Vajza që ishte arratisur në dhjetor 2013 nga Qendra e Rehabilitimit të Viktimave të Trafikut në Tiranë ka denoncuar bashkëjetuesin e saj se e ka shfrytëzuar për disa muaj me radhë për prostitucion. Dëshmia është dhënë para agjentëve të Zyrës së Antitrafikut në Korçë dhe po ditën e djeshme policia ka prangosur si të dyshuar Lefter Mihallari i njohur edhe si Xhemal Halimi, 46 vjeç, banues në fshatin Dishnicë të këtij rrethi. Sipas dëshmisë së bërë nga vajza 23-vjeçare me inicialet V. T., banuese në Pojan, rezulton se i dyshuari bashkëjetonte me të që prej ditës që u arratis nga qendra e rehabilitimit në kryeqytet dhe gjatë kësaj kohe e shfrytëzonte duke e nxjerrë në rrugë si prostitutë dhe gjetur klientë të ndryshëm kundrejt pagesave që shkonin deri në 3 mijë lekë. Mihallari akuzohet për “shfrytëzim prostitucioni”, ndërsa ka dëshmuar se nuk kishte dijeni se 23-vjeçarja ishte viktimë e trafikut dhe mohoi akuzat. Vajza u gjet në rrugën Miras-Devoll të mërkurën nga ana e policisë dhe iu dorëzua Komisariatit nr. 3 në Tiranë.
