Publikimi i dokumenteve që vërtetojnë se Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane dhe aleati kryesor i PD, ka qenë i dënuar me 3 vjet burg nga drejtësia italiane, provon se dekriminalizimi është jo vetëm i pamundur të kryhet nga lidershipe te kriminalizuara, por edhe se mund të përdoret nga ato për t’u shitur si luftëtarë kundër krimit dhe korrupsionit. Rasti provon edhe se sa e gabuar është që spastrimin e politikës nga krimi ta mbështesësh me përparësi jo te themelimi i drejtësisë së pavarur, por vetëm te një ligj për dekriminalizimin.
***
Jo larg por në përfundim të zgjedhjeve lokale qershorit, Fatmir Mediu, do deklaronte se : “Opozita duke e konsideruar kriminalizimin e politikës si armikun kryesor të demokracisë, jo vetëm që i propozoi maxhorancës ndryshime ligjore që nuk u pranuan prej saj, por dëgjoi me vëmendje sugjerimet konkrete të ndërkombëtarëve, duke mos kandiduar njerëz të lidhur me krimin dhe po ashtu me kosto elektorale të tërhiqte edhe kandidaturën e saj nga zgjedhjet siç ishte rasti i Këlcyrës. Më mirë një humbje e ndershme se një fitore e turpshme. Ky është morali ynë” – konkludonte Mediu. Fjalë dhe përbetime që ilustrojnë fare qartë sesi “devocioni” kundër krimit mund të përdoret fare mirë për të kundërtën e asaj që shpall, pra për të maskuar lidhjet me krimin. Një politikan si Mediu, që është dënuar nga gjykatat italiane pikërisht se ka tentuar të kalojë transit nëpër Itali, me dokumente false, një trafikant droge dhe femrash të dënuar me 10 vjet burg, jo vetëm ja ka arritur të mbijetojë në majat e politikës por edhe të dalë me flamurin e “dekriminalizimit”. Kemi të bëjmë as më shumë dhe as më pak por me një rekord “Guiness” të pandëshkueshmërisë. Lidhja e kësaj të fundit me kriminalizimin e lidershipit politik bëhet edhe më e qartë.
***
Rasti në fjalë provon shumë gjëra. Në radhë të parë se kauza e drejtë e dekriminalizimit po përpiqet të keqpërdoret nga klane të vjetra dhe të kriminalizuara të politikës që kanë mbetur të pandëshkuara këtu e 25 vjet. Së dyti, provon se politika shqiptare nuk spastrohet fare nga kriminelët me anë të një procesi ligjin e të cilit e hartojnë liderë të kriminalizuar të politikës që gjatë këtyre dy dekadave, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë manipuluar apo shmangur gjykatat për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë. Një proces i tillë mund të çojë vetëm në spastrimin e rreshterëve të krimit dhe korrupsionit por jo të gjeneralëve të tij. Së treti, ajo provon se sa hipokrite janë thirrjet dhe përbetimet e lidershipit të opozitës berishiste (Berisha, Basha) për dekriminalizimin ndërkohë që aleati i tyre kryesor në këtë fushatë është një ndër politikanët më të kriminalizuar në vend. Nëse udhëheqja e PD do ta kishte seriozisht dekriminalizimin, ajo do të niste nga Fatmir Mediu. Por nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Sepse përpara se ta niste me Mediun, duhej që Basha ta niste me Bashën dhe Berisha me Berishën. Edhe një provë tjetër se dekriminalizimi nuk mund të kryhet nga liderë të inkriminuar interesi i vërtetë i të cilëve nuk është lufta kundër krimit por pandëshkueshmëria e tij. Sepse krimi janë ata vetë. Së katërti, provohet se pa themelimin e një drejtësie të pavarur, të një prokurorie dhe gjykatave që nuk janë skllave të politikës por rojtare të shtetit dhe interesit publik, liderë dhe politikanë të fuqishëm të lidhur me krimin, do të jenë në gjendje t’i pastrojnë letrat nga rekordet kriminale duke marrë edhe vendime pafajësie nga gjykatat e kapura prej tyre dhe duke qenë kështu “në rregull” me kriteret skualifikuese të përcaktuara, nga po ata vetë, në ligjin për dekriminalizimin.
***
Prandaj, themi se një ligj për dekriminalizimin mund të ketë kuptim vetëm pasi të jetë realizuar një reformë e thellë në drejtësi që do të ketë për produkt lindjen e një prokurorie dhe të gjykatave të çliruara nga vargonjtë e kapjes politike. Ashtu si jo gjë që shkëlqen është flori edhe jo çdo thirrje për dekriminalizimin është e sinqertë. Kam përshtypjen se ndërkombëtarët kanë gabuar në nxitimin e tyre për të mbështetur nisiativën e opozitës berishiste për dekriminalizmin. Jo vetëm sepse, për shkak të kriminalizimit të lidershipit të kësaj opozite, “dekriminalizimi” përmban doza të mëdha hipokrizie (sikundër i ilustron dhe rasti Mediu) por edhe sepse i kanë dhënë, si pa dashje, kësaj opozite një alibi për të bllokuar reformën në drejtësi me pretekstin e mosmarrëveshjes për ligjin e dekriminalizimit. Dhe ndërkombëtarët do të jenë të dënuar të gabojnë për sa kohë nuk do të ngulisin në kokat e tyre se pas 25 vjet pandëshkueshmërie të krimit dhe korrupsionit të madh në qarqet e larta të politikës, një pjesë e vendimmarrjes, e strategjive dhe taktikave do ti kenë rrënjët jo në vullnetin në luftën kundër krimit por në gjakimin e fshehtë për ta penguar atë.
***
Ndryshe nga sa po ndodh ligji për dekriminalizimin nuk duhet të jetë hapi i parë i luftës kundër krimit. Hapi i parë dhe strategjik për dekriminalizimin e politikës duhet të jetë reforma e pushtetit të drejtësisë. Që të dekriminalizohet politika duhet të depolitizohet drejtësia. Pa një transformim të tillë prokuroria dhe gjykatat do të shërbejnë pafundësisht si “lavatriçe” të politikanëve të kriminalizuar. Rrjedhimisht ata do rezultojnë të pastër, pa krime, përballë çdo ligji për dekriminalizimin. Pra, përpara se të veprojë ligji për dekriminalizimin duhet të veprojë drejtësia. Në fillim duhet të ndodhë ndëshkimi i politikanëve të korruptuar nga drejtësia që pastaj të vijë dekriminalizimi i vërtetë i politikës. Premisë e dekriminalizimit të vërtetë është t’i japësh fund pandëshkueshmërisë. Nuk mund të ketë dekriminalizim në kushtet e pandëshkueshmërisë. Dhe pandëshkueshmërisë i jep fund vetëm drejtësia e pavarur. Pikërisht këtë harrojnë edhe ca ndërkombëtarë. Problemi i vërtetë i kriminalizimit të politikës në Shqipëri nuk janë ca deputetë apo kryetarë bashkish me rekorde kriminale por lidershipet me lidhje të kamufluara me krimin por që sot bëjnë thirrje për “dekriminalizim”. Dhe nuk është fort e vështirë të pengosh që të infiltrojnë në politikë njerëz me rekorde kriminale. Por si t’ja bësh me ata (fatlumët apo fatmirët) që, edhe pse kanë bërë krime dhe korrupsion pa fund, me letra janë në rregull?

Te lumt , por jeni shume pak qe flisni . Ku eshte intiligjenca e paster shqiptare