Nëse piramidat financiare “VEFA” apo “GJALLICA”, që u përmbysën në vitin 1997, grabitën paratë e individëve privatë, “DIA” dhe ca të tjera kompani të ashtuquajtura borxhmbledhëse, po rezultojnë si ca piramida shushunjë që kanë grabitur paratë e buxhetit publik. Por edhe këto me bekimin e një qeverie që, sikundër edhe ajo e vitit ’97, mban si damkë turpi emrin e politikanit Sali Berisha. Nuk është rastësi, por tjetër provë se autokratizmi korrupton në mënyrë absolute, që vetëm nën sundimin e këtij autokrati lindin përbindësha të tillë piramidalë që janë mishërim i një megakorrupsioni që jo vetëm grabit miliarda, por edhe qeverisjen e degradon në kundërqeverisje dhe shtetin në antishtet.
***
Ndryshe nga ç’është perceptuar deri tani, afera e CEZ-it dhe e DIA-s nuk është thjesht një korrupsion i realizuar nga disa mashtrues të shkathët, çekë e shqiptarë, në bashkëpunim me njeri-tjetrin. Ajo është një aferë korruptive e mundësuar vetëm me investimin antishtet të vetë qeverisë së Berishës dhe ministrave të tij që duket se kanë shkelur ligjet e shtetit. Pa këtë dhunim të ligjit nga qeveria Berisha ky korrupsion do qe i pamundur. CEZ, DIA apo të tjera kompani borxhmbledhëse kanë përfituar nga kjo rrethanë që i ka krijuar qeveria, për të përvetësuar miliarda të pamerituara duke ndarë, me shumë gjasa, edhe para me qeveritarët.
***
Eshtë absurde, e papranueshme nga logjika e shtetit që një apo disa kompani borxhmbledhëse private të detyrojnë shtetin, entet dhe institucionet e tij, që të paguajnë borxhet që i kanë privatëve. Është e vërtetë se në vende të ndryshme ekziston përvoja e angazhimit nga qeveritë të kompanive të specializuara borxhmbledhëse. Por jo që këto kompani të mbledhin paratë që qeveria, institucionet e shtetit, ndërmarrjet publike i detyrohen privatëve por që, përkundrazi, të mbledhin paratë që privatët i kanë borxh qeverisë, shtetit, institucioneve apo enteve të tij. Shteti është garant i borxheve të veta. Jo rastësisht një obligacion shtetëror, ndryshe nga një depozitë në një bankë private, është me risk zero. Në Shqipëri, në rastin e CEZ, DIA-s dhe disa kompanive të tjera për mbledhjen e borxheve, ka ndodhur e kundërta. Ca kompani private janë shfaqur si garantë të borxheve të qeverisë! Është njësoj si të pranosh se shteti ka rënë.
***
Kemi të bëjmë qartazi me një praktikë korruptive antishtet sepse, përsa i përket konflikteve lidhur me faturat e papaguara të energjisë elektrike, është anashkaluar i gjithë sistemi i drejtësisë (gjykatat) si edhe përmbarimi. Faturat e energjisë janë titull ekzekutiv dhe pas vendimit të gjykatës që urdhëron pagimin e tyre, ndërhyn përmbarimi. Ç’nevojë kishte që në prezencë të këtij sistemi, të hynin në lojë ca kompani private si DIA?! Kjo është provë jo vetëm e falimentimit të shtetit por edhe e krijimit në një rrethanë të tillë, të strukturave paralele antishtet që, e si mund të ndodhte ndryshe (?), kanë shërbyer për përfitime korruptive të qeveritarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre çekë e shqiptarë, në kurriz të publikut, të shtetit. Mbetet ende mister se nga kush janë miratuar këto marrëveshje me këto kompani private (ERE apo kush?) dhe mbi çfarë legjislacioni. Por vështirë se ekziston një legjislacion që të mbështesë një grabitje të tillë.
***
Dyshimet për bashkëpunimin e vetëdijshëm të qeverisë Berisha në këtë aferë korruptive shtohen kur shikon se përfitimet e kompanive si DIA shkonin deri në 50 përqind të shumave të mbledhura. Një përfitim shumë herë më i lartë se sa ai i kompanive përmbaruese. Që do të thotë, që nga 1 milionë euro të paguara nga një, të themi, ndërmarrje ujësjellësi si detyrim i prapambetur, kompani si DIA do të përfitonin 500 mijë euro. Një fitim i pazakontë në mënyrë që të kishin pjesë të majme edhe qeveritarët? Sepse CEZ do merrte vetëm 500 mijë të mbetura. Dhe nuk mund të mos habitesh se si CEZ e ka pranuar një përgjysmim të tillë të të ardhurave. Apo mos ka qenë i detyruar nga imponimi i një sistemi korruptiv pjesë e të cilit ishte edhe vetë qeveria Berisha? Pra, mos i është thënë ose kaq ose asgjë? Apo mos drejtues çekë të CEZ në Shqipëri e kanë pranuar një padrejtësi të tillë duke e shitur në Pragë si objektive, në mënyrë që të ndanin korruptivisht me bashkëpunëtorë shqiptarë një pjesë të borxheve të vjelura? Ky është një nga misteret që duhet ta zbardhë hetimi.
***
Qeveria Berisha ka marrë vendime për rishpërndarje fondesh për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike të enteve shtetërore, p.sh. të shoqërive të ujësjellësve. Është interesante të gjurmohet si janë bërë këto pagesa nga ministria e financave. Janë fonde publike të miratuara nga qeveria për të paguar faturat e energjisë të ujësjellësve. Po, në llogari të kujt kanë vajtur? Nëse kanë vajtur në llogari të ujësjellësve dhe prej andej në llogari të CEZ, pyetja shtrohet se përse DIA apo të tjera kompani borxhmbledhëse, duhet të përfitonin për një borxh që qeveria dhe ujësjellësit nuk refuzonin ta paguanin?! Nëse një pjesë e parave kanë kaluar direkt në llogari të kompanive borxhmbledhëse, kjo do të ishte një devijim i faktuar i fondeve publike në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e qeverisë. Por edhe nëse fondet e buxhetit i kanë vajtur ujësjellësve dhe më pas CEZ, problemi mbetet. Dikush mund të thotë se pas pagesës nga ujësjellësat CEZ mund të bënte ç’të donte me paratë e veta. Pra të paguante DIA-n apo kompani të tjera borxhmbledhëse. Por prapë pyetja këmbëngul: Përse, përse CEZ duhet të hiqte nga duart e veta miliona përveçse i detyruar nga e keqja?
***
Hyrja në lojë e DIA-s dhe kompanive të tjera për të mbledhur edhe borxhet që vetë qeveria i kishte CEZ, është një absurd në rrafshin logjik si dhe një premisë shumë pjellore për korrupsion në rrafshin praktik. Për shembull, një absurd i tillë i krijon mundësi qeveritarëve të korruptuar që të tolerojnë apo nxisin akumulimin e borxheve nga ente publike, në mënyrë që pastaj, të kenë mundësi të thërrasin në skenë një apo disa kompani për “t’i mbledhur” këto borxhe dhe për të ndarë përfitimet me ta. Por ky absurditet “qeverisës” i krijon mundësi edhe kompanive borxhmbledhëse të hyjnë në tratativa me borxhlinjtë publikë që, kundrejt një shpërblimi korruptiv, të vonojnë me kast pagesat e faturave të energjisë duke rritur artificialisht borxhet, në mënyrë që kur të bëhen pagesat, një pjesë e parave të përfitohen nga kompanitë borxhmbledhëse. Kuptohet edhe nga drejtuesit publikë të dakordësuar me këtë korrupsion. Është e pamundur që një korrupsion i tillë i mundësuar nga vetë rrethana e një qeverisje absurde, të mos ketë ndodhur. Një tjetër mister ky, që duhet ta zbardhë hetimi i këtij skandali në mos më të madhit, më gjithëpërfshirësit në këto 25 vjet tranzicion korruptiv.

pjella e vicidolit cka punuar e ka vjedhur popullin akoma breth lirsho
Kalimi i fondeve publike nga buxheti tek institucionet shteterore e publike,per te paguar borxhet e energjise,ne nje kohje qe eshte pergatitur marja ose vjedhja 50% e tyre.Eshte prova kryesore dhe e padiskutueshme per sqarimin e afares CEZ,me inisiator Berishen.Sa vendime Qeverie jane mare kolegjalisht per ti shpetuar denimit.Miliarda leke.Ti nenvizohet Edi Rames,Prokurorit tre Pergjithshem.Ja sheshi ,ja mejdani.Ne te kundert ligji te zbatohet edhe per ta.
Pronat e trasheguara kryesore te shqiptareve ne kete metode jane vjedhur.Pasuria dhe pronat e ushtrise,fondet publike te investimeve kryesore,territoret dhe pronat,tokat uzinat dhe sherbimet etj.Shikoni proceset ligjformuese,kalimin ne qeveri dhe deri ne parlament.Eshte v eprim tipik i krimit te organizuar qe ka kapur Legjislativin dhe Ekzekutivin.Po nuk u ndeshkuan rrezikohet ekzistenca e kombit shqiptar.
kjo eshte fare e thjeshte .qeveria ti jepte cezit gjysmen e borxhit .kaq. pse duhet ti jepte dia-s gjysmen dhe gjysmen cezit? kjo mban ere kerme.dhe luli ja kerkon leket rames,po pse kaq idiot eshte populli qe te vjedhe SALIU me METEN dhe ta haje RAMA?PO mire ne qenkemi idiote sipas PD po amerikanet,BE dhe te mencurit nuk vihen ne kandar?ore ju mbetet gjithe jeten dhe idiota por dhe kriminele.
SA te jene gjalle funderrinat e Shqiperise ,vetem kesi lajmesh do te kemi ,