kundër korrupsionit dhe fjalën e ka prokuroria dhe gjykatat. Sepse nuk është qeveria, as kryeministri që arreston, gjykon, fal apo dënon. Dhe në kushtet e pasivitetit të organeve të drejtësisë, sot Rilindja do kishte një argument më shumë për domosdoshmërinë e themelimit të një pushteti të pavarur drejtësie.

 ***

Por për shkak të ministrave frikacakë, pa sensin e të drejtës dhe për këtë shkak, pa neveri për hajdutët dhe vjedhësit e mëdhenj të milionave publike, sot Rilindja ndodhet e dyshuar dhe e akuzuar nga kundërshtarët e saj të korruptuar për mungesë vullneti politik për luftë kundër korrupsionit. Por e keqja nuk kufizohet vetëm me kaq. Mungesa e dedikimit për luftë kundër korrupsionit të madh, po keqpërdoret për të zhvlerësuar edhe përpjekjen e admirueshme për rikthimin e shtetit në të tjera rrafshe si për shembull, në luftën kundër evazionit, kundër mospagimit të faturave të energjisë elektrike, kundër kultivimit të bimëve narkotike, kundër ndërtimeve pa leje. Sepse ajo që ruan stabilitetin në një shtet është barazia para ligjit. Kur shqiptarët shohin që shkelja e ligjit dhe korrupsioni që bashkëshoqëron atë, luftohet njësoj si në katet e larta të shtetit ashtu edhe në katet përdhese të tij, e perceptojnë këtë luftë si drejtësi dhe forcë të qeverisë. Dhe e pranojnë. Por kur shohin që korrupsioni i gërshetuar me evazionin dhe të tjera dukuri, goditet vetëm poshtë, atëherë e perceptojnë si padrejtësi dhe dobësi të një qeverie që merret vetëm me të dobëtit. Prandaj nuk e pranojnë, e refuzojnë. Dhe pastaj ndodh tragjikomedia: Të korruptuarit e mëdhenj të qeverisë së djeshme, të toleruar nga ministrat e “Rilindjes”, ankohen se qeveria po merret me të vegjlit, me të pambrojturit pra, jo me ata vetë! Kanë rrëmbyer flamurin e “antikorrupsionit” (a nuk po i dëgjoni si i qajnë hallin mospaguesit të energjisë apo atij që i prishet ndërtimi pa leje?) dhe nuk do ta kenë të vështirë që shumë nga këta të pakënaqur që në 23 qershor votuan për shtetin, t’i integrojnë në aradhat e antishtetit që kanë nisur t’i organizojnë.

 ***

“Rilindja” e shtetit ka emrin antikorrupsion! Ata ministra e që shohin veten të paaftë për një sfidë të tillë sublime, kanë bërë gabim që kanë lakmuar të bëhen ministra. Dhe ose qeveria Rama do të veprojë me urgjencë duke bërë pjesën e saj të punës kundër korrupsionit të peshkaqenëve që prej 25 vjetësh kanë shqyer dhe po shqyejnë trupin e shtetit, ose peshkaqenët e korrupsionit do ta shqyejnë edhe atë vetë.

Share This Article
4 Comments
  • sa lek milion euro xhir botes kane bere ministrat e edi rilindjes
    qe kritikoji ata qe iken.
    cfare i sollen vendit vecse rritje shpenzime valuie per qejf.
    u shtuan pensionet
    cmimi i dritave
    investimet dhe vendet e kafeneve,invazioni,rimbursimi i ilaceve, tvsh,doganave
    hani derkuctevefjel u bete gani pini dera
    rilindja kohe njesoj e maskarenjeve
    edi tjeter here e djale se egla vasilika pernamentin e bejne te bukur.dhe makines i hapet
    dera si dupi i punesimit sipas shkerdhatovjedhsise

    • Dita po ve gishtin mbi nje premim te pambajtur.
      Por kryeministri ka drejtorine anti korrupsion si dhe drejtori te tjera qe kane te gjitha mundesite ti hapin dosjet vete sic bene per Imamin.
      Pra eshte nje pergjegjsi e kryeministrit. Ministrat mund te ndihmojne por kryeminisri ka drejtor dhe stafe sa te duash per te bere nji gje te tille.
      Gjithashtu sduhet harruar qe Rama ka nji autoritet absolut mbi ministrat. Ne qofte se Rama do ua kishte kerkuar ministrave te hapnin dosjet e vjetra, ata do e benin. Por dihet fare mire qe Rama nuk ka dhene asnje urdher te tille.
      Perkundrazi Rama po mbyll edhe dosje te medha te qeverise Berisha qe brejne xhepat e Shqiptareve.
      Nderkohe qe te varferve ju kerkohen kasat fiskale, kompani si rapiscan, kolaudimet, e te tjera qe favorizoi Berisha, po fusin miliona euro ne xhep cdo dite. Rama thote qe ska gje ne dore.
      Por Bechetit ja beri dosjen sa nje liber qeveria Rama.
      Pra eshte e qarte qe faji nuk eshte tek ministrat por tek Rama qe po amniston korrupsionin e qeverise Berisha.

  • Dita po ve gishtin mbi nje premim te pambajtur.
    Por kryeministri ka drejtorine anti korrupsion si dhe drejtori te tjera qe kane te gjitha mundesite ti hapin dosjet vete sic bene per Imamin.
    Pra eshte nje pergjegjsi e kryeministrit. Ministrat mund te ndihmojne por kryeminisri ka drejtor dhe stafe sa te duash per te bere nji gje te tille.
    Gjithashtu sduhet harruar qe Rama ka nji autoritet absolut mbi ministrat. Ne qofte se Rama do ua kishte kerkuar ministrave te hapnin dosjet e vjetra, ata do e benin. Por dihet fare mire qe Rama nuk ka dhene asnje urdher te tille.
    Perkundrazi Rama po mbyll edhe dosje te medha te qeverise Berisha qe brejne xhepat e Shqiptareve.
    Nderkohe qe te varferve ju kerkohen kasat fiskale, kompani si rapiscan, kolaudimet, e te tjera qe favorizoi Berisha, po fusin miliona euro ne xhep cdo dite. Rama thote qe ska gje ne dore.
    Por Bechetit ja beri dosjen sa nje liber qeveria Rama.
    Pra eshte e qarte qe faji nuk eshte tek ministrat por tek Rama qe po amniston korrupsionin e qeverise Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *