Paradoksi i aferës së bujshme të CEZ-it: Pse Berisha ja ka ngulur dhëmbët vetes

redaktor

Paradoksi i aferës së bujshme të CEZ-it mund të përmblidhet kështu: Skandali është shpërthyer në funksion të qëllimit të Sali Berishës për t’u rikthyer sa më shpejt në pushtet, mundësisht pa u realizuar reforma në drejtësi që mund të sillte ndëshkimin e munguar për të dhe klanin e tij të korruptuar. Troç, Berisha po përpiqet të vijë në pushtet duke denoncuar një megakorrupsion që është vepër e qeverisë Berisha pra, e Berishës vetë! Ky është paradoksi. Dhe ai jo vetëm tregon gjendjen e mjeruar të opozitës berishiste por, nga ana tjetër, i bën nder qeverisë Rama. Nga që opozita në fjalë, ne pamundësi për të denoncuar ndonjë korrupsion të qeverisë së sotme, është e shtrënguar të përdorë një korrupsion të trashëguar nga qeverisja e vet. Shkurt, të ushqehet me mish të ngordhur.

***

Natyrisht që gjeneratori kryesor i korrupsionit janë qeveritë dhe nuk mendoj që qeverisja e sotme është e imunizuar nga korrupsioni. Por e vërteta është se gjatë këtyre dy viteve, opozita berishiste nuk ka qenë e aftë të denoncojë asnjë aferë korruptive të “Rilindjes” që t’i përafrohet sado pak për nga përmasat aferave të tilla si “Gërdeci” apo rruga Durrës-Kukës. Janë thënë shumë fjalë e thashetheme, por shumë pak ose aspak fakte. Prandaj opozita berishiste është e detyruar që ti kthehet korrupsionit të vet të dikurshëm për ta përdorur në luftën për pushtet duke shfrytëzuar faktin që Ilir Meta ishte pjesë edhe e qeverisjes së djeshme. Duke goditur Ilir Metën për korrupsion që në fakt ka qenë i qeverisë së tij, Berisha llogarit të dëmtojë qeverinë e sotme, të çajë koalicionin PS-LSI duke krijuar premisën për t’u rikthyer në pushtet.

***

Krejt afera e CEZ nuk është korrupsion i qeverisë Rama por i qeverisë Berisha. Ky i fundit kërkon të sensibilizojë opinionin publik duke i rrëfyer se sa i korruptuar paska qenë Ilir Meta kur bashkëqeveriste me të dhe sesa e pamoralshme është që ai të jetë pjesë e qeverisjes sot. Por kur Berisha na qenka bërë kaq i ndjeshëm ndaj moralit, shkurt kaq i moralshëm? Sepse shqiptarët nuk e kanë harruar se si Berisha nuk la gurë pa luajtur, duke përdorur edhe gjykatat e kapura prej tij, që Meta të dilte i palagur nga gjyqi për videoskandalin. Shkurt, sjellja e Berishës, dhe e buratinit të tij Bashës, nuk kanë të bëjnë as me antikorrupsion dhe as me moralin, por me gjakimin e tyre për pushtet.

***

Por ndërsa po përpiqen të kafshojnë Metën koha dhe faktet që po dalin po na tregojnë se Berisha ja ka ngulur dhëmbët vetvetes. Deri në atë shkallë sa kanë lindur edhe dyshime që Basha po komploton kundër tij. Sepse për fatin e keq të Berishës, po dalin gjithnjë e më shumë fakte që provojnë lidhjet e tërthorta të tij me aferën e CEZ dhe të DIA-s ndërkohë që akuzat e ngritura kundër Ilir Metës mbeten krejtësisht të pafaktuara por vetëm në kuadrin e llafeve që ka thënë “ky” apo “ai”. Edhe një video që Berisha e trumbetoi (një tjetër provë se skandali i DIA është skenar i tij që po e shfrytëzon politikisht) deri në Parlament si provë të një kërcënimi që Meta i paska dërguar ish drejtorit ekzekutiv të DIA-s, Elvis Mata, rezultoi në një flluskë. Askund nuk u pa as u dëgjua ndonjë kërcënim. Ndërkaq po faktohet se njerëz të afërt të Berishës kanë përfituar nga afera e CEZ. Mjafton të marrësh vetëm dy nga ato: Faktin e denoncuar në media se drejtuesi çek i CEZ ishte strehuar me qira në një apartament në pronësi të vajzës së Berishës. Pse atje me qira dhe jo në mijëra apartamente të tjera që ka Tirana? Rastësi?! Gjithkush ka të drejtë të komentojë se kjo pagesë (5 mijë euro në muaj) është një shpërblim që familja Berisha ka marrë për aferën e CEZ. Edhe më solid kundër Berishës është fakti i të qenurit të Endrit Mata-s, vëllait të drejtorit ekzekutiv të DIA-s, këshilltar i kryeministrit Berisha për teknologjinë dhe telekomunikacionin. Përsëri rastësi?! Dhe gjithkush ka të drejtë të mendojë se ka qenë pikërisht ky këshilltar që ka mbuluar privatizimin e CEZ gjë që shpjegon edhe pse përse Kastriot Ismailaj, pronari i DIA-s, punësoi si drejtor ekzekutiv Elvis Mata-n.

***

Këto dhe ca të tjera, janë shumë rastësi për të qenë të rastit. E megjithatë, është edhe një fakt që mbizotëron mbi të gjithë këto fakte dhe që të shtyn në konkluzionin se afera e CEZ, pavarësisht kontributit të njërit apo tjetrit, nuk mund të realizohej dot pa “viston” e Berishës.  Ky fakt është autokratizmi i afishuar i Berishës në sajë të të cilit ai nuk arrin të qeverisë por vetëm të sundojë. Dhe nën një sundim autokratik askush nuk mund të bëjë edhe gjënë më të vogël pa dhënë lejen sundimtari. Ilir Meta i dha mundësi autokratit Berisha ta zgjasë edhe 4 vjet sundimin e tij. Sot Berisha vendosi ta bëjë kurban aleatin e tij të djeshëm vetëm për faktin se nuk ka opsion tjetër për të goditur qeverinë Rama. Se sa për moralin, Berisha që nesër do ta ribënte qeverinë me Metën nëse kjo do t’i mundësonte rikthimin në pushtet. Por duke goditur Metën për një korrupsion që po faktohet se është kryesisht i tyri, Berisha dhe berishistët i dhanë shqiptarëve edhe një tjetër fakt të megakorruptimit të ish-qeverisjes së tyre autokratike. Një tjetër provë se korrupsion më i madh zhvillohet nga autokratizmi. Sepse sa më absolut të jetë sundimi, aq më absolut është edhe korruptimi!

Share This Article
7 Comments
  • Ca problemi ka qe kur e hap ne windows me del antivirusi dhe me thote qe kapem nje virus,ju kane hackuar faqen se u cmendem?!

  • Te lumte Andrea!
    Arsyetimi yt eshte sh bindes !
    Edhe lajthitja e metes me emertesa qeverishe sipas emrave te drejtuesve partiak, po ketu con uje. Pra tek arsyetimi tend.
    Edhe nje here te lumte ANDRA !

  • sido qe te mbahet qeni ,sado mire te ushqehet ,prap se prap qeni nuk mund te rrije pa hanger hale ,korrupsioni i demokrateve do te na ndjeke dhe per tragjedine e gerdecit ,dhe per rrugen e kombit ,bajgat vetem bagla dhe vjedhje bejne , por e cuditshe ku e marrin kete guxim qe vjedhjet qe kane bere vete ti kerkojne tek te tjeret , prandaj keta kane qene e do te mbeten bajga ,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *