Letër e nënshkruar
Rovena Mydini
”Më pëlqen… që ashtu korçarçe unë t’i them nja dy – tre llafka, po sigurisht, ti nuk je ”pe Korçe” ndaj s’i kupton, të keqen lalka. Ty s’të ka ndodhur t’i flasësh çupkës kur kalon rrugës: Uaa sa e mirkë! E të të thotë: Ë mo mja, ë mo ikë kur i thua sheqerkë, a i thua yllkë. Ty s’të ka ndodhur të të thotë shoku: Po çu bëre!? Ku je mo njëshkë!? A t’i kesh thënë: Ja erdha bre flori e mo do vemë ta pimë një kafeçkë? A i ke thënë nënës, lakror me qepka të të bëjë në të vockën tepsiçkë nënë, me shokët, ta pimë një gotkë po s’përtove, ca arme, ndonjë tursiçkë. Po ti s’ke folur kështu ndonjëherë se ti nuk je pe Korçe mo byrazer, ty mund të të duket dhe gjuhë e huaj mua më pëlqen dhe e kam për NDER….”
Korçarët njihen si ”fanatikë” i kanë qëndruar qytetit të tyre besnik duke mos e braktisur. Korça është zhvilluar dhe numri i të rinjve është i madh dhe nuk kërkojnë të largohen nga qyteti i tyre siç po ndodh me pjesën më të madhe të të rinjve në qytetet shqiptare. Lagjet e vjetra janë po ato, me rrugicat e shtruara me kalldrëm dhe me shtëpitë e vjetra dy katëshe tipike korçare, banorët që jetojnë në këto shtëpi nuk i kanë harruar zakonet e tyre të vjetra, zonjat e shtëpive në kohën e verës i gjen duke përgatitur zajretë e dimrit ose duke përgatitur drekën ndonjë lakror ose kulaç. A nuk është një qytet shembull?
