Koreja e Veriut vazhdon të sfidojë Shtetet e Bashkuara. Provokimi i radhës është një prurje origjinale e manifestuar në një video ku projektohet shkatërrimi i qyteteve amerikane, me në sfond këngën “We are the children” në versionin korean
Muajt e fundit është diskutuar shumë mbi projektet sekrete të Koresë së Veriut për zhvillimin e programeve bërthamore dhe armëve të tjera të shkatërrimit në masë, dhe duket se shteti aziatik nuk ndalet me provokimet e tij ndaj perëndimit. Nëse ka një vend ndaj të cilit Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qëndrim nga epoka e Bushit e deri te ajo e Obamës, është pikërisht Koreja e Veriut, e cila është lënë në mëshirë të delireve të saj. Regjimi i Kim Jong Unit, liderit suprem të shtetit komunist është bërë edhe më ‘zanor’ nga ato të mëparshmet.
Në kohën e presidentit Xhorxh Bush, burime të kualifikuara denonconin në mënyrë sporadike krimet makabre të regjimit të Penianit, ndërsa Departamenti i Shtetit amerikan angazhohej maksimalisht në hetimin e dënimeve ekstreme ndaj qytetarëve dhe në kërkimin e sanksioneve ndaj shtetit komunist. Ishin të kota tentativat e Koresë së Veriut që të shmangte akuzat nga Uashingtoni.
Taktika ndryshon
Ndërsa me Bushin politika e Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut ishte e mbushur me përpjekje për të zbutur regjimin komunist, me Obamën politika e jashtme amerikane është bërë shumë më e heshtur, deri në kufijtë e mospërfilljes. Dhe me këtë rast për liderin e ri Jong Un, janë krijuar hapësira të mjaftueshme për t’u shprehur e njëkohësisht për të marrë nisma që në sytë e perëndimorëve kanë marrë fizionominë e delireve. Besohej se ardhja në pushtet e të riut Jong Un do të sillte një mentalitet më të të hapur dhe më të disponueshëm drejt reformave, por diktatori i ri po e ndërton udhëheqjen e tij të mbështetur mbi propagandën e brendshme dhe proklamatat thumbuese ndaj SHBA-së.
Propagandë nacionaliste
Javën e kaluar gjeneralët koreanoveriorë deklaruan se eksperimentet balistike të raketave ishin realizuar për të shprehur kundërshtimin e hapur ndaj armikut të tyre amerikan. Ndërsa sot për ta theksuar edhe më fort konceptin antiamerikan, kanali koreanoverior në “YouTube”, “Uriminzokkiri” ka publikuar një video ku shfaqet projektimi i qyteteve amerikane të shkatërruara nga shpërthime të njëpasnjëshme.
Asnjë deklaratë apo komunikim zyrtar nuk është lëshuar nga Uashingtoni. Ky produkt, me të drejtë është bërë shumë i diskutuar në Perëndim, sepse shfaq një seri imazhesh që projektojnë pushtime hapësinore nga koreanoveriorët, të cilët propozojnë evoluimin e programit të NASA-s “Space Shuttle” në versionin korean (që në realitet nuk ekziston) dhe përmbyllet me imazhet e qyteteve të shkatërruara amerikane. E gjithë kjo shoqërohet me ‘koreanizimin’ e këngës “We are the children”. Një produkt origjinal, por aspak kërcënues SHBA-në. Ndoshta në kohë të tjera këto imazhe do t’i kishin ofruar Uashingtonit një mundësi për t’iu përgjigjur me energji luftës propagandistike të shtetit komunist. Por tani fuqitë e mëdha duket se kanë filluar të mos i marrin seriozisht kërcënimet e tij. Ndryshe nga Sadami, Kim Jong Un i ka vërtet armët e shkatërrimit në masë, megjithatë ato janë më shumë një manifestim i padobishëm i ‘shpikjeve’ koreanoveriore, në një botë që prej dekadash nuk arrin të marrë seriozisht liderët e saj.
Përgatiti: Dorina Gjuzi