Luga e Prokurorit

anazapta

Në orët e vona të së enjtes, në faqen e DITA-s në internet u shpall si titull kryesor dalja e një urdhër-arresti për kreun e INUK, Zydi Dajti, fill pasi ishte njoftuar dhe arrestimi i Florenc Hoxhës, kreu i INUV-it të Bashkisë Tiranë. Një nga internautët që komentonin këtë lajm, kishte zgjedhur një batutë ironike duke i bërë thirrje Prokurorisë: “O z.Llalla tani arrestoni Adi Krasten, por mos harroni, arrestoni edhe Ajola Xoxen për… kompesim”. Analogjia e komentuesit ishte me siguri cinike, por kishte si prapamendim të vetin, një element të dy arrestimeve Hoxha-Dajti që s’mund të mos bjerë në sy. Ishte arrestuar Florenc Hoxha, “krahu ndërtimor” i Lul Bashës, por ishte arrestuar edhe Zydi Dajti, ‘krahu ndërtimor’ i Edi Ramës brenda së njëjtës mbrëmje. Ndonëse çështjet ndaj të dyve janë të ndryshme, madje dhe pikënisja e hetimeve ndaj të dyve ishte me diferencë të thellë kohore (Për Dajtin hetimet kanë nisur 1 muaj më parë për Hoxhën rreth 1 vit më parë),arrestimet e tyre u njoftuan njëkohësisht.

Është e parakohshme dhe e pamundur për të hulumtuar juridikisht problematikën apo tiparet e të dyja arrestimeve, por nuk mund të mos bjerë në sy fakti, se organi i akuzës ka treguar në mënyrë shumë naive dhe thuajse teatrale shumë “kujdes” që ky kapitull arrestimesh të ishte “i dubluar”, pra që në pranga të ishte edhe “pala” por të ishte edhe “kundër-pala”.

Kjo nuk është serioze nga ana e Prokurorisë; kanë tentuar të duken “jopolitikë”, por në fakt kanë bërë politikë me arrestimet, pra janë treguar më politikë se kurrë.  A është kjo rruga në të cilën duhet të ecë Prokuroria? Aspak. Asaj nuk duhet t’i interesojë “përkatësia partiake” e një të hetuari dhe nuk është punë e saj të kushtëzojë hetimet dhe arrestimet me “balanca” politike për të qenë “në rregull me të gjitha palët”.

Aq më tepër që një koncept i tillë “me merakun politik” në mes përveçse i gabuar nuk u jep qytetarëve asnjë garanci që hetimet do jenë serioze dhe do shkojnë deri në fund. Sepse kjo mënyrë veprimi të çon edhe te problemi tjetër, më i mprehtë se naiviteti i mësipërm: që arrestimet janë më shumë si një aksion që justifikon komplekset e prokurorisë për t’u dukur “e paanshme”, se sa një aksion hetimor mirëfilli që i ka shkuar në zemër problemit të majisur të ndërtimeve pa leje dhe ryshfeteve pa fund.

Që tani mund të themi se në të dyja rastet, si në rastin e Florenc Hoxhës ashtu dhe në rastin e Zydi Dajtit, nuk ka hetime të thelluara të prokurorisë për mitmarrje apo korrupsion, por akuzat janë ndërtuar kryesisht mbi parimin e “tejkalimit të kompetencave”, ose “shpërdorimit të detyrës”.  Në këtë kontekst, e gjitha, duket më shumë si një lëvizje e cila ka dashur me doemos të luajë fort me imazh, se sa ndonjë lëvizje që gjëmon këmba-këmbës korrupsionin. Me këto marifete duket sikur tani Prokurorisë do t’i duhet të gjejë “Gaten e PS-së” pas arrestimit të “Gates së PD-së”.

E thënë shkurt, publiku nuk pret nga Prokuroria dhe z.Llalla që të mbajë lugën e prestigjatorit në ekuilibër pa duar dhe as të përdorë ndonjë lugë me të cilën po hëngri “andej” duhet të hajë edhe “këndej”. Z.Llala të bëjë detyrën. Dhe ajo bëhet me hetime reale dhe ndëshkime reale. Jo me teatër hetimesh dhe komedi ndëshkimesh.

***

Dajti: Jam i hapur dhe nuk kam frikë nga asgjë

zydi-dajti-1024x729Pak momente para se të hynte në ambientet e Policisë së Vlorës ku dhe është vetëdorëzuar, ndërsa familja kishte bërë plane të tjera për fundjavë, Kryeinspektori i INUK, Zyhdi Dajti, dha një deklaratë për mediat dhe opinionin publik. Ai e quajti të padrejtë dhe të qëllimshëm veprimin e organit të akuzës, i cili pa e vënë fare dijeni për çështjen për të cilën po e hetonte, e ka barazuar me një tjetër zyrtar që sipas Dajtit është i inkriminuar në më shumë se një çështje. Pas deklaratës ai është dorëzuar në ambientet e policisë, e më pas transferuar në Tiranë, ku do mbahet i izoluar në paraburgim, në pritje të konfirmimit të masës së sigurisë që jepet brenda 48 orëve si rregull. Ndërkohë që po dje Dajti ka pajtuar edhe një avokat për çështjen e ngritur. Dajti këmbëngul se Prokuroria nuk e ka vënë asnjëherë në dijeni për këtë çështje, madje e ka quajtur të turpshëm veprimin e prokurorisë pikërisht për këtë mënyrë të vepruari.

“Unë kam qenë njeri i ligjit, e kam zbatuar gjithnjë atë dhe madje kam nxitur qytetarët gjithashtu që ta zbatojnë, kudo që kam punuar. Që unë kam zbatuar ligjin edhe gjatë detyrës sime në krye të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kjo nuk mund të vihet në dyshim. Sikundër askush nuk duhet të dyshojë në faktin se unë, që nga ky moment kur jam lajmëruar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, do të zbatoj ligjin, do të paraqitem në institucionet përkatëse dhe do të ndjek rrugën ligjore për të vërtetuar pafajësinë time”, tha Dajti. Më tej ai hedh edhe dyshimet e tij përse është ndërmarrë ky veprim nga organi i akuzës.

“Por ajo ç’ka më bën përshtypje, që nuk mund të rri pa e thënë publikisht, është mënyra e turpshme se si Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në këtë rast, duke kërkuar ndalimin tim, paralelisht me arrestimin e vonuar të një personi që prej vitesh duhej të ishte arrestuar, të një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës”, tha kreu i INUK.

Ai e vlerëson si vendosje të shenjës së barazisë arrestimin e Florenc Hoxhës me urdhrin e arrestit të lëshuar për të, si shprehje e antiligjit kundër ligjit. “Vendosja e shenjës së barazisë mes meje, një shërbyesi të shtetit që ka zbatuar vetëm ligjin, e ka mbrojtur territorin nga ndërtimet pa leje e të paligjshme, dhe Florenc Hoxhës, një simboli të korrupsionit, që për vite me radhë ka lejuar lulëzimin e ndërtimeve pa leje dhe të paligjshme në kryeqytet, është e turpshme, fyese dhe pa asnjë moral. Unë kam besim se e vërteta shumë shpejt do të triumfojë dhe jam besimplotë se drejtësia do të vendoset”, e mbylli deklaratën publike Dajti. Më tej ai shtoi se, “unë jam me Rilindjen. Unë nuk e kuptoj se mbi çfarë faktesh bëhen akuzat. Nuk jam thirrur nga Prokuroria në asnjë moment. Jam i hapur dhe nuk kam frikë nga asgjë”.
Ndaj zyrtarit kishin depozituar denoncim dy kompani private ndërtimi, të cilat pretendonin se Dajti u kishte pezulluar punimet në kundërshtim me urdhrin e Gjykatës që lejonte ndërtimin. Denoncimi ishte bërë vetëm një muaj më parë dhe Dajti pretendon se nuk është vënë në dijeni nga organi i akuzës asnjëherë, duke thyer procedurat.

 

Berisha e dekoroi me medaljen e “Shqiponjës” më 1996

Një detaj interesant për kreun e INUK Zyhdi Dajti është edhe dekorimi i tij nga ish-presidenti Sali Berisha, aktualisht deputet i PD. “Si zyrtar i Shtetit Shqiptar, por edhe si një profesionist që për vite me radhë ka shërbyer në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit, dekoruar në vitin 1996 me Medaljen  “Shqiponja e artë”, me dekret të Presidentit të Republikës, kam respektin më të lartë për ligjin, të cilin gjatë gjithë viteve të mia të punës, jo vetëm e kam zbatuar, por edhe kam nxitur qytetarët që ta zbatojnë”, u shpreh dje vetë kreu i INUK.

Zyhdi Dajti, njeriu i shembjeve, më e bujshmja e pallatit të vjehrrit të Bashës

Zyhdi Dajti erdhi në krye të Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar që prej shtatorit të vitit të kaluar i emëruar nga ekzekutivi. Menjëherë ai vuri në lëvizje institucionin si emergjencë e qeverisë për urbanistikën, disiplinimin e ndërtimeve dhe shembjen e atyre pa leje. INUK e nisi me shembjen e një pallati 7 katësh në Tiranë dhe më pas në Vlorë një tjetër godinë shumëkatëshe. U shemben dhjetëra ndërtime, lokale, kioska, shtëpi dhe më tej në Ujin e Ftohtë u rrafshua pas një debati që zgjati për javë të tëra, pallati 8-katësh i vjehrrit të kreut të PD-së, Lulzim Basha. Shembja e kompleksit “Jon” në pronësi të Xhaferr Isufit u bë nëpërmjet shpërthimit të telekomanduar.

Familja: Nuk dinim gjë për këtë hetim, Prokuroria s’e kishte thirrur asnjëherë

Familja Dajti kishte bërë plane të tjera për fundjavën, si çdo familje tjetër në Shqipëri që kërkon të relaksohet pas një jave të lodhshme pune. Por ato kanë ndryshuar rreth mesnatës së enjte, kur një urdhër gjykate i papritur me kërkesë të prokurorisë lëshohet në mënyrë të befasishme, vetëm gjysmë ore pasi ishte arrestuar kreu i INUV të Bashkisë Tiranë, Florenc Hoxha. Të pyetur për këtë urdhër arresti, familjarët e Zyhdi Dajtit thanë për gazetën DITA se u befasuan. “Ishte e papritur. Kishim të tjera plane dhe dolën të tjera gjëra. U befasuam shumë pasi asnjëherë më parë nuk kishte pasur shqetësime të tilla, madje prokuroria nuk e kishte vënë fare në dijeni për ndonjë çështje. Madje lajmin e kemi mësuar nga televizionet dhe jo zyrtarisht”, thanë familjarët.

  

Arrestimi i Florenc Hoxhës për shpërdorim detyre

Mbrëmjen e së enjtes, po me urdhër të Gjykatës dhe kërkesë të Prokurorisë, është arrestuar kreu i Inspektoriatit Urbanistik Vendor të Bashkisë Tiranë, Florenc Hoxha. Hetimet ndaj tij kishin nisur nga shtatori 2013 dhe në vijim pas denoncimeve të qytetarëve për veprime dhe mosveprime në shembjet e ndërtimeve pa leje apo lejimet e tyre. Po kështu Policia e Tiranës kishte depozituar një dosje tjetër në ngarkim të tij po për këtë çështje, me akuzën “shpërdorim detyre”.

Prokuroria: Dajti pengoi punimet e Bulevardit të Ri dhe një pallat në ndërtim në Tiranë

Prokurori i çështjes Ramadan Troci, në një deklarim për mediat dje, foli dhe për dosjen hetimore në ngarkim të kreut të Inspektoratit Kombëtar Urbanistik Zyhdi Dajti, i cili akuzohet për shkelje ligjore dhe tejkalim kompetencash në lidhje me një objekt ndërtimi në Tiranë, si dhe me veprën infrastrukturore të Bulevardit të Ri projekt dhe investim i bashkisë së Tiranës. Çështja e Bulevardit të Ri në kryeqytet është pjesa e dytë e dosjes së prokurorisë në ngarkim të Dajtit. “Dajti në mënyre arbitrare nuk ka lejuar punimet për Bulevardin e Ri”, thuhet në dosjen hetimore pavarësisht se gjykata ka rrëzuar gjithmonë vendimet e INUK. “Në kundërshtim me vendimet e gjykatës Dajti ka dhënë urdhër të pezullohen vendimet për Bulevardin”, thuhet në dosjen hetimore. Ndërsa pjesa e parë e dosjes në ngarkim të tij ka të bëjë me rastin e shoqërisë “Aurora”, e cila kishte marrë leje ndërtimi për një objekt në “Rrugën e Elbasanit”. Shoqëria në fjalë edhe pse ka tre vendime gjykate për të vijuar punimet, kreu i INUK nuk i lejonte”, thuhet në dosje.

Denoncimi u bë nga firma e ndërtimit “Aurora”, Jaupllari ish-këshilltar i LSI

Agron Jaupllari, pronari i kompanisë “Aurora Konstruksion” shpk, me origjinë nga Skrapari, prej shumë vitesh njihet si një ndër biznesmenët e ndërtimit në Shqipëri. Kompania e tij, me nr. NIPT-i K02017003I, ka bashkëpronare edhe Valbona Jaupllarin dhe Sabri Keçon, si dhe Astrit Haxhiun, i cili njëkohësisht është dhe administrator i saj. Me zyra te “Bulevardi Zogu I”, kjo kompani ka pasur konflikte me INUK, pas 3 vendimeve të gjykatës, të cilat ia lejonin kësaj firme ndërtimin e një pallati 9 katësh 7 plus 2, te “Rruga e Elbasanit”, në afërsi të “7 Xhuxhave”. Punimet kishin shkuar deri te sheshi, teksa INUK nuk lejonte të avanconin. Ndërkaq, nga burime të mirëinformuara, gazeta “DITA” mëson se Jaupllari ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, nën siglën e LSI-së, në mandatin 2007-2011.

Share This Article
18 Comments
  • Tashme ka 20 vjet qe Sali Berisha ka mbjelle faren e morrtjes
    Llalla eshte sh i vogel per te ndryshuar gjerat i vetem
    Eshte krejt i zakonshem si shumica e njerezve me pushtet ne Shqiperi, nje cope mishi me dy sy qe merr rrogen e taksapaguesve shqiptare dhe komandohet nga ambasadat apo nga politika.
    Vend i vogel pa bole
    keta jemi ne
    Faleminderit Dita

  • Mendoj qe logjika e perdorur me sa lexoj ne titull eshte plotesisht e sakte.
    Prokuroria nuk mund te hetoj nje “tonin” nje te “atyre” se kjo eshte nje loje naive fare pa kuptim dhe mbi te gjitha nuk garanton seriozitet qe hetimet do kene perfundim.
    Se ja cfare ndodh.
    Florenc Hoxha del me arrest shtepie dhe ky Zydiu lirohet.
    E cfare ndpdhi pra?? Nje vrime ne uje zoti Lllalla

  • Ke shansin e madh “llalla” që ose te mbesësh në histori për luftën e vendosur ndaj krimit ose të mbesësh një prokuror i rëndomtë e i shëmtuar,njëlloj si mbiemri yt !?

  • Cdo krim qe ndodh ne Shqiperi eshte nje peshe ne dnergjegjen e prokurorit.
    a eshte?
    une e degjoj z.llalla qe ben takime dhe flet duke “konstatuar”
    Ti duhet të japësh llogari për këtë gjendje, ore derdimen.

  • Antikorrupsioni duhet te nis me shkarkimin tend si vegel e Familjes Mafioze Berisha dhe i paafte per funksionin qe mbani, zoti Llalla. Nuk Rilind dot shoqeria jone pa pastruar nga rradhet e sistemit te drejtesise sherbetoret e Familjes Mafioze dhe cuar me pas kete Familje para gjykates. Eshte shume e thjeshte! Cdo fjale tjeter nga ana e Kryeministrit eshte vetem demagogji.

  • prokurori eshte fare i paqarte ne ato cka ben
    rasti i fundit pavarsisht se arreston nji te PS e nji te PD, ata u liruan kjo deshmon paaftesi te prokurorise.
    Ne keto kushte, s’e kuptoj fare kush genjen ,ju zoti LLalla apo keta breke e qorape kuqet?
    Auuuu jam ne dileme kujt ti besoj.
    Ishalla e behet me mire e ta hjekim fare fjalen krim nga fjalori.

  • Asnje karakteristike nuk ka prokurori qe te tregoj se eshte i afte te perballet me krimin.Jo vetem ne ato qe thote,por dhe profilin e ka si muzhik.I ka hypur kot ati kali,Ajo pune do sa inteligjence aq dhe trimeri.Te dyja i mungojne.

  • Po si mos bej politike me arrestimet o Dita
    cfare ben z. Prokuror i Pergjithshem ne pune e ti? Ne vend qe te inspektoje dite per dite cdo prokurori rrethi, cdo hallke vendimarrje ne sektorin qe drejton, te monitoroje non-stop punen te cdo prokurori, tu caktoje atyre objektiva e afate per realizimin e tyre dhe te kerkoje llogari per cdo prokuror, te mbaje ne tensión te gjithe vartesit e tij derisa ta bejne punen sic duhet e sic ua cakton ligji, ky rri e ben analiza, firmos marrveshje, jep direktiva,

    me nje fjale ben pune burokratesh e kolltukofagesh.

    Keshtu sic punon ky ska me marre asnje rezultat nga ato qe kerkohen prej institucionit te tij. Ne kete gjendje te rende te krimit ku ndodhet vendi Prokurorit te Pergjithshem nuk duhet t´i dalin as 24 ore pune ne dite.

  • Ore Zoti Prokuror i Pergjithshem,problemi ashte qe duhet ose te jepni doreheqjen ose te viheni ne pune se keni ne zyre me dhjetra dosje per korrupsion pse nuk vepron,kush te ndalo,ose paaftesia ose bashkepunimi ne krim.

    Pse nuk arreston ish ministra qe i kane dosjet e mbushura me krime ?Vihuni ne pune ose largoju qe te zgjidhet nje prokuror ma i guximshem,ashte ma e ndershme per ju dhe je ma i qete per familjen tuaj.

  • po vodhi nena dhe babai femijet do behen me mizerabel vith pushtetaret vith dhe populli per buk pushtetaret miljarda populli thjesht denohet se zoti llalla patjeter qe eka fjalen per popullin e thjesht se esht djal i zgjuar lllllllllllaaaaaallllll

  • Hajde te flasim per Llallen pambarimisht. Per Llallen dhe per dhallen.
    Ne te gjithe e dime qe Llallen ne krye te prokurorise e ka emeruar Xeni, dhe kuptohet se kujt do ti sherbeje ai. Por kjo eshte nje teme tjeter dhe ne rastin konkret nuk shoh asnje lidhje midis njeres ngjarje dhe tjetres. Kemi dy arestime e dy lirime, e me pas do te kemi dy ndjekje ne gjendje te lire te dy çeshtjeve te ngjashme e etj, etj.
    Por une nuk e shikoj kete korelacion te ndjekurish nga ligji, as si redaksia dhe as si disa komentues me lart.
    Une e shoh lidhjen midis ketyre dy figurave te njohura nga opinioni publik si nje lidhje qe krijohet nga nje ngjashmeri e madhe midis tyre, dhe si element qe te dy bashke i beri te diskutohen e te rihapin debate, si per ate qe perfaqesojne por edhe per faktin nese arrestimet ishin politike ose jo. Lidhja eshte se te dy keta personazhe jane nga perfaqesuesit e nivelit me ordiner te ushtrimit te korrupsionit ne Shqiperi, por qe deri tani jo vetem qe kane mbijetuar, por jane quajtur edhe te shkathet e çuna te zote, sepse ” kane bo leke “.
    Po te flasim per politike e ligj, siç eshte prononcuar zoti Dajti, do te flasim duke ju referuar rrethanave dhe viteve te kaluara kur zoti Dajti ishte nje oficer i zakonshem ne Garden e Republikes i deklaruar si nje partizan i PD ( u dekorua nga ish gjytyrymi ), dhe ku njihej si bamires i ushtareve te toges qe drejtonte, ne kembim te rroges se ushtarit qe ata duhet te linin tek zoti Dajti. Por me vone ndryshojne qeverite, ndryshojne dhe pozicionet, dhe politika nuk eshte me nje çeshtje nderi per keta lloj tipash, por nje mjet per te arritur tek presioni qe ju behet njerezve per te dorezuar parate. Ne te kundert ata do te vihen perballe, cenimit te prones se tyre.
    Nga ana tjeter kemi kete personazhin tjeter Hoxhen, i cili e ka hallall burgun jo vetem se ju ka marre leket viktimave te tij, por disa, ne mes tyre edhe gra i ka dhunuar e rrahur me doren e tij prej xhebrahili.
    Ku eshte politika ketu?
    Zoti Dajti nuk ka qene ndonjehere socialist, dhe as punonjes i ligjit. Dikush ja rekomandoi ate Edi Rames kur ishte kryetar bashkie, dhe ky i fundit e mori ne Bashki si Shef te Policise Bashkiake. Me ardhjen ne pushtet Dajti u emerua Drejtor i INUK-ut. Lind pyetja, a ka nevoje ky vend pune qe te kete ne zyre nje profesionist qe njeh ndertimin, inxhinjerine, urbanistiken. Patjeter qe ka.
    Por kemi fatkeqesisht shume raste te tilla te emerimeve te personave te papershtatshem per detyren, dhe si pasoje do te kemi edhe parregullsi e korrupsion akoma me shume se çmund te kishim, nese ne keto vende to kishim profesioniste te mirefillte.
    Dajti dhe Hoxha jane dy pika te ngjashme uji qe derdhen ne lumin e rrjedhshem te korrupsionit shqipetar.
    Nuk kam asnje lloj pritshmerie as nga prokuroria, as nga Llalla, e as nga gjykata. Por sido qe te veje puna e te dy ketyre bandilleve te korrusionit, ka nje fakt pozitiv. Ata duhen hetuar. Nuk ka çme duhet politika, dhe as politizimi.
    Na duhet te shohim shembuj konkrete te luftes kunder korrupsionit.
    Nuk me duhet as Rilindja, nese vazhdon praktikat korruptive te qeverise se meparshme qe ja shkuli nje nga nje te gjitha brinjet Shqiperise. Me duhet forcimi i shtetit ligjor dhe rilindja e drejtesise. Kush ben kete ka bere Rilindjen.

  • Kam nje pyetje? Kush e emeroi Zydin tek INUKU? Pa qen inxhinjer ose urbanist.
    Ka papershtatshmeri me detyren.
    Patjeter qe nuk e ben dot.
    Po a ka pergjegjesi ai qe emeroi Zydin?

  • 9 ujë + 1 kos = Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë !
    Haxhia , Rakipi , Sallaku , I. Rama dhe ky Llalla që kemi sot – të gjithë impotentë dhe maskarenj . Se ishin të tillë prandajë politika prostitutë i bëri k/ prokurorë.
    Ne jemi një shoqëri e kalbur deri në qelizë. Historikisht të përcarë , egoistë e të pabesë me njeri- tjetrin, jemi të pa zotë të bëjmë shtet !

  • Jane lojrat e Mon Kukaleshit me Myrton!!?? Pa u zhdukur keta te dy nuk behen dy gure bashke ketu!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *