Korçë, mësuesit largohen padrejtësisht nga puna

anazapta

Edhe më parë Federata e Sindikatave të Arsimit ka denoncuar veprimet arbitrare që bëjnë drejtoritë dhe zyrat arsimore të rretheve

 

Largohen padrejtësisht nga puna, por fitojnë gjyqet. Kjo është odiseja e dhjetëra arsimtarëve në qytetin e Korçës të cilët janë flakur në rrugë në mënyrë të paargumentuar.  Duke iu referuar padive të ngritura burime nga Gjykata e Faktit në Korçë bëjnë me dije se Drejtoria Arsimore e këtij qyteti i ka humbur pothuajse të gjitha gjyqet me mësuesit e larguar nga puna. Pas pushimit nga puna, 20 arsimtarë  kanë paditur në gjykatë drejtorinë arsimore, ku 17 prej tyre kanë arritur të fitojnë çështjen, pasi kanë mundur të konstatojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna.

 

Situatë e cila i shkakton një dëm të madh buxhetit të shtetit që destinohet për arsimin, pasi me këto fonde do të bëhet dëmshpërblimi i mësuesve që kanë fituar gjyqin. Sipas këtyre burimeve, konstatohet se dëmi që shteti duhet t’u shlyejë këtyre mësuese është tepër i lartë. Kështu në total për të shlyer të 17 arsimtarët që kanë fituar gjyqin, buxhetit të shtetit do t’i merren afro 200 milionë lekë.  Fakti që pothuajse të gjithë paditësit fitojnë gjyqin me Drejtorinë Arsimore, tregon se masa e marrë ndaj tyre ka qenë antiligjore dhe e bazuar jo në kritere të drejta, por mbi një klientelizëm personal të drejtuesve të arsimit në rrethin e Korçës.

 

Paniku i largimit nga puna, prej më se dy vitesh është shndërruar në një nga fenomenet shqetësuese me të cilin përballen arsimtarët e Korçës, të cilët vënë në dukje shkeljet e drejtorisë arsimore që kanë të bëjnë jo vetëm me largimin e personelit nga puna, por edhe ne rekrutimin e personelit të ri, veçanërisht në atë të qarkullimit të mësuesve nëpër shkolla të ndryshme në qytet e në fshat.  Ndonëse nën zë ndërmjet arsimtarëve flitet se për të hyrë në punë një mësues duhet të paguajë nën dorë një shumë disa herë më të lartë se sa rroga mujore,ndërsa për t’u transferuar nga fshati në qytet, po nën dorë duhet të paguajë 2-3 mijë euro. Në të vërtetë “Ku ka zë s’është pa gjë”, por këto duhet t’i vërtetojnë organet që janë të specializuara për mitmarrjen apo korrupsionin pasiv.

 

Largimet e pajustifikuara nga puna të mësuesve janë denoncuar pak kohë më parë edhe nga Federata e Sindikatave të arsimit. Duke marrë shkas nga dhjetëra ankesa të bëra, Federata e Sindikatave të Arsimit ka denoncuar veprimet arbitrare që po bëjnë drejtoritë dhe zyrat arsimore të rretheve me lëvizjet masive të mësuesve sa në një shkollë në një tjetër, të cilat bëhen për motive politike dhe korrupsioni.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *