Pak ditë më parë, me kërkesë të banorëve, emri i komunës Liqenas në Korçë u ndryshua në Pustec. Por duket se banorët e komunitetit maqedonas kanë kërkesa të tjera ndaj qeverisë. Tashmë, ata kërkojnë rikthimin e termit të kombësisë në dokumentet e tyre. 5300 minoritarët e kësaj zone thonë se mohimi i kombësisë po i çon në humbjen e identitetit. Në një pronononcim për GSH, kreu i kësaj komune, Edmond Themelko, njëherazi kreu i partisë së minoritetit “Aleanca e maqedonasve” thotë se kombësia e tyre maqedonase nuk figuron as në regjistrat themeltarë të gjendjes civile, çka sipas tij, e bën inekzistent këtë minoritet. Sipas Themelkos, heqja e kombësisë erdhi atëherë kur kërkohej ekzistenca reale e këtij komuniteti në zona të ndryshme të vendit, ndërsa aktualisht çështja për rikthimin e kombësisë ka kaluar në Strasburg. Minoritarët e kësaj zone, të indinjuar kërkojnë që shteti të reagojë ndaj kësaj situate, pasi atyre u janë mohuar shërbime të shumta nga Maqedonia, duke qenë se në dokumente mungon identifikimi i kombësisë së tyre.
“Shfuqizimi i termit kombësi nga regjistrat e gjendjes civile është një shqetësim i madh për gjithë minoritetin maqedonas që jeton në Shqipëri. Kombësia është një identifikim i vetë minoritetit dhe ka qenë një krenari për të, pasi ajo ekzistonte edhe në kohën e komunizmit. Pra, aso kohe në pasaportat apo certifikatat e banorëve të Pustecit shkruhej kombësia maqedonase. Heqja e kombësisë është një ofendim ndaj këtij minoriteti dhe problemi ka shkuar deri në Strasburg. Ne kërkojmë rikthimin e kombësisë në regjistrin e gjendjes civile. Me këtë shfuqizim të kombësisë ne jemi fshirë si minoritet në dokumente. Por është e drejta jonë dhe do e kërkojmë për t’u rikthyer kombësia në zyrat e gjendjes civile”, thotë Themelko për GSH.
Leave a comment