Ka shqetësim në rritje në Azinë Verilindore se Koreja e Veriut është gati të kryejë një tjetër qitje provokuese me raketa.
Forcat e Koresë së Jugut dhe forcat amerikane në atë vend thuhet se ndodhen në gatishmëri numër 2, vetëm një nivel më poshtë se në kohë lufte.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut është duke i referuar pyetjet e gazetarëve në lidhje me nivelin e gatishmërisë komandës së OKB-së, e udhëhequr nga SHBA, e cila thotë se nuk dëshiron të komentojë në lidhje me kushtet e sigurisë.
Ndryshimi i gjendjes së gatishmërisë ndodh kur ka tregues të një kërcënimi jetik.
Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve e Koresë së Jugut, Yonhap, thotë se ndryshimi hyri në fuqi sot, të mërkurën.
Një oficer i lartë i ushtrisë amerikane, admirali Samuel Locklear, ka konfirmuar përpara Komisionit të Senatit të Forcave të Armatosura se të paktën një raketë balistike është zhvendosur në bregun lindor të Koresë së Veriut.
Raketa, e cilat mund të ketë një rreze veprimi deri në 5 mijë kilometra, është e njohur si Musudan dhe asnjëherë nuk është provuar.
Admirali Locklear, i cili kryeson Komandën në Paqësor, tha se ushtria amerikane është në gjendje për të interceptuar një raketë balistike të hedhur nga Koreja e Veriut që do të kërcënonte bazat amerikane apo ndonjë nga aleatët e Amerikës në Paqësor, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë.
Kryetari i Komisionit, Senatori Carl Levin, i kërkoi admiralit Locklear hollësi rreth një plani të ri të përbashkët me Korenë e Jugut kundër provokimit koreanoverior.
Admirali tha se ishte në mëdyshje për të dëshmuar hapur.
“Unë jam përkrahës i planit dhe mendoj se është një plan i mirë.”
Pavarësisht tensioneve në rritje në gadishull, gjendja mbetet e qetë në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, dhe në zonat metropolitane, ku jetojnë më shumë se 20 milionë banorë – gati gjysma e popullsisë së vendit.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se nuk është duke i këshilluar shtetasit amerikanë të largohen nga Korea e Jugut, dhe as nuk ka ndonjë arsye për të shmangur vizitën në atë vend.
Koreja e Veriut të hënën u sugjeroi të huajve në jug se duhet të largohen, sepse lufta mund të shpërthejë në çdo kohë.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut thotë se përpjekja e Phenianit për të krijuar frikë mes të huajve do të dështojë dhe se kjo është thjesht luftë psikologjike.